Elbasan -Një nënë 29- vjeçare, e cila ka sjellë në jetë një fëmijë duke u gdhirë 8 marsi, ka pësuar tronditje të thellë, pasi fëmija i saj kishte lindur me gojë ujku. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan, ku duket se çudirat e kësaj natyre nuk paskan të sosur. Gruaja 29- vjeçe, banuese në lagjen "5 Maji" të Elbasanit, ka lindur fëmijën me anomali të pazakonta. "R.B. ka lindur pa probleme pas mesnatës, një foshnje të seksit mashkull, me gojë ujku, që në gjuhën e mjekësisë njihet me emrin "Polatium Skizus total", - bënë të ditur mjekë të maternitetit, të cilët kanë mbetur të shtangur nga foshnja e pazakontë. Sipas tyre, fëmija ka një peshë normale. Ndërkohë që raste të tilla janë shumë të rralla.
OPERACIONI
Sipas mjekëve, në vendin tonë është hera e parë që lind një foshnjë me gojë ujku. Kishin lindur më parë foshnja me anomalitete të ndryshe, me gojë të ngjitur, me gojë lepuri, etj. Mjekët e kirurgjisë estetike në spitalin e Tiranës nuk kanë bërë asnjëherë më parë një operacion të tillë, megjithatë, bluzat e bardha në Elbasan pohojnë se foshnja e sapolindur do t'i nënshtrohet një operacioni tejet të vështirë në spitalin e Tiranës.
NENA
Nëna që e solli në jetë foshnjën, është shokuar nga defektet që kishte i sapolinduri. Mjekët kanë vendosur që ajo të mos e shohë për momentin krijesën që ka sjellë vetë në jetë. "Pamja jonormale e foshnjës me gojë ujku, mund t'i shkaktonte tronditje me pasoja 29-vjeçares, prandaj u vendos që foshnja të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor thanë burime nga Materniteti i Elbasanit. Sipas mjekëve, një rast i tillë anormal nuk mund të kuptohet lehtë gjatë shtatzënisë. Më herët se tre muaj, ai nuk mund të konstatohet kurrë. Më i mundur një rast i tillë mund të zbulohet në muajin e gjashtë të shtatzënisë. "Shkaku që mund të çojë në një lindje kaq të pazakontë, është kalimi i virozës gjatë 3 muajve të parë të shtatzënisë", - theksojnë mjekët obsetriko-gjinekologë. Foshnja do të dërgohet për t'u parë nga specialistët më të mirë të kirurgjisë estetike në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në kryeqytet, të cilët pritet të realizojnë edhe operacionin e rrallë.
Fatmir Popja/ Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt