************************************************** **************
Tirane- Tirana International Airport (TIA), në 21 mars do të bëjë hapjen e terminalit të ri të pasagjerëve. Ky terminal përfundoi me sukses testimet e bëra, ku morën pjesë rreth 300 vetë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës gjatë dy ditëve të testimit. Qëllimi i këtij testimi ishte të sigurohej gatishmëria për operimet e këtij terminali, para se të bëhet hapja zyrtare e tij në datë 21 mars. “Testime të tilla janë shumë thelbësore për funksionimin e terminalit të ri dhe ne jemi të kënaqur me rezultatet. Vetëm një muaj na ndan nga përurimi dhe testimi shkoi shumë mirë e pa asnjë problem serioz. I gjithë sistemi punoi mjaft mirë, gjë që na jep besimin për hapjen e terminalit në kohë”, - deklaroi Rolf Castro-Vasquez, Drejtori i Përgjithshëm i Operimeve në TIA. Sipas specialistëve pranë “Tirana International Airport”, të gjitha masat e sigurisë u zbatuan me rreptësi, gjithashtu të gjitha proceset shkuan mirë. Testimet për terminalin e ri të pasagjerëve pranë Aeroportit “Nënë Tereza”, janë zhvilluar për dy ditë, përkatësisht në datë 10 dhe 24 shkurt. Gjatë këtyre testimeve kanë qenë pjesëmarrës 300 veta; kushti i vetëm që duhet të plotësonin ata, ishte që të kishin një pasaportë të vlefshme për udhëtim. Mosha e tyre varionte nga gjashtë deri në 86 vjeç. Pasagjerët u pajisën të gjithë me valixhe që i regjistruan në sistem para nisjes. Pasi kaluan në pikat e kontrollit të sigurisë dhe pasaportave, ata vazhduan drejt portave të daljes. Edhe pse shumica e tyre nuk kishin fluturuar më parë, ata u orientuan mjaft lehtë me procedurat e nisjeve dhe mbërritjeve në aeroport. Testimet u realizuan nga skuadra e Aeroportit për Gatishmërinë e Operimeve dhe Transferimin (ORAT), pjesë e divizionit të operimeve në TIA, dhe u mbështetën nga HOCHTIEF AirPort, aksionieri kryesor i aeroportit. Testimet u ndanë në tri kategori kryesore: elementare, e përparuar dhe emergjenca evakuimi. Të gjitha këto u testuan në 15 fluturime vajtje-ardhje. Testimet kanë rezultuar të suksesshme, gjithashtu edhe në procedurat e mbërritjes.
![]()
Krijoni Kontakt