Shqipëria, megjithëse një vend i vogël, përmendet si një nga destinacionet e preferuara të pastrimit të parave.

Pastrimi i parave, është një fenomen shqetësues për gjithë globin që po zhvillohet edhe nga ana teknologjike, duke pasur parasysh ligjet dhe masat, që janë ndërmarrë për frenimin e tyre. Në një artikull të shkruar në TheConservativeVoice.com nga kolumnisti i njohur Sam Vaknin, i cili ka shërbyer edhe si këshilltar ekonomik i qeverisë së Maqedonisë deri në vitin 2002, flitet për evoluimin e formave të pastrimit të parave në botë, duke përmendur këtu edhe Shqipërinë, si një destinacion të preferuar të pastrimit të parave.

Sipas artikullit, vendet e Europës Lindore si; Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Bjellorusia, Ukraina dhe Shqipëria janë targete natyrale të krimit të organizuar, i cili është në procesin e vendosjes së një sistemi alternativ bankar, për t’i shmangur autoriteteve hetimore. Kjo bëhet nëpërmjet blerjes së licencave të bankave në këto vende me kudër rregullator të dobët, ekonomi me informalitet të lartë të parasë, politikanë të korruptuar dhe një infrastrukturë të arsyeshme.

Megjithatë më shqetësues është fenomeni i kalimit gradual të pastrimit të parave nëpërmjet shërbimeve të internetit. Kazinotë online dhe bastet online janë një mënyrë e sofistikuar për të pastruar paratë, pasi është shumë i vështirë gjurmimi, dhe identifikimi i burimeve të parasë. Faktikisht fenomeni i basteve online të futbollit, është shënjestruar edhe nga Shoqata e lotarive dhe basteve shqiptare, si një biznes i paligjshëm dhe i pakontrolluar nga shteti, ku po qarkullohen shuma të mëdha financiare.

A1 TELEVISION