Në Maqedoni ka pasur reagime rreth regjistrimit të një vidoje për këngën e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin evropian të këngës.
Videoja e këngëtarit Frederik Ndoci me “Baladën e gurit” është regjistruar në disa lokalitete arkkeologjike maqedonase dhe mediat kanë thënë se kjo është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Ato kanë ngritur edhe shqetësimin se mos ndoshta këto vende arkeologjile prezantohen si shqiptare.
Katerina Bllazhevska, kryeredaktore e gazetës më të madhe në vend “Dnevnik”, thotë se opinioni maqedonas është i habitur se pse Shqipëria dëshiron të prezantohet me imazhe nga Maqedonia.
Ajo nuk përjashton motive politike.
“Maqedonia nuk kundërshton që të tjerët t’ia prezantojnë vlerat kulturore, nëse kjo nuk vihet në një lloj konteksti politik që mund të vërë në dyshim besimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve,” thotë zonja Bllazhevska, duke shtuar se në Shqipëria ka plot lokalitete arkeologjike të cilat sipas saj do t’i bënin nder Shqipërisë që të prezantoheshin në mediat evropiane.
Zyrtarët shqiptarë që do t’i dorëzojnë të hënën materialet në Helsinki hedhin poshtë çdo lloj mundësie për politizim të kësaj çështjeje.
Ato thonë se zgjedhja ku do të regjistrohej vidoeja është bërë për shkaqe teknike.
Delegacioni i TVSH-së të hënën do të dorëzojë të gjitha materialet e konkurimit në Helsinki, ku do të zhvillohet këtë vit gara.
Zamira Koleci, kryetare e delegacionit shqiptar në Festivalin Evropian, i tha BBC-së se videoja është regjistruar në Maqedoni për shkak të bashkëpunimit të mëparshëm me studiot si dhe për shkak se pala maqedonase ka dhënë ofertën më të përshtatshme, sipas kërkesave të TVSH-së.
“Sinqerisht nuk arrij t’i kuptoj, gati, gati më duket qesharake. se në një kohë që flitet për heqje kufish, për fqinjësi të mirë, për të mos paragjykuar askënd, nuk e kuptoj pse duhet të jetë ky alarm fare i kotë, nga autoritete apo zyrtarët maqedonas,” tha zonja Koleci.
Protagonisti i videos, këngëtari Frederik Ndoci, ndonëse nuk sjell vendimet se ku do të xhirohej videoja, gjithashtu thotë se është e papranueshme që të politizohet arti dhe kultura.
“Disa njerëz sot mendojnë se bota ka lindur e politizuar, mendojnë se ka lindur politika, pastaj gjuha, pastaj muzika, kjo është e kundërta,” tha zoti ndoci.
“Kjo që po ndodh është diçka e keqe, sepse njerëzit nuk i bashkon politika po i ndan, ndërsa arti kultura i bashkon,” tha këngëtari shqiptar.
Festivali evropian i këngës do të zhvillohet më 12 maj në Helsinki të Finlandës.
Delegacioni shqiptar thotë se para këtij aktiviteti do të vizitojnë Maqedoninë, për të prezantuar videon, kur dhe do të kuptohet se realizimi i saj është i një niveli të lartë dhe pa asnjë prapavijë të diskutueshme.
VideoKlipi- Kliko ketu
Krijoni Kontakt