Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Mbretërit e paqenë të Shqipërisë

    Nga klouni gjerman që u vetëquajt Oto I, te duka francez që premtoi të zhdukte armiqtë e shqiptarëve
    Historitë e rralla, njerëzit që pretenduan të merrnin kurorën e Mbretërisë Shqiptare dhe ata që refuzuan fronin

    Askush nuk do t'i vinte në të njëjtën faqe historie, një Dukë Francez, një kloun cirku gjerman, një Princ Rumun, një lojtar të famshëm kriketi anglez, djalin e sulltanit të fundit të Osmanëve apo një princ të Egjiptit. Por të gjithë këta janë në të njëjtën faqe të historisë së Shqipërisë, pasi nga 1913 deri më 1925, të gjithë kanë pretenduar apo u është ofruar froni vakant, për të mos thënë i paqenë i shtetit të sapokrijuar. Të gjithë, pretendojnë se kanë pasur lidhje të forta, ose të sajuara me shtetin që sapo kishte nisur "të merrte Frajmë" në fillim të shekullit që shkoi.

    Një pjesë e tyre e refuzuan këtë fron, që iu dhurohej nga shqiptarë të ndryshëm që shpesh ishin thjesht përfaqësues të vetes së tyre dhe nuk kishin asnjë lidhje me mëmëdheun në kohë ringjalljeje. Të tjerë u kthyen mbrapsht prej komploteve dhe intrigave të ngritur prej rivalëve, ambasadorëve të Fuqive të Mëdha e rrallë edhe prej vetë shqiptarëve. Arkivi i "Time Magazine" ofron një mori historish të çuditshme, e qesharake të pretendentëve për fronin shqiptar, ndërkohë që të tjera histori gjenden në biografitë e princave, kontëve apo dukëve që pretenduan të ishin pasardhës të Skënderbeut apo i ndërtuan aty për aty pemët gjenealogjike që i bënin me gjak fisnik shqiptar.

    "Viti i kometës" dhe Oto I i Shqipërisë

    Të gjithëqë kanë lexuar "Viti i Mbrapshtë" i Ismail Kadaresë, e dinë se çfarë ishte viti i kometës. Domethënë viti ku askush nuk e dinte se çfarë ishte dhe çfarë do të bëhej Shqipëria. Viti kur gjithkush luftonte kundër gjithkujt dhe të gjithë pretendonin se do të çlironin vendin nga pushtuesit, që në atë kohë ishin të shumtë. Një ndër krerët e këtyre lëvizjeve, Haxhi Qamili, dhe njerëzit rreth tij kërkuan që mbret në Shqipëri të vinte djali i sulltanit të fundit të Turqisë, Halim Edine. Fjalët që u shpërndanë menjëherë i shkuan në vesh një klouni gjerman dhe trupës së tij shëtitëse.

    Sharlatani gjerman i quajtur Oto Vite (kloun cirku), i cili ngjante me Halim Edine, arriti të bindte "kryengritësit" dhe Haxhi Qamilin se ishte djali i Padishahut dhe në këtë mënyrë, mbajti për 5 ditë me radhë kolltukun mbretëror. Historia e Vite nuk është konfirmuar nga ndonjë dokument zyrtar veç, një shënimi në regjistrat e policisë Gjermane e cila nuk dihet se përse e kishte arrestuar klounin. Në shënimin përbri emrit të tij thoshte se në kartën e identitetit ishte shkruar: "Kloun cirku... një herë e një kohë mbret i Shqipërisë". Vite pretendonte se kishte zbritur në Durrës, ku njerëzit e Haxhi Qamilit e kishin kurorëzuar mbret më 13 gusht 1913.Ai shoqërohej nga trupa e tij dhe miku i ngushtë Maks Shlepsig, që ushtronte profesionin e "ngrënësit të shpatave". Ai tregon se që në ditët e para krijoi një harem dhe pastaj i shpalli luftë Malit të Zi. Sipas dëshmisë së tij, në momentin që u zbulua mashtrimi ai së bashku me "ngrënësin e shpatave" arritën të largoheshin duke vjedhur dhe një pjesë të "thesarit mbretëror". Historia e tij mbetet e pa vërtetueshme, sidoqoftë ajo ka shërbyer si fabul për romanin e Harri Turtledove "Every Inch a King" (Në çdo centimetër mbret).

    "Do të vras armiqtë tuaj"

    Shumë kontradiktore është historia e dukës francez që fillimisht është vetëpropozuar me anë të disa miqve të tij shqiptarë, për të qenë mbreti i tyre dhe më pas ka "refuzuar" fronin, duke deklaruar se nuk do të hiqte kurrë dorë nga titulli "qytetar francez". Në "Time Magazine" të 10 shtatorit 1923 thuhet se më 1913 ai zbriti në Vlorë dhe u ofrua si Mbret i Shqipërisë duke thënë: " Unë i kam rënë shpesh vërdallë botës, duke vrarë luanë, tigra dhe hipopotamë. Tani jam këtu për të vrarë armiqtë tuaj."Sipas Time ai u detyrua nga Gjermania dhe Austria të tërhiqte ofertën e tij. Ndërsa Baroni Nopça (edhe ky një pretendent për kolltukun e mbretit), tregon në kujtimet e tij se ai kishte zbuluar komplotin e Montpensierit dhe kishte detyruar Fan Nolin ta dekonspironte këtë përpjekje në Kongresin e Triestes.

    Montpensieri, duke parë se nuk mund të realizonte ëndrrën e tij vendosi të tërhiqej burrërisht dukepretenduar se fronin ia kishin ofruar dhe ai kishte refuzuar ta merrte atë. Më 25 prill 1913 ai citohet të ketë shkruar: Nuk ka asnjë kurorë në botë që do të më tërhiqte, nëse për ta marrë atë do të duhej të vija në diskutim dy tituj për të cilët jam krenarë, atë të qytetarit të Francës dhe atë të Princit Francez. Kështu jam i detyruar të mohoj çdo lloj kandidature për kurorën e Shqipërisë". (Burimi: Arkiva Diplomatike franceze, vol. 127, fq. 96, e publikuar në internet në një faqe që i kushtohet historisë së princërve të Orleanit). Sidoqoftë, duka francez i ndihmuar edhe nga dy kandidatë të tjerë arriti që me jahtin e tij"Mekong", të thyente bllokadën që flota greke i kishe bërë portit të Vlorës.

    Një lojtar kriketi për mbret

    Çarl Burges Fraj, një njeri me karrierë të shkëlqyer në një mori sportesh, por jo rrjedhimisht me ndonjë mendim të madh politik, për pak mund të ishte bërë mbret i Shqipërisë. Si njeri shumë i njohur pasi kishte lënë kriketin dhe sportet e tjera me të cilat merrej Fraj, mori pjesë si zëvendës përfaqësues i Indisë në Lidhjen e Kombeve më 1920, ku sipas "Time Magazine" një delegacion shqiptarësh i ka propozuar atij të behej mbret i vendit të vogël, që sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë edhe pse ndodhej nën presionin e përhershëm të fqinjëve. Nuk dihen arsyet se përse Fraj, i cili nuk mundi të zgjidhej asnjëherë në parlamentin Anglez, nuk e pranoi ofertën e bërë, për të zënë vendin e lënë vakant nga Princ Vidi, i tërhequr me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Fraj që për një kohë u bë adhurues i Hitlerit, ka treguar se kishte refuzuar ofertën e bërë, por arsyet e tij nuk janë të qarta.

    Të gjithë "pasardhësit" e Skënderbeut

    Një pjesë e mirë e pretendentëve për fronin e Shqipërisë reklamuan se ishin pasardhës të Skënderbeut, duke parë te kjo mënyrën e vetme për të vënë në kokë kurorën e shumëdëshiruar. Kështu pretendonte djali i Markezës Kastriota të Napolit Di Alueta, princi rumun Albert Gjika dhe fisniku spanjoll Don Huan Aladro Kastriota Perez Velasko. Sigurisht për asnjërin prej tyre nuk ekzistonte ndonjë provë e fortë që t'i lidhte me pasardhësit e heroit kombëtar. Markezi i Napolit, e trashëgonte mbiemrin nga linja femërore e familjes Kastrioti, ndërsa fisniku spanjoll pretendonte se ishte trashëgimtar i vërtetë i heroit, gjë që asnjëherë nuk u provua.

    Të dy ata ndihmuan sa mundën në pavarësinë e Shqipërisë, kryesisht për të fituar pëlqimin e patriotëve shqiptarë. Albert Gjika, thuhet se ishte vërtet me gjak shqiptar. Ai ishte princ në Rumani dhe arriti të fitonte influencë në organizatat patriotike shqiptare që ndodheshin në këtë vend dhe në Bullgari. Së bashku me Dukën Montpensier, ai mori pjesë në thyerjen e bllokadës greke në portin e Vlorës dhe ishte një ndër përkrahësit e lëvizjes shqiptare për pavarësi, por asnjë nga këto përpjekje nuk rezultoi e suksesshme, pasi në fund mbreti u caktua nga Fuqitë e Mëdha. Asnjë nga të tre pretendentët nuk arriti të kishte ndonjë sukses në përpjekjet e tij dhe po kështu dështuan Fazil Pashë Toptani, Konti Urah iVyrtembergut, dhe princi Egjiptian Ahmed Fuad (Familja mbretërore egjiptiane u krijua nga shqiptari Mehmet Ali Pasha).

    Në horizont u shfaqën një sërë kandidatësh të tjerë nga familjet mbretërore të Evropës, prej atyre fqinje deri te suedezët e danezët. Pretendentë kishte nga familja Bonaparte, e cilakishte tre kandidatë: princin Viktor, princin Luis dhe princin Roland Bonapart. Të tjerë kandidatë për fronin mbretëror në Shqipëri ishin edhe gjermanët: Mauricio i Shonburg-Lipe, princi Karl Von Hohencellern; anglezi Artur i Konaught; suedezët; duka Vilhelm Soedermanland dhe duka Karls Vestgotland; princi danez Aksel dhe një sërë emrash të cilët u rrëzuan për t'i lënë vendin princ Vidit. Baroni Nopça, i njohur për mbështetjen e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët tentoi gjithashtu të merrte fronin, duke pretenduar se kishte mbështetjen e zonës Veriore të vendit, por ai kurrë nuk mori përkrahje nga Ministria e Jashtme Austriake dhe për këtë hoqi dorë nga pretendimet.

    Refuzuesit...

    Pas atyre që tentuan fronin historia njeh edhe një grup personash që e refuzuan atë. Të paktën dy milionerë një amerikan dhe një britanik, kanë deklaruar në shtypin e kohës se u ishte ofruar froni i Shqipërisë, por se ata e kishin refuzuar atë. I pari Herri F. Sinkleir, një multimilioner dhe zotërues i njërës prej kompanive më të mëdha amerikane të transportit të naftës citohet nga Time Magazine, të ketë thënë se fronin e Shqipërisë ia kishte ofruar një delegacion në Romë. Delegacioni, sipas Sinkleir, i kishte thënë atij se duke qenë mjaft i pasur ai kishte mundësi të ndihmonte vendin. Nuk dihet për se Sinclair e ka refuzuar fronin. I dyti është një multi milioner dhe njëkohësisht fisnik Britanik. Xhejms Lile Makaj, thotë se pasi i kishin ofruar fronin, kishte deklaruar: "Nuk është në linjën time".

    Një tjetër refuzues i kurorës mbretërore shqiptare ishte Xhorxh Fred Ulliams. Ambasador i SHBA-ve në Greqi dhe Malin e Zi ai ishte një ndër përkrahësit e çështjes shqiptare. Ulliams zbuloi një komplot kundër Shqipërisë dhe një grup patriotësh i ofruan atij vendin vakant të mbretit, të cilin ai e refuzoi. Sidoqoftë ai vazhdoi të përkrahte shqiptarët dhe kujtimet e tij nga Ballkani i mblodhi në një libër për Shqipërinë e viteve 13-14. Një tjetër përkrahës i çështjes shqiptarë dhe këshilltar i delegacioneve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Lodër, por edhe në Lidhjen e Kombeve Sër Aubrej Herbert, refuzoi dy herë të merrte fronin e Shqipërisë. Herbert fillimisht refuzoi i nxitur nga kryeministri i atëhershëm anglez njëkohësisht i afërm i tij dhe më vonë sepse nuk donte të braktiste tokat e tij në Samerset, Britani. Libraria kombëtare në Tiranë, në vitet 30 ka mbajtur emrin e tij.

