Eshtë zemra e politikës dhe udhëheq vendin që nga koha e revolucionit

Ali Komeni, zoti i vërtetë i Iranit

Ndërsa Presidenti Ahmadinexhad zotëron shtypin, udhëheqësi i gjithëpushtetshëm vë vulën për çdo lëvizje e vendim

Diplomatëve britanikë, gjatë përpjekjeve për të zbutur krizën e shkaktuar nga zënia rob e 15 marinarëve dhe marinsave dhjetë ditë më parë, iu desh të përballeshin edhe me pasojat e një fjalimi të mbajtur së fundmi nga udhëheqësi i vendit, Ajatollah Ali Kameni. "Në rast se armiqtë e Iranit kanë ndër mend të përdorin forcën dhe dhunën, nuk ka asnjë pikë dyshimi se kombi dhe ushtarakët iranianë do të përdorin të gjithë mundësitë për ta mposhtur armikun", tha ai në këtë fjalim.

Këto fjalë u interpretuan menjëherë si dritë jeshile nga rojat revolucionare, krahun ekstrem të forcave të armatosura, për të ndërmarrë veprime kundër personelit ushtarak britanik. Këto fjalë kanë shumë peshë nga çfarëdo mund të thotë Presidenti i vendit, Mahmud Ahmedinexhad. Presidenti mund të zërë faqet e para të gazetave perëndimore, por në vend pozicioni i tij varet së tepërmi nga mbështetja e Kamenit. Pasi Ahmedinexhadi u fajësua si shkaktari i rritjes së presionit mbi Irakun në janar. Për shkak të retorikës së ashpër dhe gabimeve ekonomike, së fundmi është lënë disi jashtë loje dhe po luan një rol të dorës së dytë. Pas gjithë kësaj mund të fshihet dora e udhëheqësit kryesor të vendit, megjithëse në Iran raportet mes pushteteve nuk janë kurrë të qarta.

Vetëm Kameni zotëron pushtetin ligjor dhe autoritetin personal për të ushtruar vullnetin në të gjithë vendin. "Të gjithë pas udhëheqësit", thërriste një djalosh gjatë lutjes së të premtes në Teheran. "Do ta ndjekim udhëheqësin deri në fitore". E megjithatë edhe Kameni nuk zotëron komandën universale. Qëndron prapa politikës iraniane, ku politikanët e zgjedhur janë të detyruar të bëjnë ujdi me qeveritarët e pazgjedhur, rojet revolucionare dhe legjislatorët fetarë. Mjekra e bardhë dhe syzet mjaft të mëdha japin përshtypjen e një njeriu mjaft të moshuar, por Kameni është vetëm 67 vjeç. Dhe pavarësisht gjërave që thuhen lidhur me gjendjen shëndetësore, ka shumë të ngjarë që ai të mos ketë ndër mend të dalë jashtë nga politika së shpejti. Në rast se Perëndimi do vërtet të ulë debatet me Iranin, padyshim që së pari duhet të gjejë mënyrën për të diskutuar me të.

Në zemër të politikës iraniane, që nga koha e revolucionit, si udhëheqës i "Lutjes së të Premtes", funksionar i lartë partiak, president dhe nga viti 1989 si udhëheqës suprem, Kameni është i përfshirë në mënyrë mjaft të ngushtë me çdo aspekt të jetës politike në vend. Ai heq dhe vë krerët e gjyqësorit, rojet revolucionare dhe këshillin mbikëqyrës, i cili mban nën kontroll të gjithë ata që përfshihen nëpër zgjedhje. Fjalimet e tij rrallë janë specifike, por janë ato që bëjnë të qarta politikat që do të ndiqen.

Ali Kameni u rrit në qytetin e madh Mashhadit, pranë kufirit me Afganistanin dhe Turkmenistanin. Si bir i një kleriku të lartë, vitet e formimit i kaloi nëpër ambientet e xhamive të mëdha, i ulur këmbëkryq mbi tapetet persiane, duke marrë mësime besimi nga mësuesit më të mirë.

Por ky formim nuk e la jashtë dhunës. Në moshën 14-vjeçare pa me sytë e tij kryengritësit që vraponin rrugëve, pasi agjentët britanikë dhe amerikanë rrëzuan Kryeministrin populist Muhamed Mosadek. Në kohën kur ishte student mori pjesë në revoltat kundër Shahut. Radikali revolucionar u arrestua disa herë deri sa u kthye nga mërgimi në vitin 1979 për t‘u hedhur tërësisht nën ligjin islamik.

