Nga rrjepja e një gjykatësi te varja në litar e ish-diktatorit irakian, Sadam Husein
Ekzekutimet, nga kamxhiku te karrigia elektrike
Historia e formave të likuidimit të të dënuarve me vdekje përgjatë shekujve. Cilët janë shembujt më të njohur
Bota e filloi dënimin e kundërvajtësve, sipas ligjeve të shkruara e të pashkruara, nga gjuajtja me gurë, si mjeti i parë ose arma e parë që mori njeriu në dorë. Më pas spektri i ekzekutimeve është zgjeruar, që nga goditjet me gurë, dajaku, litari, kryqëzimi, prerja e kokës, varja, gajtani i mëndafshtë, vrasja me plumb, karrigia elektrike e deri te vdekja me injeksion. Ekzekutimi para pak kohësh i Sadam Huseinit, shkaktoi reagimin e ashpër të opinionit, për shkak të formës së ekzekutimit të tij. Megjithatë shembulli më i njohur i një dënimi me vdekje është ai, kur Kambiz urdhëroi rrjepjen e lëkurës për gjykatësin e tij të lartë, Sikamin. Ky gjyqtar ishte i korruptuar dhe kishte marrë nga klientët dhurata, në këmbim të padrejtësisë. Kambiz ka qenë i ashpër dhe i drejtë. Pasi gjykatësi u vra, ai urdhëroi rrjepjen e lëkurës dhe me të bëri tapiceri për tavolinën e gjykatës. Kjo tavolinë ka qenë paralajmërim për të gjithë gjykatësit që merrnin ryshfet dhe bënin padrejtësi në gjykim.
Goditja me gurë
Në historinë e njerëzimit, mënyra me e vjetër e vrasjes ka qenë goditja me gurë. Kur persona të veçantë, në inat e sipër, kanë vrarë një kriminel në këtë mënyrë, nuk mund të përgjithësohet si dënim me vdekje, sepse kjo është karakterizuar si hakmarrje ose mbrojtje. Por, kur u vendosën dënimet sipas ligjit, goditja me gurë nuk hyri në kodet penale, as tek popujt primitivë.
Në Ballkan, krahas ligjit, goditja me gurë në publik është mbajtur si mënyrë dënimi për një kohë të gjatë: Vrasjen me gurë e bënte populli nga inati, së pari ndaj grave që shpalleshin shtriga, ndaj atyre që sillnin të këqija në fis, ose ndaj vrasësve të fëmijëve. Grekët e lashtë godisnin me gurë tradhtaret dhe shkelëset e kurorës. Kështu kanë bërë dhe romakët e vjetër, të cilët shumë ligje të krijimit të shtetit i kanë marrë nga Helena. Apostulli Filip u dënua me vdekje nga tirania e Neronit, (shtrirja në kryq për të cilën edhe sot moralizojnë predikuesit kristianë e evangjeliste), duke u goditur me gurë nga një masë e madhe romakësh. Ata që zbuluan Amerikën (botën e re) në dëshmitë e tyre konfirmojnë, se edhe atje mes indianëve, dënimi me vdekje realizohej nga goditja me gurë.
Hedhja nga lartësitë
Hedhja e të dënuarit nga lartësia, është mjaft e vjetër. Viktima hidhej nga shkëmbinjtë ose nga kullat. Ky dënim, besohet se nuk ka qenë aq i tmerrshëm, sepse në të nuk mund të merrte pjesë i gjithë populli, si në goditjet me gurë. Ai nuk ka qenë vendim ekzekutimi, por shpesh ishte akt i zemërimit të tiranit, që kishte në dorë jetën e viktimave të tij. Pra, në botën e vjetër, edhe grekët edhe romakët i hidhnin të dënuarit nga lartësitë. Edhe sot është një vend në Romë, që quhet "Shkëmbi i Tarpejt". Ai ishte vendi i vrasjes së të dënuarve. Ky vend ka qenë në "përdorim" përgjatë shekujve. Në këtë shkëmb hidheshin: Dëshmitarët e rremë, nënat vrasëse, kryengritësit ndaj pushtetit, tradhtarët e vendit, përdhosësit e fisit, hajdutët dhe plaçkitësit e objekteve të kultit, robërit që vidhnin, marrësit e dhënësit e ryshfetit (d.m.th të korruptuarit). Hedhja nga lartësitë e mëdha nuk është parë si dënim i tmerrshëm, por si dënim diskreditues. Kjo vrasje (hedhja nga Shkëmbi i Terapejt), ka qenë dënim i përhapur në kohën e sundimit të Kaligulës dhe Tiberit.
Kjo mënyrë dënimi u përhap në mesjetë në gjithë perandorinë romake. Tek gjermanët e vjetër, hedhja nga shkëmbi ose nga kullat nuk ka qenë e zakonshme dhe nuk pranohej nga ligji.
Robërit gjermanë dënoheshin duke i hedhur në moçale ose këneta.
Në mesjetë, hedhja nga shkëmbi ose kullat, nuk bëhej me vendim gjyqësor, por ishte akt brutal i dhunuesit mbi viktimën e tij. Kësaj kohe i takon historia gjyqësore, që njihet si ngjarja e Pragës. Udhëheqësi husin Jan Zhishka, në vitin 1419, hodhi nga dritarja 15 këshilltarët e tij, sepse i kishin dhënë këshilla të gabuara. Edhe më vonë, në Pragë, ka patur dënime të ngjashme.
Varja në kryq
Nuk mund të konfirmohet, se kur përfundoi njeriu për herë të parë në kryq dhe se cila ishte praktika gjyqësore që e çoi atë te kjo lloj vdekje. Kjo mënyrë dënimi ishte e përhapur në kohën e luftës kundër paganizmit dhe vendosjes se monoteizmit (besimit në një zot). Në luftëra, zbatohej shpesh sistemi i dënimit të robërve me varje në kryq. Kur Dari pushtoi Babiloninë, kryqëzoi në vende publike 300 babilonasit më të njohur. Ngjashëm veproi edhe Aleksandri i Madh: Kur pushtoi qytetin Tir, urdhëroi të kryqëzohen trimat më të guximshëm të Tirit. Siç shkruajnë kronikanët e vjetër, Tiri ishte i "zbukuruar" me mbi 2000 kryqëzime(të varur në kryq) të trimave të Tir-it. Grekët e vjetër e kanë marrë këtë mënyrë të dënuari nga Azia, por kurrë nuk e kanë futur zyrtarisht në ligjin penal.
Ndërsa romakët e vjetër e kanë futur atë në ligjin penal, tre shekuj para krishtit. Kryqëzimi si dënim gjyqësor, ka "jetuar" edhe disa shekuj pas Krishtit. Zyrtarisht u hoq me dekret nga mbreti Konstandin në vitin 337, kur ai pranoi krishtërimin. Tek popujt evropianë, në mesjetë varja në kryq u ndërpre fare. Njihet vetëm një rast, kur për fyerjen e madhe të popullit në Tir, u kryqëzua një prift. Në historinë e të drejtës romake, ka një rast interesant për kryqëzimin, që duhet të përmendet këtu. Gjatë kohës së mbretit Tiber në Romë, ka jetuar Paulina, një fisnike e njohur, e cila shquhej për bukurinë dhe pastërtinë morale. Me të ishte dashuruar një fisnik. Me që nuk arriti të bëjë asgjë me përpjekjet e tij për ta futur në dorë Paulinën, atij i ra në mendje dinakëria. Ai korruptoi me para priftin e faltores në të cilën i lutej zotit Paulina.
Prifti e mashtroi gruan e bukur, duke i thënë, se me atë ishte dashuruar zoti egjiptian Anubis. Paulina e padjallëzuar, ishte e bindur, se duhej ti jepej një zoti dhe jo një njeriu të vdekshëm. Prandaj ajo pranoi të mbyllej në një pjesë të errët të faltores, ku ishte fshehur i dashuruari pas saj dhe kaloi natën me të. Më vonë i dashuruari ia zbuloi dinakërinë e përdorur dhe i kërkoi që e dashura e tij tani e tutje ta shihte atë si njeri, e jo si zot. Paulina e tregoi këtë mashtrim të burrit dhe Tiberi urdhëroi kryqëzimin e priftit dhe djegien dhe shkatërrimin e faltores.
