Besimtarët, njerëzit që përjetojnë më pak ankth.

S’ka dyshim në lidhjen që ekziston mes shëndetit mental e fizik me Krijuesin, i Cili di çdo gjë për njeriun më mirë se vetë njeriu. Çdo mësim dhe këshillë fetare ndikon në korrigjimin e ndjenjave dhe sjelljeve të njeriut. Besimi sjell dukshëm qetësi shpirtërore:

“Kujtdo, nga meshkujt apo femrat, që kryen një punë të mirë, Ne do ti japim të jetojë një jetë të mirë e të bukur.” (16:97)

“Kush ndjek udhëzimin Tim, nuk do të humbasë dhe nuk do të jetë i pafat.” (20:123)




Nga shkalla e largimit të shoqërisë dhe individëve, varet edhe shkalla e korruptimit dhe çoroditjes së mendimit dhe sjelljes, gjë që sjell ankth, konfuzion, shqetësim e siklet, i cili vështirë se mund të largohet. Zemra e njeriut bëhet e vrazhdë dhe vetëm besimi e zbut atë. Ajo bëhet aq e mjerë, saqë vetëm lidhja me Krijuesin e Lartë mund ta largojë këtë mjerim. Mungesa e besimit, pavarësisht përparimit teknik dhe zhvillimit material, nuk ka bërë tjetër, veç se ia ka shtuar më shumë brengat dhe vuajtjet shoqërive. Kjo e vërtetë ka shtyrë shumë qëndra botërore të merren me shëndetin mendorë apo shpirtëror. Specialistë të shëndetit mendorë sugjerojnë praktika dhe teknika të ndryshme, duke i sjellë ato si alternativa për trajtimin e pjesëve të ndryshme të ankthit dhe shqetësimeve shpirtërore. Islami nuk vjen thjesht si një alternativë, por shumë më tepër. Ai vjen si fuqi e shpirtit, trupit e mendjes.

Të shohim së bashku se si, idetë dhe besimet që rjedhin prej besimit islam, ballafqohen dhe i rezistojnë ankthit dhe brengave:

Muslimani beson se caktimi është në dorë të Zotit. Ai beson se vdekja as nuk vjen më shpejt e as nuk vonohet më shumë nga ç’është e përcaktuar nga Zoti, i Cili gjithashtu është edhe Përcaktuesi i fatkeqësive. Çdo gjë është e njohur dhe e shkruar te Zoti që përpara se njeriu të krijohej. Nga kjo, tek muslimani rrjedh besimi se ajo që i ka ndodhur nuk mund të mos i ndodhte dhe ajo që nuk i ka ndodhur nuk mund t’i ndodhte kurrsesi. Njeriu shqetësohet dhe brengoset për jetën, rriskun dhe të ardhmen. Në besimin e muslimanit, çdo gjë vjen nga përcaktimi i Zotit, prej të Cilit pritet edhe e vetmja ndihmë e mundshme.

“Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz…” (2:45)

Praktikat fetare islame mbjellin në shpirt ndjenjat e qetësisë dhe sigurisë. P.sh. namazi i kryer me përkushtim, ëmbëlsinë e të cilit e ndjen vetëm praktikuesi, fisnikëron shpirtin dhe pastron mendjen. Durimi dhe namazi janë forma adhurimi, të cilat muslimani ia kushton vetëm Zotit. Këto për besimtarin janë armë me të cilat ai përballon vështirësitë e jetës. Namazi ishte nga kënaqësitë më të mëdha të Pejgamberit s.a.u.s. dhe për besnikët që ndoqën rrugën e tij. Zoti e ka bërë recitimin e Kur’anit ilaç dhe ushqim për shpirtin.

“Vërtetë duke kujtuar All-llahun qetësohen zemrat”, dhe mënyra më e mirë për përmendjen e All-llahut është leximi i Kur’anit. Shembulli më i mirë për këtë është praktika e sahabëve e reflektuar në një jetë të shëndetshme shpirtërore.

Kur besimtari ndien se i mbyllen rrugët, nxiton t’i lutet Zotit, duke qënë i vetëdijshëm se fuqitë dhe mundësitë e Zotit janë absolute dhe nuk krahasohen me asnjëlloj të pushtetit që zotëron njeriu. Zoti është afër njeriut. Ai e dëgjon lutjet e njerëzve dhe i përgjigjet thirrjes së lutësve. Pejgamberi i Zotit, Muhammedi s.a.u.s. i lutej Zotit kur ndodhej në vështrësi, që Ai t’i nriçonte rrugën e zgjidhjes:

“O Zot, nga dija Jote kërkoj të mirën, nga fuqia Jote fuqinë dhe kërkoj nga të mirat e Tua të mëdha. Ti mundesh dhe unë nuk mundem, Ti di dhe unë nuk di, Ti je njohësi më i mirë i të fshehtës.”

“O Zot, nëse kjo punë është e mirë dhe e dobishme për besimin, për jetën dhe për pasjetën time, atëherë më jep mundësinë ta kryej dhe më jep bekimin Tënd; e nëse është e keqe dhe e dëmshme për mua,atëherë largoje nga unë. Më sill të mirën kudo që të jetë dhë më bëj të pajtueshëm me të.”

Pasi besimtari e ka kërkuar të mirën, suksesin, zgjidhjen e dobishme në çdo çështje, ai e kryen punën me ndërgjegje të qetë, duke iu bindur vullnetit të Zotit.
Është pikërisht ky besim në fuqinë, pushtetin, mëshirën e caktimin e Zotit, që i krijon besimtarit musliman një mburojë mjaft të fuqishme dhe të sigurtë kundër ankthit dhe dëshpërimit. Besimi në All-llahun xh.sh. është padyshim çelësi i sigurisë dhe qetësisë së muslimanit në vështirësi dhe gëzime, në ditë të mira dhe të vështira, në rini dhe pleqëri, në shëndet dhe në sëmundje, i kultivuar përmes bindjes dhe praktikës.

Vetëm nën hijen e besimit në Zotin Fuqiplotë marrin kuptimin e vërtetë jeta e vdekja, gëzimi e hidhërimi, vështirësia e lehtësimi, e mangëta dhe e plota, e mira dhe e keqja, e kjo bën që njeriu të përballet me to me statusin shumëdimensional të besimtarit.