E S E
A ËSHTË ABSTRAKT-ARTI ABSTRAKT?
MUSTAFA FERIZI
Kur Vasilij Kandinski (1866-1944), në dekadën e parë të shekullit XX-të u paraqit me akuarelin abstrakt, eshtabilishmenti artistik e as kritika oficiele e artit, ende nuk kishin kuptuar se lindi një arketip i vokacionit të ri piktural, i cili do të determinojë kahet dje zhvillimin e artit pamor përgjatë terë shekullit.
Paraqitja e Kandinskit në skenën artistike evropiane ishte sfidë për shumëkë, madje edhe për ata që hiqeshin për artistë avangardë. Me pikturën e tij abstrakte të privuar nga mesazhi, plani tematik e figuracioni, Kandinski braktisi edhe konvecat e fundit të mitologjisë tradicionale. Si gjurmues i devotshëm që ishte, ai mori guxim të thyente klishetë tradicionalë të artit që kishin filluar të klishezoheshin, dhe njëherë synojë të dëshmojë praktikisht atë që kishte pretenduar Hegeli teoretikisht- suprimimin e lëndës konkrete nga arti i pikturës. Dhe nocionet“arti i palëndët”,“arti abstrakt etj, rrjedhin pikërisht nga ky synim.,
Në kohën kur Kandinski, erdhi në artin e pikturës, veproi një plejadë e terë artistësh, kontributi i të cilëve ishte fare evident në artikulimin e tendencave të reja të artit modern. Kjo do të thotë se edhe veprat e tyre shquheshin me intonime risimtar estetike e tematike, mirëpo akuareli i Kandinskit u shpall zbulim epokal, kurse atij iu atribuua epiteti i reformatorit të artit, i konstruktorit gjenial. Këto atribute Kandinski i fitoi edhe në saje të veprës së tij teorike “Mbi shpirtëroren në art” e cila u botua në vitin 1912, pra pas dy vjetëve ç’prej se e kishte ekspozuar akuarelin abstrakt. Kjo vepër teorike me kohë u bë program nga i cili mësuan artistët e shekullit paraprak , të quajtur, shekullit i arit modern.
Risitë dhe fenomenet e panjohura nxisin kureshtje, ndaj u ekspozohen interpretimeve të ndryshme. Kështu ndodhi edhe me abstraksionin e Kandinskit. Ata që dinin se emigranti rus në jetën e tij nuk kishte pikturuar kugje tjetër veçse vasha me përparëse të bardha e me balalajka, nuk kuptonin dot, nga i erdhi atij ideja për të pikturuar një pikturë, e cila po thuajse nuk kishte kurrgjë të përbashkët me pikturën e mirëfilltë. Pati të tillë që mendonin se abstraksionin e tij Kandinski e “zbuloi” në një tablo të vjetur të vjetër varur mbrapsht mbi mur, ndërsa të tjerët, përjashtimin e elementeve reale nga rrafshi kompozicional e konsideronin si mosaftësi të piktorit, për ti paraqitur ato ashtu siç janë-elemente konkrete. Madje kishte edhe të tillë që zbulimin e abstraksionit ia atribuonin bishtit të llopës. Sido që të jetë, një gjë duket krejt e sigurt: abstraksioni i Kandinskit nuk qe heqje e bishtit të lopës, e as punë e rastësishme, por rezultat i hulumtimit të tij praktik e teorik, Sakaq a do ta dëshmojë në praktikë atë që e proklamojë në teori, mbetet të shihet.
