Njeriu nuk jeton vetëm prej buke!
Me të Mërkurën e Përhime që kemi kremtuar të mërkurën e kaluar, Kisha katolike ka filluar kohën e Kreshmeve, kohë e fortë për popullin e krishterë që është i thirrur të rizbulojë fenë e vet, e përmes veprave pendestare të agjërimit, të lutjes e të Dashurisë (bamirësisë), është i thirrur të kremtojë me shpirt të ripërtërirë Misterin Pashkor që është gjithmonë preludi i Pashkës së amshuar. Kështu pra kemi filluar një rrugëtim apo udhëtim të ri shpirtëror drejt pashkëve, një udhë që karakterizohet nga kthimi ynë i vazhdueshëm dhe i përditshëm tek Zoti. Kjo do të mund të ndodhë nëse do të dijmë të ballafaqohemi kurdoherë me fjalën e Zotit, sikur pohojnë edhe Leximet biblike të kësaj të diele të Parë të Kreshmeve që trajtojnë temën e fesë e të sprovës së fesë.
Kjo kohë pendestare prej dyzetë ditësh na përkujton jo vetëm 40 vitet e popullit të Izraelit në udhëtim përmes shkretëtirës për të mbërrijë tokën e premtuar, por sidomos na përkujton e tërheq vëmendjen tek dyzetë ditët që Jezusi i kaloi në shkretëtirë para se të fillonte misionin e tij publikisht; ku Ai tundohet nga djalli, ashtu siç na kujton e përshkruan pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Luka (krh Lk 4,1-13).
Për të qenë edhe më sakt, duhet ti referohemi lutjes së Prefacionit të kësaj së diele të Parë të Kreshmeve e cila lutje pohon se kjo kohë pendestare qe themeluar prej vetë Jezusit: " Ai e shuguroi themelimin e kohës pendestare me agjërim prej dyzetë ditësh, e duke i fituar e mposhtur pritat e tunduesit të Vjetër, na mësoi ti mbizotërojmë (sundojmë) tundimet e mëkatit, në mënyrë që ta kremtojmë me shpirt të ripërtërirë misterin pashkor për të mundur t'ia arrijmë Pashkës së Përjetshme" .
Në heshtjen e zemrës sonë Zoti na flet; fuqia e tij na ndihmon ti kapërcejmë tundimet dhe të jemi kurdoherë në harmoni, në sinptoni me të.
Në kremtimin e Liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele ne edhe një herë e jetojmë sakramentalisht fitoren e Jezusit mbi djallin e mallkuar. Krishti qe shtyer prej Shpritit të Shenjtë në shkretëtirë ku, pas dyzetë ditësh agjërimi qe tunduar prej djallit. Në atë moment sprove, forca e tij e vetme ishte fjala e Zotit, dmth vetë Zoti, që banonte në të (Ungjilli).
Liturgjia e Fjalës e dy të dielave të para të Kreshmeve vëjnë para vëmendjes së asamblesë kristiane modelin e njeriut të ri që është Krishti: sot i krishteri e kundron qartë cakun drejt të cilit orijenton udha e kohës së kreshmeve, dmth fitorja mbi mëkat e mbi të keqën.
Tundimet që Jezusi përjetoi në shkretëtirë, për të cilat flet pjesa e ungjillit e kësaj së diele, përmbledhin mashtrimet e mëdha të jetës sonë. "Tundimet e mëdha, tundimet e vërteta, nuk janë ato për cilat shqetësohet apo ndjek me ankth një lloj kristianizmi moralist, nuk janë ato që do ti prisnim e paramendonim, ato, për shembull, që kanë të bëjnë me sferën seksuale, por janë ato që synojnë ta shkatërrojnë fenë" (O. Clément).
Tundimi i parë është ai i zëvendësimit të Zotit, e i zëvendësimit me sende: "Thuaji këtyre gurëve të bëhën bukë, kjo është jeta, nuk ka tjetër".
Tundimi i majes së tempullit e shkatërron fenë duke imituar fenë: "Kërkoi Zotit një mrekulli". E kjo të duket gjëja maksimale e fesë e në realitet përkundrazi është karikatur e fesë, është mos besimi në Zotin. Të kërkosh mrekulli nga Zotit është kërkim i avantazhit apo dobisë personale, jo imbështetjes në dashurinë e Zotit por në dashurinë për veten deri në çmenduri (marrëzi).
Tendimi i pushtetit thotë: "Merre pushtetin porsi zotin tënd e do të kesh pushtetin e botës. Braktise atë Zot që të varfërit do ti bëjë princa të mbretërisë së vet, e prej një fëmije e bën më të madhin në mbretërin e vet, atë Zot që ka ardhur për të sherbyer, mikun e publikanëve, të mëkatarëve dhe të prostitutave. Harroje këtë Zot që nuk hyjnë në pallatet e të pushtetarëve përveç si robë i zënë, që nuk ka krijuar kurrë ndonjë ushtri, po që don ta pushtojë botën me dashurinë e çmendurinë e kryqit".
Kuptimi i thellë që i bashkon dhe lidhë të tri tundimet është sulmi frontal ndaj fesë në Zotin që Jezusi kumton. E të gabohesh mbi Zotin është gjëja më e keqe që mund të të ndodh. Këte e shohim me fundamentalistët fetar e në gëzimin e tyre që provojnë duke shkaktuar vdekjen e të tjerëve me vdekjen personale.
Të gabohesh mbi Zotin sjell në dashuri përmes vdekjes. E ky është fundi i njeriut. Kuptimi i thellë i tundimeve na sjell tek urdhëri suprem i dashurisë së Zotit, i cili për shpëtimin e njerëzimit flijon veten me dashuri. Zoti e dhuron veten për ruajtur e shpëtuar jetën e tjerëve.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na tregon dhe paraqet Jezusin porsi njeriun e ri që fiton mbi të keqin e të keqën sepse është i udhëhequr prej Shpirtit Shenjtë Zot. Atë çfarë Jezusi ka bërë është shembull edhe për ne në mënyrë që ti ndjekim gjurmët e tija. Ne e dijmë se jeta e njeriut mbi tokë është një jetë plotë tundime e shpesh edhe plotë mëkate, e megjithëkëtë Zoti kurrë nuk e braktisë njeriun sepse e do. Për këte liturgjia na propozon udhën e kthimit shpirtëror e njëkohësisht rastin për përforcimin e fesë sonë në Zotin Dashuri, në mënyrë që mund të arrijmë të përgatitur për të kremtuar Pashkën e Zotërisë Jezu Krisht.
Krijoni Kontakt