Ta vrasësh fëmijën për “nder”
Prindërit, frikë nga paragjykimet që e “dënojnë” ashpër nderin e humbur të femrave
Në mentalitetin e pjesës më të madhe të shqiptarëve është shumë e rëndësishme të jetosh me nder; madje, aq shumë sa nuk vlen as vetë jeta para këtij “virtyti”. Kemi dëgjuar me veshët tanë dhe kemi përfytyruar skena të tmerrshme të babait që vret vajzën, për të ashtuquajturin “nder”. Sigurisht që nuk i kemi imagjinuar aq shumë makabre sa kanë ndodhur në të vërtetë. Skenari i tyre është përsëritur dhe vazhdon sërish me vrasje, ku aktorë të këtij “filmi” kanë vetëm një dorë e ku viktima është femra. Babai vret vajzën, se doli natën nga shtëpia, se ka humbur nderin, kur e kanë detyruar të prostituojë. Por më mizore është edhe se fshehin krimin dhe gjurmët, kur vajzën e kanë vrarë me duart e veta. Një nga historitë tipike dhe më të njohura është ngjarja e 2 shkurtit të vitit 2003, kur në fshatin Bërxullë të Tiranës, vajza 21-vjeçare, Groshe Martincamaj, u ekzekutua nga babai i saj. Shkaku ishte më banal se vetë krimi. Vajza kishte ikur nga shtëpia për dy ditë me radhë, pa lejen e prindërve. Psikologja Anisa Subashi shprehet se këta prindër kanë frikë nga paragjykimet e njerëzve, të cilët e “dënojnë” ashpër nderin e humbur të femrave. Por ata nuk kuptojnë se jeta vjen vetëm një herë; për ta jeta nuk ka kuptim pa nderin. “Kanë frikë se njerëzit do t’i gjykojnë. Nderi është gjëja më e vlefshme që ka një femër. Për ta vdekja vjen atëherë kur vdes nderi. Kanë mentalitetin se jeta e fëmijës është në dorën e tyre, sepse ata e kanë sjellë në jetë,” thotë psikologja Subashi. Sipas saj, në momentin që babai vret bijën e tij ai është shumë i ngarkuar me emocione negative. Ndikohet nga fjalët e të tjerëve, në një komunitet që përgojon jetën e fëmijës së tij. Në momentin që ai nuk ka ku t’i shfryjë nervat, ia nxjerr atë vajzës, kur ka humbur gjithë kontrollin. Por më vonë pendohen për atë që kanë bërë. Ata jetojnë me brengë në zemër, sepse nuk është aq e lehtë të vrasësh me duart e tua krijesën që vetë ke sjellë në jetë. U duhet të mbajnë dy “turpe”, ku njëra është konfirmimi që ata kanë bërë për nderin e humbur dhe tjetra vrasja. Edhe pse i vret ndërgjegjja për aktin që kanë bërë, ata e fshehin që të mos lënë “gjurmë” të nderit të humbur. Por akoma më tronditëse është se, edhe pse dënohen nga gjykata për vrasjen, lirohen së shpejti.
Precedenti Nuk janë të pakta vrasjet kur bashkëshorti ka vrarë gruan. Shkaku përsëri është nderi. Një tjetër ngjarje, kohët e fundit në Lushnjë, ku burri vret gruan bashkë me dy binjakë. Një vrasje e trefishtë, që ka protagonist burrin, i cili nuk e përtyp dot tradhtinë e bashkëshortes.
Ngjarja Figura e burrit patriarkal, i cili vendos për çdo gjë, edhe për jetën e familjarëve të tij, ekziston ende sot, në shek e 21-të. E tillë ishte edhe vrasja e Kozarës, ku kunati shuan familjen e vëllait, sepse mund të zbulohej lidhja e tij e fshehë me të.
G.T Elma Halili
Krijoni Kontakt