Ne duhet të jemi të pagabueshëm, në këtë jetë frenetike që është e ndërtuar mbi kompeticionin dhe stresin e vrapit drejt përsosmërisë për të qenë të pranuar dhe të dëshiruar (në planin më intim). Perfeksionisti është gjithmonë nën ankthin e performancave për të qenë në lartësinë e duhur. Ai është një individ që nuk kënaqet kurrë, madje që në nisje të një iniciative, ai kërkon të jetë më i miri dhe nëse e sheh me rrezik kompeticionin, heq dorë pa filluar akoma.

Ai nuk do të jetë kurrë në hije dhe nuk ia fal vetes asnjëherë mossuksesin. Sipas psikologëve, perfeksionistët duke bërë gjithnjë të njëjtat gjëra për të cilat janë që në fillim të sigurtë në sukses, rrezikojnë të mos bëjnë asnjë farë progresi dhe të guxojnë për eksperienca të reja të cilat vetë jeta na i dikton. Perfeksionistët janë gjithnjë në një përballje të madhe mes ireales që ekziston në fantazinë e tyre dhe reales, duke qenë kështu në konkurrencë të vazhdueshme me veten. Lind pyetja, duke qenë gjithnjë në kërkim të perfektes, sa pozitiv dhe negativ është ky veprim për individin dhe për të tjerët që relacionojnë me të? Deri ku është e shëndetshme dhe e dobishme dëshira dhe përpjekja për perfeksion ? Le të diskutojmë për këtë fenomen modern dhe problematik kur kalohet masa, në forumin tonë.