SHKODËR – Besoj se do të shënohej në librin e rekordeve Gines. 600 fëmijë që nga klasa e parë deri në të nëntën zhvillojnë procesin mësimor përgjatë gjithë ditës në vetëm katër klasa. Kjo për shkak se katër muaj më parë është djegur pjesa më e madhe e shkollës 9- vjeçare në fshatin Trush të rrethit të Shkodrës, e cila, akoma nuk është riparuar. Më 11 nëntor të vitit të kaluar, u dogj njëri prej mjediseve të shkollës së fshatit Trush, pikërisht ai që kishtenumrin më të madh të klasave. Sipas vlerësimit të dëmeve, janë 8 të tilla, ndërsa, falë ndërhyrjes së skuadrës zjarrfikëse, u arriti të shpëtohej pjesatjetër e godinës, ku ndodheshin 4 klasa.

Problemi

Rreth 600 nxënës të këtij fshati, edhe para djegies së shkollës, mësonin me dy turne, ndërsa pas shkrumbimit të 2/3 të mjediseve të saja, fëmijët mësojnë tashmë me katër turne dhe në kushte tejet të vështira. Kjo pasi vetëm katër klasa të objektit tjetër e kanë të pamundur të përballojnë zhvillimin e mësimit për të gjithë nxënësit. Janë 27 mësues dhe rreth 600 nxënës që rrinë në pritje të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, ndërsa mësimi zhvillohet në dy turne paradite e dy pasdite. Kështu nga ora 8 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes zhvillojnë mësim klasat e pesta e të gjashta, duke u bashkuar ato. Nga ora 10 deri 12.45 zhvillojnë mësim klasat e shtata e të teta. Nga ora 13 deri 15 mësimi në katër mjediset e vetme të shkollës bëhet nga klasa e parë dhe e dytë e ciklit të ulët, ndërsa nga ora 15.00 - 17.45 këtu bëjnë mësim klasat e treta e të katërta. "Kur nuk ka diell, situata bëhet dhe më e vështirë, - thonë mësues të ciklit të ulët, që zhvillojnë mësim pasdite. Banorët e Trushit shprehen të pakënaqur që dhe pas katër muajsh shkolla e djegur, akoma nuk është rindërtuar.


Shqetësimi

Nuk ka as banka dhe as karrige sepse të gjitha pajisjet janë djegur. Mësimi zhvillohet formalisht sepse as mësuesit dhe as nxënësit nuk kanë se çfarë të bëjnë. As komuna e as shteti nuk marrin masa për të gjetur një mjedis tjetër dhe për të riparuar mjediset e shkatërruara. "Djegia e shkollës ka krijuar një situatë ku shteti duhet të ndërhynte për riparimin e saj me fonde emergjence, dhe jo të bëjë sehir siç po bën", - shprehen banorëtë këtij fshati. Njëri prej tyre, Arben Mani, shton se "fëmijët më shumë nuk shkojnë në shkollë pasi është e pamundur të rrinë në një klasë 70 persona. "Këtu është e domosdoshme të ketë shkollë të mesme, pasi fshati ynë është ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe jo larg qytetit, por, këtu është djegur shkolla dhe askush nuk vë dorë në të", - thotë Mani, i cili kërkon nga shteti që të ndërhyjë sa më shpejt për rregullimin e mjediseve shkollore. Banorët shtojnë se kur të rindërtohet shkolla ajo nuk duhet bërë me tavan kartoni, siç ishte e mëparshme. Sipas tyre, ndërtimi me material kartoni është bërë shkak që të digjet shkolla. Llampat ndriçuese të ndezura kanë lëshuar nxehtësi, dhe më pas gjithçka është përfshirë nga flakët rreth orës 04 të mëngjesit të 11 nëntorit të vitit të kaluar.Shkolla e djegur ka qenë një shtëpi banimi e vitit 1901 që ishte rikonstruktuar disa herë. Në fillim të viteve 80-të u pat ndërtuar edhe një objekt shtesë pasi u rrit numri i nxënësve, dhe është pikërisht ky që ka shpëtuar nga djegia dhe në katër klasat e të cilit zhvillojnë mësimin me turne, 22 klasat e kësaj shkolle. Pas rikonstruksionit të fundit që është bërë në vitin 2002 me financimin e COSPE, u realizua edhe lidhja e dy objekteve me një çati të përbashkët, ndërtuar tërësisht e re.




Reagimi

Kryetari i Komunës

"Kemi kërkuar ndihmën e qeverisë"

Banorët e këtij fshati, përfshirë edhe drejtuesit lokalë, i kanë kthyer sytë nga qeveria. Sipas kryetarit të komunës së Berdicës, Qamil Xhurreta, "janë duke u bërë përpjekje për të siguruar financim për rindërtimin e shkollës së djegur. "Janë dërguar disa kërkesa zyrtare nga komuna në drejtim të dikasterit të arsimit, kryeministrisë etj. E fundit është dërguar me 7 mars dhe ka numër protokolli 826", thotë Xhurreta, duke shtuar se është "në dijeni edhe deputetja e zonës Jozefina Topalli dhe kryeministri Berisha". "Premtime kemi nga shteti, shpresat janë të mëdha, por nuk mund të them se kur do të bëhet e mundur që të riparohet shkolla apo të ndërtohet e re pasi nuk na është thënë ndonjë afat apo datë", - thotë kryekomunari. "Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt, pasi dhe ne jemi të interesuar drejtpërdrejtë për këtë", - përfundon kryetari i komunës së Berdicës, njëkohësisht dhe banor i fshatit Trush.

Anila Dushi/ Shekulli
----------------------------------------------------------------------------------------