Helmimi
Në asnjë histori të gjyqësisë, nuk është zbuluar nga praktika gjyqësore, se kush, kur dhe si, do të përfundohej një jetë duke përdorur helmin. Sipas legjendës së popujve të vjetër, Heketa ka qenë e para që ka zbuluar rrënjën helmuese. Ajo ua ka treguar zbulimin e vet, bijave të saj Mederës dhe Kirkës. Në Persi njihej prej kohësh, një lloj druri që prodhonte fruta të helmuara. Këto fruta përdoreshin, duke ia dhënë të dënuarit për ti ngrënë. Në Egjiptin e vjetër të dënuarit janë helmuar. Pra, nga shumë dëshmi që kanë arritur në ditët tona, me e përdorur ka qenë vrasja me helm. Mënyra më e thjeshtë e vrasjes me helm, është vdekja e Sokratit. Atij ju dha helm në burg dhe u urdhërua ta pijë. Kjo ka qenë e ngjashme me rastin, kur sulltani turk i çonte të dënuarit me vdekje në "gajtanin e mëndafshtë", që ta përfundonin jetën me ndihmën e tij. Në Greqinë e vjetër, më tepër janë dënuar me helmim shkelësit e kurorës(dashnorët e dashnoret). Për drejtësinë, helmimi nuk ka qenë mjet i shpeshtë dënimi, por ka mbetur në përdorim si mjet privat hakmarrje. Helmimi ka qenë i përhapur në oborret mbretërore ndër shekuj, në luftën për pushtet dhe për trashëgiminë e fronit. I parë nga ana e kodit moral, tek të gjithë popujt evropianë, helmimi ilegal ka qenë akt i neveritshëm dhe i ulët. Gjermanët e vjetër i dënonin helmuesit me vdekje.
Rrjepja e lëkurës
Përgjatë historisë së të gjitha civilizimeve, gjithnjë janë menduar forma të reja të dënimeve, që kanë qenë të neveritshme dhe tragjike. Mes tyre më e tmerrshmja ka qenë rrjepja e lëkurës. Shembulli më i njohur është ai, kur Kambiz e urdhëroi këtë, për gjykatësin e tij të lartë Sikamin. Ky gjyqtar ishte i korruptuar dhe kishte marrë nga klientët dhurata në këmbim të padrejtësisë. Kambiz ka qenë i ashpër dhe i drejtë. Pasi gjykatësi u vra, sipas vendimit të tij, ai urdhëroi rrjepjen e lëkurës dhe me lëkurën e tij, bëri tapiceri për tavolinën e gjykatës. Kjo tavolinë ka qenë paralajmërim për të gjithë gjykatësit që merrnin ryshfet dhe bënin padrejtësi në gjykim.
Edhe historiani Herodot e përmed rastin e mitmarrjes dhe korrupsionit në botën e vjetër dhe mënyrën e dënimit të saj. Ky shembull i ka shërbyer mbretit Horzi, për të vrarë dhe rrjepur lëkurën komandantëve të ushtrisë së tij, sepse nuk patën sukses në luftën me armiqtë. Rrjepja e lëkurës ka qenë i përhapur, si dënim gjyqësor edhe te turqit. Kjo formë dënimi nuk është zbatuar tek romakët e vjetër. Në mesjetë, por edhe më vonë, kjo formë dënimi nuk është zbatuar në Evropë, përveç rasteve të veçanta, kur bëhej me vullnet të sunduesve të veçantë. Një rast i rrjepjes së lëkurës ka ndodhur në Armeni me 1671. Një persian ishte dashuruar me një polake, e cila ishte shumë e bukur. Ai vendosi ta zbukuronte haremin e tij me bukurinë e saj, por polakja i ofroi rezistencë të ashpër atij. Ajo duke shfrytëzuar mungesën e vëmendjes së shërbëtorëve, iku nga haremi. Burri e kapi, e zhveshi, urdhëroi të vihej në kryq dhe të rripej lëkura. Pastaj trupi i rrjepur u hodh në rrugë, ndërsa lëkura u var në harem, si paralajmërim tiranik, për çdo grua tjetër që do të ikte kështu dhe do ti bënte rezistencë burrit. A ka qenë ky Otello i dashuruar (trimi i tragjedisë së Shekspirit) që mori "dashurinë" e 12 grave të veta në harem? Edhe në Pragë në vitin 1509, me 20 maj ka patur nje rrjepje të ngjashme. Mbreti Vladislav V, urdhëroi, që një shtetasit të tij çek, t‘i rripej lëkura, sepse në kohën e kryengritjes së Husinkit, ai u përpoq ta vriste mbretin.
