Tiranë, e ëma i kishte lënë vetëm në shtëpi. As fqinjët nuk i shpëtuan dot
Nuk ankoheshin kur mbeteshin pa ngrënë, as kur kishin të ftohtë, pasi nuk kishin rroba për t‘u veshur, pavarësisht se ishin veç 13 dhe 15 vjeç. Nuk kishin frikë as kur i linin vetëm në shtëpi, por nuk e kishin menduar se një ditë do të kërkonin ndihmë, e ajo do t‘iu vinte pasi të digjeshin brenda në shtëpi. Tragjedia ka ndodhur në lagjen "Vrapaj", në pikën më të lartë të fshatit Kodër-Sharrë të Tiranës. Dy fëmijë, Klezarti 15 vjeç dhe Renato 13 vjeç, të bijtë e Sotiraq Prendit, kanë gjetur vdekjen nga flakët që kanë shkrumbuar banesën e tyre. Nëna me vëllain e vogël të tyre, Edisonin 2-vjeçar, kishte shkuar te dajat për një vizitë dhe u kishte thënë të rrinin brenda. Edhe të atin me vëllain e madh nuk i kishin aty, sepse ata kanë emigruar prej kohësh në Greqi, që të sigurojnë bukën e gojës. Ata kishin mbetur vetëm në mes të dy dhomave në një banesë njëkatëshe, që dallon nga të tjerat për shkak të ndërtimit të vjetër. Ashtu ka qenë edhe rrjeti elektrik, që ka sjellë gjëmën në familjen Prendi. Një shkëndijë elektrike ka shkrumbuar të gjithë shtëpinë, e bashkë me të, ka shuar edhe jetën e dy fëmijëve. Zjarri ka rënë në korridorin që ndante dy dhomat, duke bllokuar daljen. Ndërsa fëmijët, në një krevat të vjetër, ishin shtrirë për të fjetur. Ora e zezë shënonte 21:00, kur Klezarti ka ndjerë tymin dhe ka zgjuar Renaton. Të dy bashkë kanë dalë në dritare dhe duke qarë, kanë thirrur me zë të lartë fjalën "ndihmë". Por, është dashur rreth gjysmë ore që dikush t‘i dëgjonte e të jepte alarmin për t‘i ndihmuar. Të dy, në dritare, teksa kurrizi i tyre digjej nga nxehtësia, prisnin që dikush t‘i nxirrte jashtë. Por, kangjellat nuk i lejonin banorët që t‘i nxirrnin jashtë. Policia e kishte shumë të vështirë për të shkuar në vendin e ngjarjes, pavarësisht se ishin njoftuar për zjarrin që kishte rënë. Pas një sërë përpjekjesh, banorët i kanë nxjerrë dy fëmijët jashtë dhe i kanë futur në një shtëpi. "Dua ujë". Këto kanë qenë fjalët që ata përsërisnin herë pas here, teksa dirgjeshin nga dhimbjet në trup. Më në fund, banorët janë nisur bashkë me fëmijët për të arritur poshtë lagjes, atje ku i priste ambulanca, policia dhe zjarrfikësit. Gjysmën e rrugës, fëmijët e kanë bërë në këmbë. Por, aty janë dorëzuar. Dhimbjet nuk i kanë lejuar të ecnin më. Me dy batanije i kanë marrë dhe i kanë dërguar tek ambulanca. Makina është nisur me shpejtësi për në spital, por fati nuk ka qenë me dy të miturit, që ata të jetonin. Makina ka mbetur e bllokuar në rrugë e fëmijët janë vonuar edhe më shumë për të marrë ndihmën mjekësore. "Ju lutem, na çoni në spital", kanë qenë fjalët e Klezartit, ndërsa vëllai i tij nuk po fliste më, sepse kishte mbetur pa ndjenja. Ata kanë mbërritur në spital vetëm pas dy orë e gjysmë. Rreth orës 23:30 fëmijët janë shtruar në repartin e djegieve, por ka qenë shumë vonë. Me gjithë ndihmën e mjekëve, ata janë shuar dalëngadalë. Me fjalët "mos e lini të vdesë vëllain tim", 15-vjeçari ka parë vdekjen e Renatos dhe më pas është ndarë nga jeta edhe ai.
Varrimi
Lamtumira e fundit e babait të viktimave
Pas lajmit të kobshëm që i është dhënë në telefon, babai i dy të miturve është nisur nga Greqia bashkë me djalin tjetër dhe paraditen e djeshme kanë mbërritur në Tiranë. Ata kanë ardhur për t‘u dhënë lamtumirën e fundit dy fëmijëve, bashkë me të gjithë banorët e fshatit. Ceremonia mortore është bërë në banesën e dajës së viktimave, pasi shtëpia e tyre ishte shkrumbuar, ku tashmë, veç skamjes, kjo familje do të vuajë edhe vdekjen e dy fëmijëve 13 dhe 15 vjeç.