Midis shqisorë dhe shpirtërores
Njësoj si Fihte, Shelingu e Hegeli, edhe Kandinski mohon rolin njohës të shqisave, që sipas tyre merren me çështje periferike e irelevante të artit e jo me problemet e tij qenësore. Kandinski sakaq, njohjen shqisore e konsideron njohje sipërfaqësore dhe të pazonjën j ta shpie të bukurën në shpirt. “Syri është çekan – thotë ai – kurse shpirti është instrument me shumë tela” Duke e privuar artin nga gnoseologjizmi shqisor, Kandinski në një mënyrë e privon edhe nga forma, sepse pikërisht ajo është strukturë që i referohet shqisave dhe komunikon me to. Ai thotë: “Bukuria e formës dhe e ngjyrës nuk janë qëllime të artit, siç konsiderojnë estetët natyralistë” Kandinski polemizon me estetët pragmatistë, sipas të cilëve qëllimi i artit është e bukura e paraqitur në formën artistike , konfrontohet sakaq, edhe me hedonistët që mendojnë se funksioni elementar i artit konsiston në kënaqësinë shqisore dhe fizike.
Tek vëren se si Kandinski i qaset problemeve vitale të artit, kupton sa është i matur e konstruktiv poet-esteti ynë Jeronim de Rada , i cili ndonëse synoi idealin dhe përsosmërinë në art dhe në jetë, çdo fenomen, pra edhe fenomenologjinë artistike e kuptoi si unitet të botës materiale e shqisore dhe të botës jomateriale e shpirtërore, si simbiozë të formës dhe përmbajtës, pra si unitet të antagonizmave që plotësohen dhe përligjen ndërsjelltazi.
Për Kandinskin bota shpirtërore është “parim i domosdoshëm” , është për më tepër e vetmja hapësirë ku realizohet arti. Dhe fakti se aq shumë e thekson “domosdoshmërinë e brendshme shpirtërore” të behët se ndonjëherë zhytet në një botë spiritualiste e mistike. Së këndejmi, dhe për De Radën tonë arti është domosdoshmëri, por jo vetëm e botës shpirtërore, meqë - mejton ai, - me art nuk ushqehet vetëm shpirti, por edhe mendja, shqisat, ndjenjat, pra, ushqehet krejt qenia e njeriut. Edhe në refleksionet teoriko-esetike të De Radës, shpirti zë hapësirë të madhe , mirëpo, ky shpirt nuk vepron në mënyrë sovrane, por në bashkëveprim me mendjen, arsyen, madje i prirë nga ato. Kandinski, ndërkaq, shkëput çdo lidhje me intelektin, logjikën, arsyen dhe me çdo gjë që mund të objektivizohet me në të përvojës mendore e shqisore. Atij i mjafton që arti të prekë vetëm shpirtin estetik. Parimi i “domosdoshmërisë shpirtërore” i Kandinskit, është skelet pa trup, përmbajtje fluide, fluiditet.
“Ut pictura – musica”
Si njohës i mirë i muzikës dhe i dhënë me terë qenien pas saj, Kandinski gjeti se piktura me muzikën kanë shumëçka të përbashkët. Atij i pëlqen impresionizmi i Debysisë, lirizmi i Moxartit, ekspresionizmi i Musorskit, metafizika Bahut, por mbi të gjithë e çmon Arnold Shënbergun, për shkak se në muzikën e tij gjen atë “domosdoshmëria e brendshme” të cilën e has edhe në pikturë. Për më tepër, sipas piktorit, muzika e Shënbergut nuk është vetëm dukuri akustike shpirtërore, por është muzikë e ardhmërisë. Dhe pikërisht një ardhmëri të tillë, Kandinski deshi të i atribuojë edhe pikturës, duke e njësuar me muzikën. Ç’është e vërteta, idenë për unifikimin e pikturës me muzikën e aktualizoi Skiarabini, porse Kandinski e shpuri më tej, dhe vajti aq larg, sa pikturën e sistemoi sipas komposteve muzikore:
-kompozicione melodike - të çiltra, lirike
-kompozime simfonike – të fuqishme, të thella, dhe
-kompozime ritmike – të harmonishme, të rrjedhshme.