Vrasja me anë të kafshëve
Në Gjermani, është zbatuar për një kohë të gjatë një lloj dënimi, kundër vjedhësve të gjahut dhe të gjithë atyre që u merrnin kafshët e vrara, sidomos kaprollët dhe drerët. Kriminelët dënoheshin duke i lidhur mbi shpatullat e një dreri të fortë, dhe duke e lëshuar nëpër shkurre e gjemba. Kështu, fatkeqi duhet të duronte mundime të tmerrshme, sepse dreri përpiqej me të gjitha mënyrat për tu liruar nga barra, duke lëvizur nëpër moçale, duke e goditur në shkopinj, deri sa kafsha ose viktima të binte e vdekur.
Përgjatë historisë, egërsinë më të madhe e ka shfaqur njeriu ndaj njeriut. Ligji "Tereziana" ka sunduar me shekuj në Evropë. "I dënuari dërgohej në vendin e vrasjes. Atje i pritet trupi në katër pjesë, pastaj varej në për katër trekëmbësha, në katër rrugë kryesore dhe dërgohet populli për tu neveritur. Me këtë ligj dënoheshin shkeljet më të rënda, si: tradhtia e madhe dhe vrasja e grave shtatzëna. Këtej rrjedh dhe ligji që nuk mbahet mend prej kur, që kafshët viheshin të kryenin torturat më të rënda mbi të dënuarin. Kjo mënyrë dënimi, vjen nga kohët parahistorike. Mendimi për ti bërë kafshët ekzekutues të dënimeve më të vështira, ka rrënjë të hershme. Kështu p.sh. në Bibël, thuhet: "Le të vdesin nga uria, e disa le ti zënë ethet. Le të të dërgohen në dhembët e egërsirave dhe i helmoftë gjarpri".
Vendosja e kafshëve për të vrarë njerëz, shpesh nuk ka qenë asgjë tjetër, veç një zbavitje popullore, e krahasuar me arenat e gladiatorëve në qytetet e Romës së Vjetër. Nga këto kohë të lashta vjen ligji, që në Spanjë lidhet me luftën e demave. Në Romën e lashtë, ka patur zbavitje popullore. Kur mbreti kishte ditëlindjen, populli duhet të gëzonte. Ne ekzekutimet e të dënuarve nga egërsirat- me luanë e tigra, për të zëmëruar kafshët, viktimat mbuloheshin me lëkurë të ndryshme kafshësh. Gjatë ekzekutimit mbreti Neron kënaqej. Dënimi me ndihmën e kafshëve, në atë kohë ka qenë mjaft i shpeshtë te shumica e popujve. Me ndihmën e elefantëve janë vrarë të dënuarit indusë e Kartagjenasit. Mbreti egjiptian Ptolomej Filopator, kur pushtoi Jerusalemin, dërgoi në Aleksandri një numër të madh hebrejsh të vdisnin me mundime të rënda, duke të shkelur nga elefantët ose duke të vrarë nga krokodilët me të cilët ishte mbushur Nili. Për këtë formë ekzekutimi, në Egjipt kishte gjithmonë gati 500 elefantë dhe po kaq luanë, tigra e krokodilë.
