• Viziten e tij ne Tirane Mesic do ta perfundoje me promovimin e librit e tij te titulluar ‘Si u shkatërrua Jugosllavia”, dhe me pas do te udhetoje drejt qytetit te Vlores
Presidenti Alfred Moisiu ka dekoruar pak minuta me pare me titullin ‘Nene Tereza’, homologun e tij Kroat Stipe Mesic i cili po zhvillon një vizitë dyditore informale në vendin tonë. Ceremonia e dekorimit te presidentit kroat Mesic eshte bere ne ambjentet e presidences, ndersa motivimi ka qene: ‘në vlerësim të kontributit të veçantë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve tanë, si dhe për angazhimin e gjatë dhe konstruktiv në zhvillimin e frymës së dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet vendeve në rajon’. Takimi i pare i presidentit kroat Stipe Mesic ne Tirane ka qene me kryeministrin Berisha ne suiten presidenciale te hotel sheratonit.
Në përshëndetjen e tij pas dekorimit, Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç falenderoi përzemërsisht për dekoratën e lartë të akorduar nga Presidenti Moisiu, duke e pranuar atë jo vetëm në emrin e tij personal, por dhe në emër të vendit të tij, të Kroacisë. Duke ritheksuar dhe një herë objektivin dhe angazhimin e përbashkët të vendeve të rajonit për integrimin në strukturat euroatlantike, z.Mesiç vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve të rajonit tonë në frymën e miqësisë së mirë dhe të mirëkuptimit. Në këtë kontekst, presidenti kroat vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Shqipërisë dhe, duke mbyllur fjalën e tij, garantoi se do të vijojë të udhëheqë politikën e normalizimit dhe të stabilizimit në rajon, politikën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e tij, duke ritheksuar angazhimin për vazhdimësinë dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm në të mirë të popujve dhe vendeve tanë.
Viziten e tij ne Tirane Mesic do te perfundoje me promovimin e librit e tij te titulluar ‘Si u shkatërrua Jugosllavia”, dhe me pas do te udhetoje drejt qytetit te Vlores. Presidenti Mesiç do te largohet nga vendi ynë neser pasdite
Fjala e plote e Presidentit Moisiu ne promovimin e librit te presidentit kroat, Mesic: "Si është shkatërruar Jugosllavia".
I nderuar miku im, Presidenti Mesiç,Zonja e zotërinj,
Kam kënaqësinë t’i uroj edhe njëherë mirëseardhjen në Tiranë Presidentit Mesiç, i cili është një mik i çmuar i Shqipërisë dhe i imi personalisht. Gjatë viteve të fundit ne kemi patur rastin të takohemi shumë herë këtu në Tiranë, në Zagreb dhe në kryeqytetet e tjera në rajon. Kudo dhe kurdoherë takimi dhe bisedat me ju, i dashur Stipe, kanë qenë të mirëpritura, miqësore dhe të dobishme. Tashmë ju jeni i njohur dhe i vlerësuar për aftësinë dhe vizionin modern, me të cilin prej vitesh po drejtoni me sukses Kroacinë drejt familjes europiane, por edhe me pikëpamjet dhe kontributin tuaj aktiv në forcimin e lidhjeve, miqësisë dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit. Eksperienca e bashkëpunimit tonë në kuadër të Kartës Adriatik 3 dhe nismave të tjera rajonale, mëse njëherë ka krijuar bindjen tonë se tek ju dhe Kroacia, shqiptarët shohin një president dhe shtet mik, tek të cilët gjithnjë kemi gjetur mbështetje, mirëkuptim dhe solidaritet.