Vlerën e akordit të ngjyrës, Kandinski nuk e përcakton sipas substancës së saj fizike, por sipas efektit asociativ që ajo krijon në shpirtin estetik. Sipas ti, p.sh. ngjyra e kuqe, konkretisht cinoberi, zgjon asociacionin e gjakut, pasionit, flakës; e kaltra tingëllon si flauta, apo si organot, kurse e portokallta zgjon asociacionin e tingullit të violës. Vjollca, në anën tjetër, tingëllon si fyelli e fagoti, kurse umbra shëmbëllen me tingullin e çelos. Sakaq, duke thënë se ngjyra e verdhë pos që tingëllon si buria, ajo zgjon edhe shijen dhe erën e limonit, piktori i artit abstrakt mëton te provojë se ngjyra pos që është natyrës sonore, ajo njëherit është edhe “strukturë” gastronomike. Mbi të gjitha, Kandinski mendon se e bardhe dhe e zeza nuk janë ngjyra, por”pauza muzikore”
Për realizimin e idesë frymëzuese, Kandinski zgjedh një rrugë tjetër nga atë që rëndom e përfillet të gjithë piktoret para e madje edhe pas tij- rrugën shpirtërore, duke menduar se ideja apo koncepti , duke kaluar drejtpërdrejt në habitusin shpirtëror , nuk humb kurrgjë nga ontologjia e saj. Ai sikur harron se idetë qofshin ato edhe estetike, siç i quajti Kanti, banojnë në mendje, nga e cila edhe burojnë. Në të vërtetë, qëllimi i Kandinskit ishte që ta çmaterializojë formën pikturale, në ato përmasa, sa e si është çmaterializuar forma muzikore. Dhe pajtimisht me këtë, ai bën po atë përpjekje që bëri poeti i lashtë romak Horaci përmes parimit të tij estetik “ut pictura-poesis” Pra synimi apo qëllimi i Kandinskit për të unifikuar pikturën me muzikën, mund të quhet “ut pictura-musica”
Çka (nuk)dëshmoi Kandindinski
Autori i akuarelit abstrakt, pra Kandinski thotë se e terë gjithësia është muzikë e ngjyrosur, kurse muzika, njësoj si piktura është strukturë matematikore. Ai, të thuhet e vërteta, nuk dëshmoi kurrgjë të re, në raport me atë që e aktualizuan Pitagora, Njutni e në mënyrën e vetë edhe poeti i madh Gëte. Madje edhe atëherë kur preferon të privohet piktura nga përbërja e saj lëndore, forma, tema, në mënyrë që të shkrihet dhe të njësohet me muzikën, nuk provon të thuash kurrfarë risie, për faktin se edhe muzika ka formën dhe temën e vet. Madje pa formën dhe temën e pa kohën, as që mund të mendohet koherenca e ndonjë kompozimi muzikor. Po të mos ishte aq shumë e theksuar në Simfoninë e IX të Betovenit, ajo nuk do të ishte aq e fuqishme. Fuqinë e muzikës së Bahut e përcakton fuga, pra forma muzikore.
Nga krejt kjo që u tha, mund të konkludojmë se Kandinski dëshmoi në teori ç’është arti abstrakt, ndërsa me praktikën e tij pikturale provoj të kundërtën; ç’ nuk është artat abstrakt. Duke qenë ikonografi të ngjeshura shenjash e ideogramesh, pikturat e tij ”gjeometrike” , më tepër i referohen mendjes, intelektit se sa shpirtit, i referohen për më shumë, estetikës fenomenologjike , konkretisht semantikës dhe semiologjisë logjike. E siç tha Hegeli, “një fenomen që i referohet mendjes, logjikës, dhe arsyes, assesi nuk mund të jetë abstrakt”.
Megjithëkëtë tentativa e Kandinskit par ta ndërlidhur natyrshëm pikturën me muzikën e kjo nëpërmjet të domosdoshmërisë shpirtërore, kontribuojë që piktura të estetizohet dhe të poetizohet si kurrnjëherë më parë apo më pas në historinë e artit.
Krijoni Kontakt