Dënimi me bletë dhe milingona
Plutarku dhe historinë të tjerë e përmendnin dënimin e viktimave me ndihmën e bletëve e milingonave. Për këtë shkruajnë dhe shkrimtarë të tjerë jo vetëm të botës së vjetër e mesjetës, por dhe në shekujt e mëvonshëm. Dënimi me anën e milingonave e bletëve, ka ardhur në Evropë nga Orienti. I dënuari zhvishej dhe lidhej mbi një fole milingonash në një shtyllë. Aty lihej aty të vdesë nga uria, etja e nga milingonat. Gati në të njëjtën mënyrë veporhej edhe për të dënuarin me bletë. Kjo mënyrë vdekje ka qenë e përhapur në Gjermani. Bletët e pickonin atë deri në vdekjen e tij. Edhe kjo lloj vdekje ka qenë në ligjin "Tereziana".
Korbi hante mishin e të dënuarit
E drejta shumë e vjetër gjermane e dënimit, por dhe e drejta e të gjithë shteteve të tjera, ka qenë dënimi i hajdutëve: Në gjoksin e të dënuarit të lidhur, vihej një copë e vogël mishi dhe një korb. Korbi pasi hante sasinë e vogël të mishit, nga uria hante mish nga trupi i të dënuarit. Kështu, korbi duke ngrënë pjesë të trupit i sillte vdekjen viktimës.
Varrosja për së gjalli
Në sistemin e mundimeve që sillnin vdekjen e ngadaltë, janë dhe murosja e varrosja për së gjalli. Në këtë formë ekzekutimi, shihet qartë egërsia që kanë treguar popujt. Kështu, në vend të një vrasje të shpejtë, praktikohej një mundim i gjatë. Kuptohet, se murimi për shkak të zgjatjes së vdekjes, ishte i tmerrshëm. Njëri ndër dënimet më të vjetra, ishte ai ndaj atyre që tregoheshin frikacakë. Këta frikacakë hidheshin në baltë ose në pleh, sepse në mesjetë dhe në kohë të vjetra, trimëria dhe vendosmëria ishin vlerat më të larta, ndërsa frika dënohej me vdekje. Groposja e gjallë e të dënuarit, jo në këneta e baltë, por në tokë të thatë ka qenë zbatuar ndaj nënave vrasëse(vrasësve të fëmijëve të vet) dhe shkelësve të kurorës.
Groposja për së gjalli, ishte mjaft e përhapur në vendet e Evropës Perëndimore. Më shpesh ishte akt i vullnetit të pushtet-mbajtësit. Kështu, p.sh. Oto Bavarski i Parë, pas fitores mbi hungarezët, urdhëroi të groposen të gjallë njëqind ushtarë hungarezë. Përveç ligjit "Tereziana", për një kohë të gjatë, në vendet evropiane është zbatuar ligji "Karolina". Ai ishte i ashpër ndaj grave që kryenin abort artificial dhe ndaj atyre që vidhnin.
Mbytja në ujë
Për, dënimet me vdekje në ujë, në këto ligje nuk ka patur dispozita të veçanta. Mbytja në ujë zbatohej edhe në civilizimet e vjetra. Ligjvënësit evropianë arritën në përfundimin, se këto lloj dënimesh të rënda, në civilizimet e reja janë kapërcyer. Mbytja në ujë praktikohej në Turqi deri në shekullin e 19, ndërsa viktima të saj ishin shkelësit dhe shkelëset e kurorës, tradhtarët, magjistarët dhe vrasësit e fëmijëve. Hedhja në ujë zbatohej si dënim ushtarak, për marinarët. Ky lloj dënimi për ta ishte më i natyrshmi. rahas kësaj, në ata popuj toka e të cilëve kufizohej me brigje detare, ekzistonte supersticioziteti, sipas të cilit varka në të cilën gjendej i vdekuri, duhet të mbytej, sepse deti sipas legjendave të lashta, kërkon gjithnjë viktima. Por, mbytja e të dënuarit në ujë, ka qenë shumë shpesh akt i vullnetit të sunduesit, i cili e ka bërë këtë pa asnjë ligj. Kjo mënyrë dënimi ka ardhur deri në deri në ditët tona nga Roma e vjetër.
Për këtë ka dhe kjo histori: Një dite në urën e Tibarit, mbreti Komod, takon një grup fisnikësh, të cilët po bisedonin. Mbreti i pyeti se për çfarë bisedonin? Ata u përgjigjën: Për vlerat e sundimit të mbretit Aurel. Mbreti Aurel ishte babai i mbretit Komod, për të cilin dihej mirë se kishte qenë shumë krenar.
Kjo e zemëroi aq shumë të birin(mbretin Komod), sepse ishte i bindur se vetëm pushteti i tij ishte i miri dhe se vetëm ai duhej falënderuar. Si dënim urdhëroi hedhjen e tyre në Tibar.
Ka patur dhe dënime që nuk përcaktoheshin nga rregullat. Të dënuarit vendoseshin në një anije të vogël. Kjo formë dënimi, më shpesh takohej në vendet mesdhetare. I dënuari mbyllej në një anije të vogël, tërhiqej në det dhe lihej pa ujë e ushqim, që ta merrnin erërat dhe rrymat detare.
Murosja
Kur vështrohet historia e dënimeve dhe e keqtrajtimeve, lexuesi i sotshëm, krijon përshtypjen, se civilizime të ndryshme "takohen" në zbatimin e sanksioneve më të tmerrshme për kriminelët dhe të dënuarit, të cilët me mundimet më të rënda, kanë paguar gabimet e tyre. Masa e ashpërsisë dhe e mënyrave ka qenë e pakufizuar: Është bërë garë, se si ti krijohen kushtet njeriut, që të vdesë me sa më shumë vuajtje! Kështu, akoma më e tmerrshme se varrosja për së gjalli, ka qenë murosja e kriminelit. Vdekja kështu, nuk vjen menjëherë, si te groposja ose mbytja në ujë. I murosuri jeton me mundime të tmerrshme dhe vdes ngadalë në errësirë nga etja e uria. Në Romën e vjetër dënoheshin me murosje të dënuarit që bëheshin viktima të dashurisë së tyre.
Kështu, eprorët e manastireve murosnin kallogjerët që shkelnin pastërtinë morale dhe kryenin "marrëzi tokësore". Një shembull: Mbreti Karakala hasi qëndresë të paparë tek katër murgesha që u përpoq ti mashtronte. Për tu hakmarrë, mbreti i përgojoi dhe gjykata duke i besuar perandorit, i murosi të katërta në Kampus. Në manastiret gjermane, franceze, spanjolle, portugeze e çeke, murosja është kryer për një kohë më të gjatë se tre shekuj(nga shek 16, përgjatë shek 17 e 18, deri në gjysmën e shekullit 19). Inkuizicioni ka kryer murosjen në kohën e përzënies së heretikëve dhe të përzënies së grave magjistare. Këto dënime të tmerrshme, kanë qenë të shpeshta edhe në Zvicër. Në atë kohë murosnin fëmijë në muret e kalave e qyteteve, sepse besohej se këto mure nuk mund ti shkatërronte armiku. Kjo egërsi, nuk ka patur asgjë të përbashkët me dënimin. Akoma dhe sot, në rastet e shembjeve ose restaurimeve të kalave e kështjellave në të gjithë Evropën, gjenden në mure skelete fëmijësh.