I moshuari Xhepa: Si u mundova të shpëtoj jetën e dy fëmijëve
Plaku Shaban Xhepa ka rrëfyer dje me lot në sy se si ishte munduar të shpëtonte dy fëmijët e kushërirës së tij. Ai tregon se fillimisht zjarrin e kishte parë vajza e tij dhe më pas kishin gjetur dy fëmijët që nuk dilnin dot nga dritarja me kangjella. "Po shikonim televizor, kur vajza vuri re zjarrin dhe ne vrapuam për në banesë, ku ndodheshin fëmijët. Kur mbërrita aty, pashë që ata kishin dalë në dritare dhe kërkonin ndihmë", thotë Xhepa, ndërsa shpeshherë heq syzet për të fshirë lotët nga dhimbja e madhe për ta. Më tej, ai rrëfen se kishte marrë një hekur dhe me të kishte tentuar të hiqte kangjellat e dritares. "Derisa i nxorëm fëmijët, nuk e dinim se ata kishin marrë djegie në të gjithë kurrizin. Kur i pamë, lëkura u kishte rënë dhe i futëm në shtëpi. Kërkonin vetëm ujë, ndërsa njoftuam të ëmën e tyre që ndodhej në një banesë poshtë lagjes, te vëllai i saj. Ndërsa të atin e kanë emigrant në Greqi dhe ka ardhur sot për t‘u dhënë lamtumirën e fundit", thotë i moshuari. Ai rrëfen se familja Prendi ka qenë e qetë, e varfër dhe punëtore. "Klezarti donte të ikte në Greqi, të bashkohej me vëllain dhe babanë, por kishin rreth 20 dhi, me të cilët ushqeheshin dhe nuk kishin se kush të kujdesej për to. E kështu, ai i kulloste dhe i ruante. Ndërsa i vogli, Renato, ishte në shkollë. Mësonte shumë mirë, por kështu e paska pasur fati i tij", tregon për jetën e tyre Shabani. Ai thotë se fëmijët ishin në gjendje të ecnin dhe nuk ua merrte mendja se do të vdisnin. "Është e pashpjegueshme. Kur po zbrisnim për tek ambulanca, pasi mjekët dhe policët nuk ngjiteshin dot lart me makina, një copë rrugë ecnin vetë. Më pas i mbështollëm me batanije dhe i zbritëm poshtë. Fëmijët prisnin vetëm që dikush t‘i ndihmonte, por këtë nuk e bëmë dot. I dërguam në spital, por shumë vonë. Faji është i të gjithëve. Nuk e meritonin të vdisnin. Po t‘i kishim ndihmuar më shpejt, tashmë do të ishin gjallë", mundohet të japë shpjegime plaku, i cili tregon se është pjesë e fisit të tyre nga ana e nënës. "Vetëm me mua donin të flisnin. I shoqërova deri në spital dhe u mundova t‘i mbaja në jetë. Mjekët na treguan se gjendja e tyre ishte e rëndë, por ora e tyre erdhi në mëngjes, kur ata u ndanë nga jeta". Ble. Gi.
Plagoset polici, po shtynte ambulancën
Në momentin që banorët kanë zbritur dy fëmijët e djegur nga kodra ku ishte shtëpia, një punonjës policie ka mbetur i plagosur. Dëshmitarët kanë rrëfyer se pasi fëmijët hipën në ambulancë, ajo mbeti e bllokuar në rrugë. "Ne u detyruam të shtyjmë ambulancën që të çonim fëmijët në spital, e bashkë me ne, edhe policët. Madje, një prej tyre theu xhamin, që të kishim vend ku të vendosnim duart për të shtyrë makinën. Por, në atë kohë, ai plagosi krahun dhe filloi t‘i rridhte shumë gjak", rrëfejnë banorët. Nga ana tjetër, policia konfirmoi zyrtarisht se gjatë ndërhyrjes së operacionit të shpëtimit për nxjerrjen nga banesa të fëmijëve, është dëmtuar edhe punonjësi i policisë, Ruzhdi Dedja. Edhe ky, pas ndihmës së dhënë ndaj fëmijëve, është dërguar urgjentisht për në Spitalin Ushtarak, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia: Po hetojmë këtë tragjedi të rëndë
Policia ka deklaruar dje se ishte përpjekur që të shpëtonte fëmijët, por nuk ia kishte arritur për shkak të terrenit të keq. Sipas të dhënave zyrtare, në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore, shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimi shëndetësor, ku është bërë menjëherë kufizimi i vendit të ngjarjes dhe marrja e masave të sigurisë të zonës përreth. "Shërbimet zjarrfikëse, së bashku me ato policore, kanë përshkruar në këmbë rrugën për në banesë, pasi terreni tepër i vështirë nuk lejonte kalimin e automjeteve", tha policia. Sipas tyre, gjatë çastit të rënies së zjarrit, prindërit e dy të miturve nuk kanë qenë në banesë. "Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa po punohet më tej për dokumentimin e ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të plota të shkakut të rënies së zjarrit", përfundoi policia.
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt