Spanjë, superaksion në 6 qytete për hajdutët e vilave të luksit


Arrestohen në disa qytete të Spanjës rreth 200 shqiptarë, të akuzuar për grabitje të dhunshme banesash.


Operacioni i zhvilluar prej disa ditësh në shkallë të gjerë në gjashtë qytetet kryesore të Spanjës, ka arritur të arrestojë autorët e dhjetëra grabitjeve që janë bërë në apartamente dhe vila private. Bashkë me arrestimin e personave të kërkuar policia ka arritur të sekuestrojë qindra materiale, të cilat përdoreshin nga grabitësit për të neutralizuar sistemet e alarmit të banesave dhe vilave. Një sasi e konsiderueshme bizhuterish, parash dhe sendesh të tjera të çmuara, që ishin grabitur vitet e fundit në banesa dhe vila të ndryshme të Spanjës, tashmë është sekuestruar nga policia. Pjesa më e madhe e sendeve të vjedhura janë gjetur të fshehura nëpër male, pasi policia kishte informacione operative se grabitësit i strehonin aty sendet e vjedhura, deri në kohën kur krijohej mundësia për t’i transportuar ato ilegalisht drejt Ballkanit. Lajmi është publikuar nga agjencia spanjolle e lajmeve “Las Provincias”, e cila u referohet dhjetëra raportimeve të bëra nga mediat vendase, të cilat e cilësojnë operacionin e policisë si një nga më të suksesshmit të zhvilluar ndonjëherë në Spanjë, kundër krimit të organizuar. Siç bëjnë të ditur mediat spanjolle pjesa më e madhe e të arrestuarve janë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.

Hetimi
Operacioni i zhvilluar ditët e fundit në Spanjë ka vënë në një pozitë të vështirë komunitetin shqiptar atje. Mediat kanë raportuar se grupet e grabitësve shqiptarë shpeshherë kanë qenë të ashpër dhe të dhunshëm me pronarët dhe banorët e apartamenteve dhe vilave që kanë bastisur. Hetimet për grupet e grabitësve mësohet se kanë filluar në muajin prill të vitit të kaluar, kur janë arrestuar anëtarët e parë të organizatës, e cila vepronte në qytetet kryesore të Spanjës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë spanjolle, Joan Mesquida, ka konfirmuar arrestimin e të paktën 150 personave me kombësi shqiptare, të akuzuar për dhjetëra grabitje në të gjithë Spanjën. Sipas mediave vendase, grabitësit kishin arritur një nivel evropian organizimi në veprimtarinë e tyre kriminale. Pjesa më e madhe e grabitjeve, ku më pas janë bërë edhe arrestimet kanë ndodhur në qytetet Madrid, Barcelonë, Cantabria dhe Pavs Vasco. Gjatë arrestimeve në këto qytete janë sekuestruar armë, dokumente false, pasaporta dhe pajisje për hapje të dyerve të banesave e makinave, që përdoreshin nga të arrestuarit. Ata janë bërë objekt i policisë që në momentin kur shkuan të grabisin një vilë, që i përkiste një firme floriri të quajtur “TOUS”. Mediat spanjolle kanë thënë se operacioni i filluar të martën po vazhdon, ndërsa po merren në pyetje në hetuesi të gjithë personat e arrestuar.



Dyshime për trafik floriri me vendin tonë
“Bizhuteritë e grabitura trafikoheshin në Shqipëri”


SPANJE – Bizhuteritë dhe sendet tjera me vlerë, pasi grabiteshin në Spanjë grumbulloheshin në male ose në vendbanimet e shqiptarëve të arrestuar. Në periudha të ndryshme kohore, përmes bashkëpunëtorëve të tyre, grabitësit dyshohet se i kanë trafikuar ilegalisht nga Spanja shumat e parave të vjedhura, bizhuteritë dhe sendet tjera të vlefshme. Sipas mediave spanjolle hetimet e policisë kanë mësuar se një pjesë e mirë e sendeve dhe parave të grabitura në vilat e luksit në Spanjë, kanë mbërritur në rrugë ilegale në Shqipëri. Më pas nuk dihet çfarë ka ndodhur. Ka dyshime se bizhuteritë janë hedhur në tregun e zi dhe janë shitur me gjysmën e vlerës së tyre, por ekziston mundësia që zinxhiri i trafikut të ketë vazhduar edhe në vende të tjera, ku fuqia blerëse për artikuj të tillë është më e madhe. Pavarësisht se hetuesit spanjollë kanë gjetur tashmë lidhje mes të arrestuarve dhe një bashkëpunimi të tyre me persona që kanë trafikuar bizhuteritë në Shqipëri, policia e vendit tonë dje ende nuk kishte marrë një lajmërim për operacionin. Burime të Ministrisë së Brendshme, thanë se nuk kanë marrë ndonjë informacion apo konfirmim nga pala spanjolle për arrestimin e 200 shqiptarëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria.


Tema