Një grindje me komshiun që bën zhurmë kur ti do të pushosh, një krizë nervash në trafik, një vonesë autobusi që të acaron: kurrë më shumë sesa sa sot nuk është vënë në provë të vështirë bashkëjetesa sociale, që shpesh na bën të harrojmë mënyrat e mira të sjelljes në emër të mbijetesës së zhurmshme dhe stresante. Kanë ndryshuar zakonet dhe fjalët me të cilat shprehemi, pasi thuhet se po jetojmë në kohët moderne, e padyshim që kjo risi reflektohet edhe në gjetjen e mënyrave të reja të sjelljes për të merituar titullin “xhentil”. Po çfarë ka ndryshuar konkretisht? Ka ndryshuar koncepti mbi marrëdhëniet interpersonale, mënyra e komunikimit, zakonet dhe ritet e përditshme. Dhe për pasojë kanë ndryshuar edhe fjalët me të cilat shoqërojmë veprimet tona. Dihet që gjuha është dinamike dhe mjaft fjalë kanë pasur një fat të trishtuar. Përdorimi i tyre filloi pak nga pak të këmbehet me fjalë alternative dhe mjaft prej tyre u zhdukën nga qarkullimi, gjithmonë të përligjura nga fakti se tashmë jemi më modernë, më kontemporanë. Pra, siç shihet, edhe fjalori në një farë mënyre ka filluar të ndjekë modën me të gjitha tendencat dhe sfumaturat e saj. Por në përgjithësi për atë që di të përdorë fjalët me inteligjencë në funksion të sjelljes, modifikimi dhe rafinimi i mënyrës së të sjellurit dhe të folurit, është pozitiv. Të jesh i sjellshëm do të thotë të dish të rrish me të tjerët dhe t’ju imponohesh atyre me elegancë.

Bëhet fjalë për ato përkujdesje të vogla që të ndihmojnë të relacionosh më me lehtësi me të tjerët, ta bësh më të thjeshtë të qëndruarit me ta. Vetëm nëpërmjet sjelljes së mirë ne do të arrijmë të përcjellim tek të tjerët një imazh pozitiv edhe nëse njohja nuk është e thellë. Njeriu i sjellshëm ka një siguri të brendshme që e ndihmon të kalojë me qetësi nëpër vështirësitë që jeta të vë përpara, pa u ndjerë inferior përballë askujt. Sot ka një kontradiktë të madhe mes brezash pasi më të mëdhenjtë kritikojnë më të rinjtë se nuk i kanë shumë evidente mënyrat xhentile të sjelljes. Lind pyetja: a ka një formulë magjike që përcakton përfundimisht e për të gjithë kodin e sjelljes që iu pëlqen të mëdhenjve të vegjëlve dhe nëse po cili është ai? Çfarë do të thotë pra të jesh i sjellshëm, xhentil, i pëlqyer në kohët e sotme? E megjithatë edhe sot funksionon akoma shprehja “mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje që të ta bënin ty”. Le të flasim pra në forumin tonë për këtë problem social dhe mjaft të prekshëm për të gjithë ne.