Në një epokë të trazuar, një fushatë bombash i dha trajtat lidershipit të ri të Iranit. Kameni thuajse humbi jetën: një bombë e fshehur në një kasetë magnetofoni i nxori jashtë përdorimit dorën e djathtë.

Është e pamundur të tregosh historinë e Kamenit pa rrëfyer më parë atë të Komeinit, babait të revolucionit iranian. Në një nga sheshet kryesore të Teheranit gjendet një murale gjigande ku Kameni shfaqet në mënyrë shumë të ngjashme me paraardhësin e tij. "Rruga e gamenit është ajo e Komeinit", është slogani i saj. Në zyra, dyqane, restorante e hotele, dy fytyrat vendosen njëra pranë tjetrës, secila në kornizën përkatëse. Dhe në televizion, dokumentarë të panumërt mbi revolucionin i tregojnë dy burrat duke u lutur përkrah njëri-tjetrit, sikur në njëfarë mënyre i pari të jetë duke legjitimizuar të dytin.

Vdekja e Komeinit e la vendin në udhëkryq. Karizma e tij kishte qenë baza e revolucionit. Si do të mund të vazhdohej pa të? Autoriteti prej fetari dhe politikani mishëruara tek ai nuk mund të gjendeshin tek askush tjetër. Askush nga ajatollahët e brezit të vjetër nuk dukej i përshtatshëm për t‘i zënë vendin, kështu që sytë u kthyen nga klerikët e rinj, më të prirur drejt politikës.

Kur Asambleja e Ekspertëve, një trupë e zgjedhur e përbërë nga klerikë të moshuar e juristë islamikë, e zgjodhi Kamenin udhëheqës suprem, Rafsanxhani i zuri vendin si President i vendit. Që atëherë kjo dyshe dominon jetën politike të vendit, edhe në rastin kur janë rivalë, edhe kur shfaqen si partnerë. Por Kameni nuk do të shpresonte kurrë të krijonte karizmin e Komeinit, autoritetin e tij të jashtëzakonshëm fetar dhe lidershipin mbi revolucionin. Kur Komeini falte dikë apo një kauzë, i gjithë kombi i vinte pas. Kur bënte kritika priteshin koka. Udhëheqësi suprem aktual ka arritur të zotërojë një masë të mirë të pushtetit të Komeinit, por i duhet të negociojë për ta forcuar më tej.

Klerikët më të lartë në fenë islame shiite marrin titullin "Burim Frymëzimi". Miliona besimtarë bazonin praktikat fetare tërësisht në prononcimet e tyre. Komeini ishte kleriku më i madh në brezin e tij dhe ndiqej nga shiitët e të gjithë botës. Ai arrinte të tërhiqte pas vetes një masë mbështetëse mjaft të madhe, gjë që Kameni nuk është i aftë ta bëjë. Komeini ngriti sistemin e mbretërimit të legjislatorëve. Shiitët njohin 12 trashëgimtarë legjitimë të Muhamedit. I 12-i u zhduk në shekullin e nëntë, por shiitët besojnë se ai fshihet ende në kozmos dhe se një ditë do të kthehet. Teologët thonë se deri në atë çast të gjithë pushtetet e përkohshëm janë të paligjshëm. Inovacioni i Komeinit ishte shfaqja e legjislatorëve shiitë si të dërguarit e natyrshëm të imamit. Kjo ide revolucionare mbiu pasi politizimi i klerit rritej prej një shekulli dhe pasi shteti mbretëror i Shahut kishte nisur të rrënohej. Kameni dhe Rafsanxhani, qëndrojnë tashmë në pushtet thuajse për dyfishin e periudhës në të cilën qëndroi Komeini. Të dy u mbijetuan një serie trazirash, duke kombinuar marrëveshjet politike me intolerancën më të ashpër kundrejt çdo kërcënimi ndaj sistemit.

Por, me rritjen e presionit ndaj Iranit, pikëpyetjet bien mbi sa ai e njeh Perëndimin, të cilin, me aq sa dihet, ai nuk e ka vizituar kurrë.

gazeta-shqip