Sot kemi rastin të njohim dhe prezantojmë një pamje tjetër të Presidentit Mesiç: atë të historianit, politologut dhe politikanit largpamës. Libri juaj mbi procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë është shkruar herët, rreth 15 vjet më parë, por ai duket aktual dhe merr rëndësi të vecantë sepse parashikimet dhe konkuzionet e tij u vërtetuan nga koha. Libri u botua sapo kishte nisur shpërbërja e Jugosllavisë, kur tre republika shpallën pavarësinë dhe harta e rajonit u ndryshua përgjithmonë. Sot kur ne po e prezantojmë librin në Tiranë, Jugosllavia nuk ekziston më: Mali i Zi është shtet i pavarur, Kosova është pranë pavarësisë, si një shtet tjetër i ri, demokratik në rajon. Ju në librin tuaj flisni mbi Kosovën, shënoni që atje nisi konflikti i parë. Fati e deshi që Kosova të ishte edhe çështja e fundit në procesin e shpërbërjes së plotë dhe përfundimtare të Jugosllavisë. Ju flisni aty me detaje dhe fakte historike për rolin aktiv në nxitjen e konfliktit dhe urrejtjes etnike të ish presidentit Millosheviç. Sot ai nuk është më në këtë botë. U nda prej saj i vënë përpara drejtësisë për krimet e panumërta kundër qytetarëve të pafajshëm në Kosovë, Bosnje e Kroaci. Po ashtu, një pjesë e udhëheqësve që në kujtimet tuaja të viteve 1990-1991 ishin aktorë kryesorë të vendimeve historike për luftë e paqe, nuk jetojnë më ose nuk janë më aktivë në politikë. Fatkeqësisht disa prej tyre, Karaxhiç dhe Mlladiç, aleatët dhe bashkëpërgjegjësit me Millosheviçin për krimet në Bosnje, ende janë të lirë, dhe ende trazojnë kujtimet e dhimbshme të popujve të rajonit. Ne urojmë dhe besojmë se do të jetë e afërt dita kur ata dhe kushdo tjetër, që urdhëroi krimet kundër njerëzve të pafajshëm në rajon, të përballet me drejtësinë në Hagë.
Koha i dha të drejtë vlerësimeve tuaja dhe tashmë të shumicës qytetare në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, se përgjegjësi kryesor për luftrat etnike, për humbjen e pafajshme të jetës së mijëra qytetarëve në Kosovë, Bosnje e Kroaci dhe për shndërrimin e rajonit nga një realitet i bashkëjetesës shumëetnike, në një shesh lufte dhe barbarie ishte regjimi kriminal i Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të frymëzuar nga një ideologji e nacionalizmit agresiv. Ëndrra e tyre për një shtet mbi shtetet e tjera, një komb mbi kombet e tjera, një fe mbi besimet e tjera, nxiti dhunën, vrasjet barbare, aktet shtetërore të krimeve ndaj civilëve, luftën civile dhe krizën më të madhe politike e humanitare në Europë që pas luftës së dytë Botërore. Sistemi – Millosheviç, më ndihmën e ushtrisë, policisë speciale, por edhe të akademikëve dhe një elite politike të nënshtruar ndaj të keqes, shumë shpejt u kthye në një kërcënim për paqen, stabilitetin, ekzistencën dhe të ardhmen e popujve të tjerë të rajonit. Krimet nuk ishin të rastësishme; ato u projektuan, u bënë me vetdije të plotë dhe u promovuan nga vetë sistemi represiv, në të cilin u ndoq parimi se merita, nderimi dhe posti më i lartë i takonte atij që vriste më shumë qytetarë, të cilët deri përpara vitit 1990 kishin qënë bashkëqyetatë të një federate, të një shteti.
Për ne shqiptarët, libri mund të konsiderohet edhe si pjesë e historisë sonë të përbashkët, pasi përshkruan një kohë në të cilën, përveç tjerash, vendosej edhe për fatin e popullit shqiptar të Kosovës. Ne i ndiqnim me shqetësim të madh ato ngjarje të përshkruara në këtë libër sepse me to ishte i lidhur fati i vëllezërve tanë kosovarë, të cilët sic dihet tashmë, ishin të parët që u përballën me shovinizmin serb në vitin 1981 me demonstratat e Prishtinës dhe pastaj në 1989, kohë kur krahinës së Kosovës iu hoq autonomia dhe kushtetuta që rregullonte marrëdhëniet e saj në ish-Jugosllavi.
Vlera më e madhe e këtij botimi është fakti se ai është shkruar nga një njohës shumë i mirë dhe protagonist aktiv në të gjitha zhvillimet politike në rajon gjatë 20 viteve të fundit, gjë që i bën të besueshme faktet dhe dokumentet historike që sjell. Ne sot cmojmë faktet dhe atë, që konstatimet dhe paralajmërimet tuaja të 15 viteve më parë u vërtetuan. Brezat e ardhshëm do të gjejnë aty një dokument me vlerë historike, të referueshëm dhe të besueshëm.
Sot është dita e prezantimit në gjuhën shqipe, dhe jam i sigurtë se botimi është i mirëpritur e se ai do të kërkohet dhe hulumtohet më tej nga shumë historianë, studiues dhe politikanë.
Miku im Stipe!
Duke ju cmuar lart për punën e mrekullueshme dhe talentin e dëshmuar në shkrimin e këtij libri, dëshiroj t’ju falenderoj për ardhjen tuaj në Tiranë në promovimin e tij dhe gjithashtu të vlerësoj punën e bërë nga Forumi i Intelektualëve në Kroaci për ta sjellë atë në gjuhën shqipe.
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt