Burgoset gazetari i rremë shqiptar
Xhelollari përdhunonte në Londër vajza të reja përmes mashtrimit
Nga Londra/Muhamed Veliu
Një shqiptar në Londër, të cilin prokuroria britanike e cilësoi si një monstër, që mashtronte femrat duke i premtuar punë dhe pastaj i përdhunonte, është dënuar me 9 vjet burg. Por ai do ta fitojë lirinë jo pas kryerjes së këtij dënimi, vetëm atëherë kur një komision juridik do të vendosë nëse ai nuk përbën rrezik për shoqërinë. Vetëm 27 minuta kohë ka mjaftuar për një juri në gjykatën "Harroë Croën Court" në Londër të gjente fajtor për përdhunimin e një shtetaseje izraelite Jetmir Xhelollarin 34 vjeç me origjinë nga Shkodra. Ai i premtoi punë dhe akomodim viktimës, duke e mashtruar se ishte drejtor i një firme sigurie. Gjatë procesit, Xhelollari nuk i pranoi akuzat. Ai do të mbrohej duke thënë se ishte një intelektual dhe gazetar i njohur në Shqipëri dhe se kishte punuar për gazetën "Albania", fakt të cilin botuesi i kësaj gazete, Ylli Rakipi, e mohoi në mënyrë kategorike, kur u kontaktua nga "Shqip".
Në fjalimin mbyllës, prokurorja i kërkoi jurisë ta gjente atë fajtor, pasi, sipas saj, ai ishte një monstër. Policia beson se Jetmir Xhelollari, i cili ishte rikthyer në Angli me një vizë martese lëshuar nga ambasada britanike në Tiranë, me këtë lloj mashtrimi mund të ketë përdhunuar gra dhe vajza të tjera.
Ai kurrë nuk ka pasur një kompani sigurie me emrin "Prestige Security", por kartëvizitat që kishte me emrin e tij si drejtor i kësaj kompanie, përdoreshin si karrem për të joshur gratë dhe vajzat, të cilat i përdhunonte. Për të ka pasur edhe denoncime të mëparshme për ngacmime seksuale.
Përdhunimi
Më 2 gusht 2006, një vajzë shumë tërheqëse nga Izraeli po qëndronte vetëm në "Café De Paris" në zonën Hendon. Ajo kishte vetëm tre javë që kishte ardhur në Londër. Xhelollari i afrohet dhe i thotë se pse dukej e vetmuar. Vajza tregon se kishte probleme me gjetjen e një pune. I veshur me një kostum, kollarisur si një xhentëlmen i vërtetë, pas 15 minutash bisedë ai i ofron ndihmë, duke i dhënë kartëvizitën e tij.
Vajza e telefonoi në mbrëmje dhe e lanë që të takoheshin në zonën Edgëare, me qëllim shkuarjen në një restorant për të biseduar për punë.
Pasi hipën në makinën e tij, izraelitja pranoi të shkojë për një intervistë pune te Xhelollari, në zyrën e tij, por ai i tha asaj të priste pak sa të ndërrohej.
"Filloi të zhvishej vetë, pastaj më zhveshi rrobat e mia duke më kapur nga kyçi i dorës. Më tha t‘i bindesha, në të kundërtën do t‘i thërriste një shokut të tij. Pastaj më përdhunoi, duke mos përdorur prezervativ", tha viktima në dëshminë e saj mes lotëve.
Më pas, Xhelollari për t‘i bërë presion i tha se ai ishte një njeri i mafies shqiptare me lidhje të forta me njerëzit e politikës në Shqipëri. Për ta vërtetuar këtë ai i tregoi asaj foto të ish-presidentit Sali Berisha, rrethuar nga badigardë dhe politikanë të tjerë të së djathtës. Jetmir Xhelollari do ta vazhdonte presionin edhe më pas, kur e çoi vajzën në një restorant indian, nga ku ajo mundi të arratisej duke i kërkuar ndihmë një gruaje.
Policia: Të çliruar nga burgosja e Xhelollarit
Pas dhënies së dënimit detektivi Paul Murray, që hetoi këtë çështje, u shpreh se "Jetmir Xhelollari ishte një emigrant ilegal, i dëbuar nga Anglia pas një qëndrimi me disa emra. Ai ishte një person i rrezikshëm, që i bënte llogaritë mirë, duke sulmuar vajza të reja me premtimin për t‘i gjetur punë e më pas i çonte në apartamentin e tij, ku i përdhunonte. Ndihemi të çliruar që ky individ nuk është i lirë më për të sulmuar viktima të tjera. Do të bëhen të gjitha përpjekjet që ai të dëbohet në përfundim të dënimit dhe mos të kthehet më në Britani".
Skandali: Pasaporta shqiptare Z1881429, e falsifikuar
"Shqip" ka zbuluar se përdhunuesi Jetmir Xhelollari ka hyrë në Angli me një pasaportë shqiptare me detaje false dhe një vizë martese tip IN3 lëshuar nga ambasada britanike në Tiranë.
Ai ka mundur të pajiset me një pasaportë shqiptare me numër Z1881429 lëshuar nga Komisariati i Policisë Shkodër me emrin Jetmir Jetari. Miqtë e tij në Londër pohojnë se emri i tij i vërtetë ka qenë Jetmir Xhelollari, lindur në Korçë, banues në Shkodër, pasi babanë e ka pasur oficer në këtë qytet. Mbetet mister lëshimi i kësaj pasaporte nga autoritetet shqiptare me gjenialitete të rreme. Këtë hap Xhelollari e ka ndërmarrë për të mbuluar të shkuarën e tij të errët në Angli, ku gjatë periudhës kohore 1999-2005 ai ka kërkuar azil disa herë me emrat Jetmir Xhelollari dhe Jetmir Ibrahimi. Madje, ka qenë i dënuar dy herë për vjedhje. Që të gjitha aplikimet për azil i janë refuzuar. Duke bërë llogari të sakta, ai ka përfituar një pasaportë me të dhëna të rreme dhe me këtë veprim ka mundur t‘ia hedhë personelit të vizave në ambasadën britanike në Tiranë. Ai do të dëbohej nga Anglia për në Prishtinë më 30 mars 2006. Nuk do të vononte shumë të rikthehej si i martuar në Angli katër muaj më vonë, më 7 korrik 2006. Vetëm 23 ditë më pas, nga kjo mbërritje ai do të përdhunonte 20-vjeçaren izraelite.
I rrezikshëm për publikun
Sipas gjykatësit britanik, Mr. Justice Madge, gjithçka ishte e planifikuar me kujdes nga Xhelollari, me qëllimin e vetëm për ta futur në kurth e më pas përdhunuar viktimën. Gjatë leximit të masës së dënimit, duke iu drejtuar Xhelollarit, ai tha: "Çfarë e bën përdhunimin një krim serioz është se nuk shkakton vetëm efekte fizike, por edhe efekte psikologjike. Efektet psikologjike shpeshherë janë më serioze se ato fizike. Në këtë çështje kjo del qartë nga dëshmia e viktimës. Ajo është e shqetësuar se kujton se e ndjek dikush nga pas. Ka gjashtë muaj që nuk del të argëtohet. Ju nuk përdorët ndonjë armë për ta kërcënuar apo dhunë fizike, pasi ajo nuk kundërshtoi. Por sikur ta kishte bërë këtë, dyshoj se ju do ta kishit dëmtuar atë fizikisht duke përdorur dhunë. E kërcënuat atë se nëse do t‘ju linte juve atëherë do ta vrisnit atë dhe familjen e saj. Pretendoni se jeni 34 vjeç, në fakt paraqitja juaj fizike më bën të mendoj se jeni më i vjetër. Jeni dënuar dy herë në vitin 2000 për vjedhje. Qëndroni i palëkundur në pafajësinë tuaj, por nuk ofroni asnjë provë që marrëdhënia seksuale u krye me dëshirë. Ti përbën një rrezik për femrat e shoqërisë sonë dhe kam frikë se do të përfshiheni përsëri në krime seksuale, gjë për të cilën ju jap një dënim me burgim për mbrojtjen ndaj publikut me kohë të pacaktuar. Ndërkohë, masa fillestare e dënimit që do të vuani është 9 vjet. Do të jetë Komisioni Parolë që do të vendosë për lirinë tuaj ose mbajtjen në burg pas përfundimit të dënimit".
Krijoni Kontakt