Shërbejnë për të joshur, për të shprehur ndjenjat e tua. Për të krijuar një klimë intime, të kënaqshme. Komplimentet kanë edhe një fuqi të lartë erotike dhe janë pikërisht ato mesazherët e admirimit, aleatë të erosit dhe dashurisë. Ndërsa në përgjithësi një kompliment është një frazë xhentile, e cila nëse është e menduar mirë dhe e goditur bën efektin që ti kërkon. Dikush skuqet, dikush dyshon, dikush krekoset... Përgjigja që i jepet një fjalie xhentile, krahas të tjerave, nxjerr në pah shumë aspekte të karakterit të dy personave që po dialogojnë përmes marrjes dhe dhënies së komplimentit. “Ke vërtetë një familje shumë të bukur”, “Sa të shkon kjo krehje”, “Gatuan në mënyrë fantastike”. Kush nuk do të donte të merrte komplimente si këto! Mënyra e interpretimit të komplimentit varet shumë edhe nga personaliteti i atij që e merr. Është si një test që nxjerr në dritë sesi reagojmë ndaj këtyre mesazheve që na dërgojnë. I mirëpresim dhe i shijojmë? Besojmë në sinqeritetin e tjetrit? Apo mbeteni të zhgënjyer, sepse nuk na mjaftojnë asnjëherë? Kur dikush iu thotë “Për mua je ok”, ju përkëdhelet sedra, apo ju lë indiferentë si vlerësim? Të diskutojmë në forumin tonë se sa na ndihmojnë për t’u rritur psikologjikisht këto fraza kaq xhentile dhe bujare.
Kujdes, sepse nuk janë gjithmonë dashamirëse
Kush iu beson verbërisht komplimenteve rrezikon të jetë vazhdimisht i varur më shumë nga forma sesa nga përmbajtja e raporteve njerëzore. Në fakt jo gjithmonë manifestimet e vlerësimit dhe të simpatisë që na bëjnë të tjerët, janë të sinqerta dhe se duhen besuar fjalë për fjalë. Pafajësia dhe superficialiteti i tepërt në dhënien e rëndësisë së përkëdheljeve, mund të konsiderohet si thembra e Akilit për ata që i besojnë. Kush është shumë i ndjeshëm ndaj komplimenteve duhet të bëjë analiza të brendshme rreth kapaciteteve që disponon dhe mbi të gjitha të dijë të ndajë komplimentet që janë autentikë “përkëdhelës”, nga ato që janë vetëm hipokrizi ose siç quhen në gjuhën e popullit, “furça”.
Llojet e komplimenteve
Le të provojmë të kuptojmë cilat janë llojet e komplimenteve. Krahas atyre të zakonshmeve, ku një kompliment është një frazë xhentile që shpreh admirim, ka edhe komplimente indirekte. Janë ato komplimente që njeriu i bën vetes meqë arriti të bëjë diçka që e kishte vënë si qëllim. Ose ka komplimente të tjerë që quhen deduktiv: kur një burrë flet për zilinë imagjinare të meshkujve të tjerë. Ose për ato metaforike: kur pyet se kush është ai engjëll që ka hyrë në jetën tonë. Të bësh kompliment nuk është e vështirë, mjafton vetëm një dëshirë e pastër për të motivuar tjetrin. Edhe nëse nuk je tipi i përshtatshëm për të stiluar një kompliment me fantazi, mjafton t’i thuash një femre “je e bukur”, është mjaft efikase. E megjithatë ka njerëz që bëjnë gafa teksa tentojnë të thonë fraza të mëdha duke e zhgënjyer të komplimentuarin.
Krijoni Kontakt