Renditja e fundit e miliarderëve të globit. Prestigjiozja "Forbes"publikon 100 super të pasurit e planetit
Asnjëherë më parë të kamurit e kësaj bote nuk e kishin zmadhuar pasurinë e tyre kaq shumë sa gjatë vitit që shkoi.
Këtë fakt e zbulon edhe më qartë lista e re e botuar së fundmi nga revista "Forbes" e miliarderëve, të cilët së bashku kapin shifrën marramendëse prej 3,5 bilionë dollarësh amerikanë. Bien në sy, përveç amerikanëve e arabëve, tashmë edhe shumë rusë e gjermanë. Por gjenden edhe spanjollë, italianë, suedezë, latinoamerikanë e indianë.
Ndërsa lista e aktiviteteve të tyre fitimprurëse është gjithashtu e gjatë. Gjithsesi, kryesojnë investimet në fushën e informacionit, ndërtimtarisë, fondeve e trojeve, pronave të patundshme, industrisë së naftës, hekurit e metaleve, dhe bizneseve si kazinotë apo transporti.
Për sa u përket emrave, lista në krye të saj nuk ka pësuar ndryshime. Kështu, sërish Bill Gates, themeluesi dhe pronari i koncernit të madh të informatikës, "Microsoft", mbetet edhe më tej njeriu më i pasur në botë, me një pasuri që tashmë kap shifrën e 56 miliardë dollarëve, sipas revistës prestigjioze amerikane "Forbes", e cila ka krijuar prej dekadash tashmë një traditë në listimin e njerëzve më të pasur në botë çdo vit për opinionin publik ndërkombëtar.
Kolegu i tij, investitori Warren Buffett, renditet direkt pas tij në vendin e dytë me një pasuri që kap shifrën e 52 miliardë dollarëve, gjithsesi e pandryshuar në krahasim me vitin që shkoi, i pasuar në vendin e tretë nga njeriu më i pasur në Amerikën Latine, meksikani Carlos Slim Helu, me 49 miliardë dollarë.
I biri i një familjeje emigrantësh libanezë është aksioneri kryesor në shoqërinë meksikane të telekomunikacioneve "Telmex", si dhe i një perandorie firmash me aktivitete të ndryshme.
Revista ekonomike "Forbes", prej dekadash bën renditjen vjetore të më të pasurve të kësaj bote, ku agjentët e redaktorët e saj ndërmarrin shumë kërkime e verifikojnë shifra e të dhëna pa fund për të qenë sa më të freskuar me informacione mbi aktivitetet e pasurinë e deklaruar të njerëzve që kapin majat e luksit, pasurisë e mirëqenies dhe që nga ana tjetër, sigurisht, përbëjnë edhe motorët e zhvillimit për shumë rajone e shtete në botë, duke punësuar ushtri të tëra njerëzish në industri e degë të ndryshme të ekonomisë, biznesit, industrisë, argëtimit, spektaklit, teknologjisë, ndërtimtarisë, transporteve, sistemit bankar e financiar etj. Të dhënat e "Forbes" vlejnë për shumë arsye si më të besueshmet ndër të gjitha vlerësimet që u bëhen pasurive të VIP-ave në mbarë botën.
Këtë vit "Forbes" numëron në rang botëror 946 miliarderë. Në vitin 2006, numri i tyre ishte 793. Ata kapin së bashku shifrën e 3,5 bilionë dollarëve (ose e konvertuar: 2,7 bilionë euro). Kjo përbën nga ana tjetër, në terma më konkretë ekonomikë, 35 për qind më shumë se niveli i vitit që shkoi, dhe dy të tretat e të gjithë miliarderëve gjatë vitit që shkoi u bënë më të pasur.
Për krahasim: GDP-ja e Gjermanisë për shembull (shuma pra e përftuar nga prodhimi i të gjitha mallrave e shërbimeve përgjatë një viti), gjatë vitit që shkoi kapte shifrën e rreth 2,3 bilionë eurove.
"Është padyshim viti më i pasur në historinë e njerëzimit", ka thënë ndërkohë Steve Forbes gjatë ceremonisë së prezantimit të shifrave e të dhënave të reja. "Kurrë më parë nuk është vënë re një rritje e tillë".
Interesant është gjithashtu fakti se 60 për qind e miliarderëve nuk e kanë trashëguar pasurinë e tyre, por e kanë krijuar me punën e veprimtarinë e tyre.
415 nga 946 miliarderët jetojnë në SHBA. Ndërkohë, një fakt tjetër interesant është dhe prania e 55 miliarderëve nga Gjermania e që jetojnë sipas revistës "Forbes" po në Gjermani. Kjo, me distancë në fakt nga vendi i parë, SHBA-ja, përbën dhe vendin e dytë në renditje për nga numri i miliarderëve në rang botëror, porse ndiqen shumë pranë nga miliarderët rusë; me 53 të tillë. E po të krahasonim shifrën e përgjithshme të pasurisë së gjermanëve me atë të rusëve, rezulton që rusët ta kenë kaluar dukshëm atë, e konkretisht raporti është 232 me 245 miliardë dollarë.
Një fakt tjetër është se miliarderi më i ri në listën e "Forbes" është një gjerman: ai është 23-vjeçari me gjak blu, Alberti i Thurn dhe Taxis. Gjatë vitit që shkoi, ndërkohë, Hind Hariri, e bija e ish-kryeministrit libanez të vrarë në një atentat para pak vitesh, Rafik Hariri, ishte ajo që e kishte zhvendosur atë nga lista një vit më parë, por tanimë ai është sërish miliarderi më i ri në listën e super të pasurve.
Për sa i përket përfaqësimit të grave në listën që duhet thënë se mbizotërohet thuajse plotësisht nga burrat, bie në sy moderatorja e Talkshow-ve të famshme, Oprah Winfrey (vendi i 664 në renditje) dhe autorja e vëllimit gjithashtu shumë të famshëm për fëmijë e adoleshentë, "Harry Potter", J.K. Rowling (vendi i 891).
Po ashtu, mund të përmendet ndër gratë më të pasura në botë edhe njëra ndër aksioneret kryesore te koncerni i automobilave BMW, Susanne Klatten (me një pasuri që vlerësohet se kap shifrën e 9,6 miliardë dollarëve) dhe Johanna Quandt (6,7 miliardë dollarë).
Përgatiti: Armand Plaka
Krijoni Kontakt