Filmi shqiptar, 3 ditë në Bristol

Prestigjiozja britanike "The Guardian", revista kinematografike "Empire", interesim për aktivitetin. Prodhimet e viteve të fundit në kinemanë shqiptare do të shfaqen për publikun anglez

Nga Londra
Muhamed Veliu

Prodhimet më të suksesshme gjatë viteve të fundit të kinematografisë shqiptare për tri ditë do të shfaqen në qytetin e Bristolit në Angli. Ky eveniment është pagëzuar me emrin "Sezoni i filmit shqiptar". Gjashtë filma prodhuar nga kineastët shqiptarë për herë të parë në 16,17 dhe 18 mars do të projektohen në kinemanë "Watershed" në rrugën "Cannos". Stafi i kësaj kinemaje ku shpeshherë organizohen evenimente të tilla me filma nga e gjithë bota shprehen të lumtur që për herë të parë do të shfaqin filma shqiptarë. Ata shprehen se dinë shumë pak për kinematografinë shqiptare dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për të ndjekur realizimet e kësaj kinemaje. Marc Cosgrove, drejtor i programacionit në këtë kinema, pasi bën vlerësimin e tij pozitiv për kinemanë shqiptare shprehet se ajo nuk është prezantuar ashtu siç duhet në Perëndim. "Në pesë vitet e fundit subjekti, drejtimi kinematografik i filmit shqiptar prodhuar në këtë vend, vijnë fuqishëm dhe duhet të shikohen nga publiku. Nata e parë e "Sezonit të filmit shqiptar" në këtë qytet jugperëndimor të Anglisë do të hapet me filmin e Fatmir Kocit "Tirana Viti Zero". Filmat "I dashur armik" dhe "Parullat" nga Gjergj Xhuvani, do të shfaqen ditën e dytë, ku më pas do t‘i lihet radha bashkëbisedimit rreth tyre mes publikut dhe regjisorëve. "Vdekja e kalit", realizuar nga Saimir Kumbaro do të mbyllë ditët e filmit shqiptar në Bristol. Aktiviteti organizohet falë një bashkëpunimi të kinemasë "Watershed" me Fakultetin e Arteve në Universitetin e Bristolit, "Alumni Association" dhe Ministrinë shqiptare të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


Kadia, nismëtari i këtij aktiviteti

Arbër Kadia është njeriu i cili që prej kohës e kishte ëndërr sjelljen e filmit shqiptar në Bristol. Ai ndihet i lumtur që kjo ëndërr është drejt bërjes realitet.
"E nisa këtë projekt me dëshirën e mirë të njohjes së filmit shqiptar për publikun e jugperëndimit të Britanisë dhe shfaqjen e tij si i barabartë me kinemanë e pavarur evropiane dhe jo si një dukuri e veçantë që hapësirën në festivale e fiton vetëm se është ndryshe dhe e çuditshme", thotë ai gjatë një interviste për "Shqip". I pyetur se si lindi ideja për ta sjellë filmin shqiptar në Bristol ai përgjigjet". "Krahas dëshirës time të kahershme, ideja mori spunto nga bashkëbisedimet me dr. Derek Dunkan pedagog italishteje dhe njohës i filmit evropian në përgjithësi.
Duke pasur parasysh sezonin e filmit të zhvilluar ne Londër organizuar me sukses nga zoti Shpëtim Alimeta në kinemanë "River side Studios", vendosëm që t‘ia prezantonim këtë aktivitet publikut në jugperëndimit të Britanisë që për shkak të pozicionit gjeografik është gjithnjë një hap pas Londrës. Gjithashtu, kjo u bë e mundur dhe shumë e thjeshtë prej faktit se filmat që do të shfaqen janë të një cilësie të lartë. "Sloganet", "Tirana Viti 0" dhe "I dashur armik" mund të shikohen edhe nga një publik joshqiptar dhe të vlerësohen në një dimension pa kufij kombësie". Duket se gjithçka po shkon mirë në lidhje me anën organizative. Arbri, i cili ka kryer studimet në Universitetin e Bristolit për Histori Arti dhe Italisht, thotë se është dashur goxha punë për realizimin e gjithçkaje. Energjik, tejet pasionant pas artit veçanërisht kinematografisë, sikurse babai i tij, Iliri, korrespondent i kahershëm i BBC në shqip, tregon se nuk ka qenë e lehtë, pasi çdo gjë duhet koordinuar dhe përgatitur me detaje. Ai kërkon të mos kënaqet vetëm me shfaqjen e filmave dhe kjo të jetë një mision i kompletuar.
Ai thotë: "Tani jemi në fazën përfundimtare. Gjithçka është gati për të startuar. Gazeta "The Guardian" dhe revista "Empire" na kanë kontaktuar për të ditur më shumë në lidhje me aktivitetin".
Sipas tij, interesimi i medias është diçka pozitive dhe me vlerë, pasi kësaj radhe gazetarëve britanikë do t‘u jepet mundësia të shkruajnë për mirë për Shqipërinë, pasi sa herë që shkruajnë, tendenca është për lajme negative.
Kadia sqaron se përveç shfaqjes së filmave do të organizohet një seminar i shkurtër për të interesuarit, ku në panel do të jenë Gjergj dhe Luiza Xhuvani, si dhe gazetari Roland Sejko. Gjithashtu, do të këtë edhe të ftuar nga Universiteti i Bristolit.