    Mbretëria pa mbret

    Me gjithë pretendentët e shumtë, froni shqiptar mbeti i zbrazët. E përcaktuar si mbretëri nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vendi ynë do ta kishte mbretin e tij vetëm për 6 muaj. Ikja e Princ Vidit me fillimin e Luftës së Parë Botërore, e la kurorën e vendit pezull dhe rifitimi i lirisë pas luftës i detyroi kongreset shqiptare që në vend të monarkut të zgjidhnin në qeverisje regjenca, që kryesisht përbëheshin nga katër anëtarë, përfaqësues edhe të katër feve të ndryshme të vendit. Mbretëria pa mbret do të zgjaste për një periudhë të gjatë kohe dhe gjatë gjithë këtyre viteve do të zgjaste loja dhe intriga për t'u bërë mbret i shqiptarëve aq sa gjithçka mori përmasa qesharake dhe vendi i monarkut filloi të cilësohej një vend i çfarëdoshëm pune. Situata zgjati deri më 1928 kur Ahmet Zogu, më parë President, u vetëshpall Monark i Shqiptarëve, duke i dhënë fund pretendimeve për fronin, jetëgjatësia e të cilit këtë radhë arriti të 10 vjetët, dhe sidoqoftë qe e pamjaftueshme për të krijuar një traditë monarkie. Kjo formë qeverisëse u braktis përfundimisht pas Luftës së Dytë Botërore, për t'u mos u kthyer më në Shqipërinë që nuk gjente dot mbret.

    Një vend pune si mbret

    7 prill 1924/Time Magazine

    Kurora e Shqipërisë u është ofruar dy herë amerikanëve. Fillimisht Xherome Bonaparatit të Manhatanit dhe më pas milionerit Herri F. Sinkleir. Por javën që shkoi, Ulises Grant-Smith, Ministër i SHBA-së në Tiranë, njoftoi se milioner ëndërrimtarë kish trokitur në derën e tij, për të parë nëse ai "vendi i punës" për mbret ishte ende bosh. Emri i milionerit u mbajt i fshehtë për arsye të etikës. Ai thuhet se kishte hyrë në Tiranë aq i pasur sa mund t'i lejonte vetes të mos sillej me edukatë. Ai i tha ambasadorit (ministrit) se kishte ëndërruar të ishte Mbret i Shqipërisë dhe se kishte kaluar oqeanin për të parë nëse kishte mundësi të vinte në jetë ëndrrën e tij. Një mik e nxori atë jashtë kryeqytetit dhe prej atij momenti asgjë nuk u dëgjua më për njeriu që donte të bëhej mbret.

    Dashuri dhe politikë

    03 shtator 1923/ Time Magazine

    Mbretëresha Mari e Britanisë, shkaktoi shumë thashetheme në Paris dhe Londër, duke shkaktuar një seri zhurmash të palejueshme për një të sërës së saj. Zyrtarisht ajo kishte udhëtuar për në Paris për të blerë një karrocë për fëmijën e parë (do të lindë muajin e ardhshëm) të vajzës së saj Mbretëreshës Mari të Jugosllavisë. Por duket se qëllimi i saj i vërtetë ishte shkuesia dhe politika.

    Mbretëresha, thuhet se kishte ujdisur martesat mes vajzës së saj Elizabet dhe Mbretit Xhorxh të Greqisë, djalit të saj Karol dhe Priceshës Helenë të Greqisë, vajzës së saj Marie dhe mbretit Aleksandër të Jugosllavisë. Por tani ajo ka në dorë edhe dy fëmijët e tjerë, princin Nikola dhe princeshën Ileana. Çfarë do të bëjë me ta? Nikollën ajo do ta bindë të pranojë fronin vakant të Shqipërisë, ndërsa duket se do të ndreqë një martesë të tij me Ileanën, e cila duket se është pëlqyer nga princi i Uellsit....

  2. #2
    "Viti i kometës" dhe Oto I i Shqipërisë

    Të gjithëqë kanë lexuar "Viti i Mbrapshtë" i Ismail Kadaresë, e dinë se çfarë ishte viti i kometës.
    NQS JU KUJTOHET EDHE NE 97'en KA QENDRUAR PER DISA JAVE NJE KOMETE NE QIELL.KOICIDENCE?!

    me fal qe dola nga tema!
    Ndryshuar për herë të fundit nga imodhjom : 25-03-2007 më 20:18

Tema të Ngjashme

  1. Mehdi Bej Frashëri: "Pse ia dhashë Shën-Naumin Serbisë"
    Nga ALBA në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 09-10-2007, 09:48
  2. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44
  3. Informacion i përgjithshëm mbi Republikën e Shqipërisë
    Nga bastardi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-05-2004, 16:05
  4. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •