CRCA – IRCCRA, raporti: Baballarët e dhunshëm, shumica të papunë
Rreth 70 për qind e baballarëve që ushtrojnë dhunë te fëmijët dhe bashkëshortet e tyre janë të papunë, sipas konkluzionit të raportit "Abuzimi i fëmijëve në familje", realizuar nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (IRCCRA) mbi fenomenin e dhunimit të fëmijëve. Bazuar në raport, shumica e baballarëve, të cilët dhunojnë fëmijët dhe të afërmit e tyre janë të papunë dhe vuajnë nga mungesa e vetëvlerësimit, nga humbja e autoritetit, e statusit të kryetarit të familjes, etj. Studimi "Abuzimi i fëmijëve në familje" tregon se në profilin e babait të dhunshëm përfshihen edhe karakteristika të tjera si: përdorimi i alkoolit, lëndëve të ndryshme narkotike dhe përfshirja e tyre në aktivitete të paligjshme si trafikim të qenieve njerëzore, trafik droge, falsifikim dokumentesh etj. Sipas specialistëve të shëndetit mendor, ankthi i vazhdueshëm i arrestimit, humbjes së pronave të paligjshme, dështimit, lidhjeve jashtëmartesore, humbja e vetëkontrollit nga kjo kategori personash, përbëjnë shkaqet kryesore të ushtrimit të dhunës te fëmijët dhe familjarët e tyre.
Nga studimi "Dhuna në familje - Paraqitja e situatës aktuale në Shqipëri", i realizuar nga Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, rezulton se rreth 20 për qind e fëmijëve janë abuzuar fizikisht, ku 3 për qind e tyre janë dhunuar seksualisht. Raporti "Abuzimi i fëmijëve në familje", i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe i Qendrës së Informacionit dhe Kërkimeve për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (IRCCRA) tregon se 100 për qind e fëmijëve kanë përjetuar dhunë emocionale si presion, izolim, dhunë ekonomike dhe privim nga të drejtat e tyre, por rastet më të shpeshta të fëmijëve të dhunuar u përkasin familjeve problematike me vendbanim në rrethet pak të zhvilluara dhe në zonat periferike të Tiranës, ku janë përqendruar familjet e ardhura në kryeqytet dhjetëvjeçarin e fundit.
Gazeta TEMA
Krijoni Kontakt