Dënimi me zjarr
Në civilizimet e vjetra deri në ditët tona, zjarri ka qenë mjet për realizimin e torturës dhe vrasjes. Në kohët pagane, zjarri është përdorur nga tiranët e ndryshëm kundër kristianëve. Më vonë kristianët e përdorën zjarrin kundër heretikëve. Është i njohur fakti, se jezuitët në Evropën perëndimore e qendrore, për 250 vjet, përdorën përzënien e heretikëve dhe të grave "shtriga". Në një libër dokumentar "Jo shtrigave" janë dokumentuar më shumë se 30 milionë heretikë dhe gra magjistare, që kanë vdekur prej mundimeve të ashpra. Në dëbimet religjioze, turrat e druve janë përdorur më shpesh në Turqi, Zvicër, Francë, Itali, Austri e Gjermani. Besimi në magjistare, fallxhore, dhe "punët e djallëzore", kanë "përdhosur dogmën kristiane dhe zotin", e cila është e vjetër sa dhe vetë kristianizmi. Parimisht, turrat e druve dhe shpata e mprehtë kanë qenë mjetet të shpejta dhe më të sigurta në persekutimin e heretikëve dhe magjistareve. Ato kanë qenë edhe mesim fetar në Evropë, për plot tre shekuj. Djegia, nuk ka qenë vetëm mjet dënimi, por dhe mjet turpërimi. Nëse dikush vdiste para se sa të ekzekutohej dënimi mbi të, ata nuk tërhiqeshin nga djegia në turrë të druve, sepse ekzistonte bindja, sipas së cilës, i dënuari ishte dënuar përfundimisht, në se shndërrohej në hi. Vetëvrasja ka qenë "shkelja më e neveritshme" e moralit dhe kufoma e të vetëvrarit digjej.
Varka ruse
Dënimi më i rëndë për të dënuarin ishte zhveshja, lidhja e duarve, gozhdimi në muskulaturë dhe lënia në një varkë në Vollgë. Me këtë dënim, dënoheshin më shumë fshatarët rusë-muzhikët që nuk u bindeshin pronarëve të tyre. Këto "varka tragjike" notonin në Vollgë, deri sa kufoma të shpërbëhej. Ky dënim ishte i sigurt, dhe për muzhikët rusë kishte edhe një qëllim. Kështu, duke kaluar varka përgjatë lumit, në shumë fshatra e vendbanime, u jepej mësim edhe atyre kryengritësve që nuk u bindeshin pronarëve të tyre dhe mbillnin frikë, se fati i tyre do të ishte i ngjashëm.
Gjymtimi
Prerja e pjesëve të trupit, sidomos dorës ose këmbës në ligjshmërinë evropiane, por dhe në atë antike, ka qenë dukuri e shpeshtë. Në ligjin "Karolina" vetëm në dy paragrafë flitet për prerjen e gishtërinjve. Ajo zbatohej tek ata që kapeshin duke vjedhur. Atyre u pritej vetëm gishti i madh i djathë, por jo gjithë dora. Atyre që bënin betim të rremë në gjyq, u priteshin tre gishtërinj. Për falsifikatorët e parave, në shumicën e ligjeve evropiane parashikohej prerja e gishtërinjve. Mes dënimeve të rënda, tek popujt, në kohë të ndryshme është përdorur qorrimi. Për dënime më të lehta i nxirrej njëri sy, ndërsa tek dënimet e rënda i nxirreshin të dy sytë. Nga bota antike, kujtohet Neroni, i cili kërkoi këtë dënim, të kryhej mbi kristianët, të cilët kalonin nga paganizmi, te besimi në një zot.
I veçantë është dënimi që urdhëroi konti gjerman Herbert Rotenburg, për një grup gjykatësish, sepse kishin marrë ryshfet dhe nuk kishin lejuar një grua të fitonte të drejtën e saj, për çfarë ata e kishin për detyrë. Ata u dënuan duke u nxjerrë sytë, sepse u gjykua se ata nuk ishin të nevojshëm, kur jepnin gjykime të tilla të padrejta. Kur, në ushtrinë mbretit Fridrih Barbaroza, shpërtheu tradhtia dhe dezertimi i ushtarëve, ai urdhëroi që tradhtarëve tu pritej gjuha, ndërsa dezertorëve tu nxirreshin sytë. Për ekzekutimin e të dënuarit, janë përdorur mënyrat më të rënda, duke filluar nga varja, djegia, prerja e kokës me sëpatë, me shpatë e më vonë me gilotinë (pajisje e shpikur nga mjeku francez Giloten), deri te mjetet moderne për dhënien fund të jetës, me karrige elektrike (përdoret gjerësisht në SHBA).
Gazeta SHQIP
Krijoni Kontakt