Kandidaturë e prof. dr. Sadi Bexhetit me vizione për një universitet evropian
Në njërin nga amfiteatrot e Universitetit Shtetëror të Tetovës, u.d. rektori i këtij universiteti prof. dr. Sadi Bexheti, para Stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik, të mërkurën, prezantoi programin e kandidaturës për rektor të USHT-së.

Një prezantim të tillë pati edhe të enjten në amfiteatrin e Rektoratit, para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Shkencave Humane dhe Arteve, Qendrës për Studime Politeknike dhe Qendrës për arsim të lartë profesional mjekësor e infermieri. Në fjalimin e tij, prof. dr. Sadi Bexheti, tha se: “Ne jemi këtu për studentët. Ndryshimet e reja që do të bëhen do të jenë në pjesën organizative, strukturore dhe programore.Do të jemi transparentë, konkurrues, kompatibilë dhe me renome”, duke shtuar se Universiteti Shtetëror i Tetovës do të mundësojë rritjen e efikasitetit të studimeve, mobilitetin e studentëve dhe të kuadrit, cilësi më të lartë të procesit mësimor, rol aktiv të studentëve për cështjet e tyre, rritje të aktivitetit mësimor-pedagogjik dhe të aktivitetit kërkimor-shkencor.

Në vazhdim të prezantimit të tij, rektori prof. dr. Sadi Buxheti vuri në pah se synimet e institucionit të cilin e drejton do të jenë ngritja e nivelit të veprimtarisë arsimore-pedagogjike dhe asaj kërkimore-shkencore, të financimit të veprimtarisë universitare, asaj botuese dhe informative, rrjetit kompjuterik dhe sistemit të informimit, programeve studimore, potencialit të kuadrove, standardit studentor dhe bashkëpunimit ndëruniversitar, si dhe të përmirësimit cilësor të pajisjeve për zhvillimin e procesit arsimor etj. Prof. dr. Sadi Bexheti, me theks të vecantë foli edhe për potencialin e kuadrove, ku rol të rëndësishëm do të luan politika kadrovike, që konsiston me standardet evropiane dhe kontrolli i vazhdueshëm mbi cilësinë e mësimdhënies. Lidhur me veprimtarinë arsimore-pedagogjike, prof. dr. Sadi Bexheti theksoi rolin dhe rëndësinë e vecantë që do t’i japë në koncipimin dhe sjelljen e planprogrameve të reja, formave të reja tekniko-organizative të zhvillimit të mësimit, ndërsa veprimtaria kërkimore-shkencore do të bazohet në lirinë e hulumtimit në shkencë, sigurimin e infrastrukturës shkencore-hulumtuese, realizimin e projekteve shkencore-hulumtuese, themelimin e institucioneve shkencore, si dhe sigurimin e burimeve për financim të projekteve shkencore. Prof. dr. Sadi Bexheti më tej nënvizoi se do ta thellojë bashkëpunimin me universitetet më prestigjioze, do të ngrejë mobilitetin profesional dhe akademik, operacionalizimin e marrëveshjeve të nënshkruara, si dhe do të mbështesë ndihmën fakulteteve dhe qendrave për pjesëmarrje në projekte ndërkombëtare. Një pjesë e prezantimit të prof. dr. Sadi Bexheti kishte të bëjë me angazhimin në ndërtimin e konviktit për studentë, ndërtimin e mensës së studentëve, hapjen e një biblioteke, përmirësimin e jetës kulturore-artistike, si dhe gjallërimin e aktiviteteve sportive. Në planin e veprimtarinë botuese dhe informative, do të përfshihet rregullorja universitare për veprimtari botuese, mbrojtja e të drejtës së autorit, koordinimi në shkëmbimin e teksteve universitare dhe botimi i revistave në fakultete për publikime shkencore. Një temë në vete ishte edhe puna në rrjetin kompjuterik dhe sistemin informativ, për të cilët parashihet përmirësim të infrastrukturës komunikuese të rrjetit dhe ndërtimit të sistemit informativ, implementim i sistemeve informative, interneti dhe intraneti. Prof. dr. Sadi Bexheti, pas një prezantimi kaq konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të vizionit të tij për zhvillimin e mëtejmë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, që do të siguronte një vend të merituar në mesin e universiteteve evropiane, studentët e këtij universiteti kishin mundësinë që t’i parashtronin edhe disa pyetje. Një studente e Fakultetit Juridik kërkoi hollësi për numrin e të interesuarve për vazhdimin e studimeve në shkallën master, si dhe për vendin ku do të zbatohet, në USHT, apo në ndonjë universitet tjetër, nëse numri i kandidatëve të interesuar do të ishte i vogël . Prof. dr. Sadi Bexheti me përgjigje se Fakulteti Juridik nuk do të ketë problemin e mungesës së studentëve dhe se tashmë ekspertët po punojnë për zbatimin e ciklit të studimeve 3+2 në këtë universitet. Disa studentët të tjerë ishin të interesuar për hapjen e drejtimeve të reja, ndërsa prof. dr. Sadi Bexheti njoftoi se me Deklaratën e Bolonjës nuk hapen më fakultete të reja, por koha e kërkon hapjen e programeve të reja studimore.


Zyra për informim e USHT-së