Skandal presidencial në Maqedoni
Bardhyl Berberi
15-03-2007
Nga Tetova
Kërcënim i paprecedent ndaj kreut të PDSH: "Do shkatërroj atë, familjen, madje dhe macet e qentë e tij!"
Zbulohet biseda mes Presidentit dhe Drejtorit të Zbulimit: "Do ta shkatërroj Menduh Thaçin!"
Në Maqedoni ka shpërthyer një skandal i paprecedentë politik, pas publikimit të lajmeve mbi një bisedë mes Presidentit të vendit dhe Drejtorit të Zbulimit të Shtetit. Në këtë bisedë, sipas mediave maqedonase, Presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski ka kërcënuar me likuidim fizik zv/kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçin.
Arsyet e këtij veprimi ekstrem, në nivelet më të larta shtetërore, ende nuk janë bërë të ditura, por vetë numri dy i Partisë Demokratike, Menduh Thaçi ka deklaruar se do flas shumë shpejt publikisht dhe me hollësi rreth këtij skandali.
Në bisedën mes presidentit Branko Cërvenkovski dhe drejtorit të Agjencisë së Zbulimit të Maqedonisë, Kire Naumov, ka qenë i pranishëm edhe një person i tretë, përfaqësues i lartë i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim të Maqedonisë.
Sipas të përditshmes në gjuhën shqipe "Koha", në takimin e Cërvenkovskit me Naumovin, presidenti mes tjerash u ka thënë dy "mysafirëve" të vet tii përcjellin Thaçit, se "do ta shkatërrojë atë, familjen e tij, madje edhe macet dhe qentë e tij". Kjo fjali ekstreme, e pazakontë, është komentuar pas publikimit edhe nga vetë Thaçi, i cili me tone të nxehta, është përgjigjur: "Përsa i përket kërcënimeve për familjen time, rikujtoj Presidentin se me sa di unë, ai ka vetëm një djalë, ndërsa familja ime numëron 100 djelmosha!".
Për çështjen janë interesuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni, të cilët për ta vërtetuar saktësinë e këtyre informatave, kanë kontaktuar palët e përfshira. "Shekulli" kontaktoi mbrëmë me kryetarin e PDSH të Maqedonisë, z.Arbën Xhaferri, për ta pyetur rreth saktësisë së këtyre informacioneve. Pyetjes nëse ka ndodhur një kërcënim i tillë në këto nivele, z.Xhaferri iu përgjigj: "Sipas të gjitha gjasave, po!". I pyetur rreth arsyeve të një veprimi të tillë paprecedent, kreu popullor i shqiptarëve të Maqedonisë, tha: "Nuk mund ta shpjegoj këtë absurd".
Kabineti i Presidenti maqedonas, nuk ka dhënë prononcime rreth çështjes, ndërkohë që kanë paralajmëruar se do të reagojnë pasi të deklarohet vetë Menduh Thaçi.
Mbrëmjen e djeshme .rreth orës 18 e 15 minuta. në kanalin e MTV2, në gjuhën shqipe, ka dalë për t'u prononcuar lidhur me skandalin edhe zv/ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Rafet Elmazi. Ai ka deklaruar para kamerave, se rrethanat dhe detajet e fjalive kërcënuese janë konfirmuar.
"Ne po e ndjekim nga afër situatën, e gjitha kjo është kaq e pazakontë",- tha Elmazi.
Krijoni Kontakt