Të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke, duket se kanë "shanset" për t'u kthyer në burgjet shqiptare. Kjo është kërkesa që ministri grek i Drejtësisë i ka bërë Këshillit Evropian gjatë një takimi pune
Të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke, duket se kanë "shanset" për t'u kthyer në burgjet shqiptare, të paktën kjo është kërkesa që ministri grek i Drejtësisë i ka bërë Këshillit Evropian gjatë një takimi pune. Lajmi që është një ogur i mirë për qindra të burgosur, të cilët kanë kërkuar me ngul të vijnë në Shqipëri për të vuajtur dënimin që u ka mbetur, është publikuar dje në faqen zyrtare të Ministrisë greke të Drejtësisë. Sipas burimeve zyrtare të këtij dikasterit, ministri Anastasios Papaliguras ka pasur në qendër të bisedimeve të tij me funksionarë të Këshillit Evropian, iniciativën greke sipas së cilës, të burgosurit më shtetësi të huaj në burgjet helene, të vuajnë dënimin e tyre në burgjet e shteteve të tyre. Kështu, gjatë takimit më Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terry Davis, Drejtorin e Përgjithshëm, z. Philippe Boillat si dhe me kryetarët e komisioneve të specialistëve, ministri grek analizoi hollësisht avantazhet e iniciativës greke, që ka filluar të diskutohet qysh prej vitit 2006. Në takim ai është shprehur se riintegrimi i këtyre të huajve në shoqëri do të ishte shumë më frytdhënës, nëse të burgosurit e huaj në burgjet greke do të vuajnë dënimin e tyre në burgjet e vendeve të tyre, atje ku flitet gjuha e tyre, atje ku pas lirimit krijohen edhe kushtet e përshtatshme për të gjetur menjëherë një punë të ligjshme. Ministri grek i Drejtësisë kërkoi nga funksionarët e Këshillit Evropian, të shpejtohen procedurat e diskutimit të kësaj iniciative nga komisionet përkatëse, në mënyrë që çështja të kthehet në një vendim politik brenda vitit 2007. Siç dihet, në burgjet greke vuajnë dënimin plot 3000 shqiptarë, të cilët janë shpallur fajtorë për krime të ndryshme. Të burgosurit shqiptarë në Greqi kanë kërkuar prej vitesh me ngulm që të kthehen për ta vuajtur dënimin e mbetur ne Shqipëri, pasi pretendojnë se atje nuk trajtohen si të burgosurit e tjerë, por diskriminohen, nuk kanë mundësi takimi me të afërmit, etj.
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt