Socialistët e Internacionales nuk pranojnë zgjidhjen e imponuar për Kosovën
"Nuk do ta pranojmë zgjidhjen e imponuar, e cila shkon në dëm të palës tjetër, ndërsa asociimi i Serbisë në BE nuk është kompensim për Kosovën". Kështu ka deklaruar në Beograd Mirça Xhoana, kryetar i Partisë Demokratike Socialiste rumune, i cili në kuadër të një delegacioni të Internacianales Socialiste ka takuar zyrtarët e lartë të Serbisë.
Anëtari tjetër i delegacionit, Jorgos Papandreu, lider i PASOK-ut grek, ka thënë se Kosova është një problem evropian, andaj nevojitet që BE të ketë "rolin kryesor" në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Papandreu ka thënë se zgjidhja e vetme e pranueshme për Kosovën është ajo në të cilën rolin kyç do ta ketë BE-ja. Ndërkaq presidenti serb Boris Tadiq ka deklaruar pas takimit me këtë delegacion se situata politike në "Serbinë qendrore" varet nga situata politike në Kosovë dhe se për këtë shkak statusi i ardhshëm i Kosovës duhet patjetër të jetë rrjedhojë e marrëveshjes së përbashkët. Anëtari i këtij delegacioni, kryeministri bullgar Sergej Stanishev, i cili është bashkëkryetar i Komitetit të Internacionales Socialiste, sot pasdite mbërrin në Prishtinë, por nuk dihet nëse edhe anëtarët e tjerë do të jenë në Prishtinë.
Krijoni Kontakt