INTERVISTA/ Analisti i njohur për çështjet e Ballkanit flet në emisionin "Shqip" të Rudina Xhungës në "Top Channel"

Tim Judah: Statusi i Kosovës, i paqartë

"Rusët kanë diçka në dorë, kanë fuqinë për të bllokuar planin e Ahtisarit"

Intervistoi
Muhamed Veliu
Londer

Analisti i njohur për çështjet ballkanike, Tim Judah, e konsideron të paqartë situatën aktuale për statusin e Kosovës. Gjatë një interviste dje në mbrëmje, në emisionin "Shqip" të Rudina Xhungës në "Top Channel", Judah theksoi se "rusët kanë fuqinë për të bllokuar planin e Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së".

Jeni një prej zërave më seriozë dhe të besueshëm në analizat për Prishtinën dhe Beogradin. Si nisi kjo marrëdhënie me këto vende?

E nisa karrierën si korrespondent i huaj në Bukuresht të Rumanisë në 1990, menjëherë pas revolucionit. Fillimisht u përpoqa të hyja në Shqipëri në 1990 dhe arrita deri në kufi midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Por nuk mund të hyj, sepse ishte periudha kur njerëzit po hynin nëpër ambasada e atëherë edhe ne s‘e kishim të qartë çfarë po ndodhte tamam. Pastaj, pas një viti shkova në Tiranë. Pas një viti në Rumani, unë u transferova në Beograd, për shkak të luftës në Jugosllavi. Fillova të mbuloj ish-Jugosllavinë si e tërë, duke përfshirë edhe Kosovën, por vija edhe në Shqipëri.

Analiza juaj mbështetet te faktet, apo ndonjëherë ndërhyjnë dhe emocionet, njohjet, gjë që ju krijon probleme me paanësinë, meqë ju keni miq edhe në Prishtinë edhe në Beograd?

Jo, në përgjithësi nuk ka pasur. Keni të drejtë që thoni se kam miq në Prishtinë dhe Beograd. Si gazetar profesionist mundohem t‘i mbaj emocionet jashtë shkrimeve. Si çdo gazetar, edhe unë kam probleme, për shembull kur njerëz të caktuar të kërkojnë që të heqësh ca gjëra nga shkrimet dhe ka gjëra të caktuara që kam dëshirë t‘i raportoj, por që nuk mundem. Gjithsesi, nuk mund të ankohem, sepse si gazetar i huaj kam më tepër liri dhe... hapësira për të manovruar, sesa një gazetar që jeton në Prishtinë apo Beograd. Megjithatë, ka edhe gjëra që i di dhe dua t‘i them, por që nuk mundem.

A e ndjeni armiqësinë mes tyre, a shikoni ju sa bardh e zi i shohin ata gjërat, apo njihni dhe njerëz që e kanë hedhur pas të shkuarën dhe shohin nga e ardhmja?

Sigurisht që ka armiqësi ndërmjet politikanëve, po deri në njëfarë mase edhe ndërmjet njerëzve gjithashtu. S‘jam i sigurt se refuzojnë të kuptojnë njëra-tjetrën. Më tepër është se kanë qëllime diametrikisht të kundërta. Pra, mund të thuhet që të dyja palët kuptohen shumë mirë, por problemi është se gjërat që duan janë tërësisht të kundërta. Ka njerëz në Prishtinë dhe Beograd që kanë disa ide sesi Kosova dhe Serbia mund të bashkëjetojnë në të ardhme, por problemi është se nuk e dimë si do të jetë e ardhmja, s‘e dimë çfarë do të ndodhë, prandaj vijmë në një ngërç kritik, domethënë këta muaj do jenë vendimtarë, ndoshta më vendimtarët që nga bombardimet e 1999-ës. Ne s‘e dimë çfarë do të ndodhë dhe sa do të ndikojë në zhvillimin e marrëdhënieve mes tyre.

Është një pyetje që udhëheqësit kosovarë dhe ata serbë i japin përgjigje të ndryshme. Ju keni një opinion pse Kosova është kaq e rëndësishme për serbët?

Kosova ka luajtur një rol të veçantë në historinë serbe. Kjo është e pamohueshme..., plus që demografia ka ndryshuar. Tani ka shumë më tepër serbë që jetojnë në Kosovë. Duke pasur parasysh këtë, i bie që situata tani është ndryshe nga ajo e vitit 1912 apo 1812. Është i domosdoshëm një debat racional, duke lënë mënjanë emocionet, për të përcaktuar se çfarë është më e mira për të ardhmen e Kosovës dhe për rajonin. Gjithsesi, s‘mund të mohohet që Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë dhe ndjenjat serbe. Nëse po përdoret për arsyet e drejta hëpërhë në Beograd, ose nëse ka arsye të tjera politike për ta përdorur këtë lidhje historike, kjo është çështje tjetër.

A mendoni se pavarësia do të kishte qenë më afër për shqiptarët e Kosovës nëse do të ishin përfaqësuar nga njerëzit e duhur? Ju keni ndjekur nga afër Rambujenë, pas së cilës keni shkruar "Në fermën e deleve". Ishte e shkëlqyer...

Në kohën e Rambujesë nuk e mendoja që sot do të ishim në këto pozita ku jemi. Keni të drejtë, atëherë mendoja që pavarësia do të vinte më shpejt. Epo, ndoshta jam optimist. Mendoja se pavarësia do të shpallej nga fundi i vitit të kaluar, ose në fillim të këtij viti, por mesa duket vazhdon të shtyhet e të shtyhet. Është njësoj sikur t‘i ngjitesh një mali. Kur kujton se ke arritur në majë, sheh që ka ende një majë më të lartë.

Mund të ndalojmë në momentin ndërsa flasim. Ka shumë ngjarje, shumë lajme për Kosovën. Cilat janë më të rëndësishmet për ju, cilat duhen veçuar?

Tani për tani gjërat po zhvillohen jashtë Kosovës. Thelbi i çështjes është ajo që po ndodh rreth Kosovës, që ka të bëjë me Fuqitë e Mëdha, me Këshillin e Sigurimit. Tani që flasim, anëtarët, ambasadorët e Këshillit të Sigurimit, po shkojnë në Beograd dhe në Kosovë. Por, debati i vërtetë për të ardhmen e Kosovës po zhvillohet midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë, anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, por edhe midis anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ndikimi i të cilëve është mjaft i rëndësishëm në këtë fazë, në kuptimin që do të kërkohet vota e tyre për të kaluar një rezolutë në KS apo jo. Për shembull, Indonezia na duket e parëndësishme në këtë kontekst, por të mos harrojmë se Indonezia bën pjesë në KS. Vëreni veten në vendin e diplomatëve indonezianë. Indonezianët normalisht nuk është se dinë shumë se çfarë po ndodh në Kosovë, ashtu si shumë kosovarë që s‘dinë asgjë për problemet etnike në Indonezi, por i vetmi person që është në dijeni të ngjarjeve në të dyja këto vende është zoti Ahtisari. Për 30 vjet ka pasur trazira në provincën Aceh të Indonezisë dhe zoti Ahtisari ishte ai që arriti marrëveshjen atje dhe falë marrëveshjes, Aceh-s iu dha njëfarë autonomie e avancuar brenda Indonezisë. Pra, indonezianët mund të thonë: "Përderisa Aceh mori autonominë brenda Indonezisë, pse të mos mjaftohet edhe Kosova me autonomi brenda Serbisë?" Edhe pse janë dyja situata krejtësisht të ndryshme, këto janë pyetjet për të cilat vendet si Indonezia do kërkojnë përgjigje.

A është gjithçka në dorë të vetos ruse, apo rusët luajnë me atë çfarë nuk kanë?

Jo, mendoj se rusët kanë diçka në dorë, kanë fuqinë për të bllokuar planin "Ahtisari" që të mos kalojë në Këshillin e Sigurimit. Sigurisht që rusët kanë një kartë të fuqishme në dorë. Rusët janë faktor shumë i rëndësishëm drejt një tranzicioni të butë të ngjarjeve, por besoj se rusët nuk mund të ndalojnë pavarësinë. Ka shumë mundësi që nëse nuk ka rezolutë në Këshillin e Sigurimit, ose nëse ka rezolutë kundër të cilës vihet veto, atëherë gjithsesi Kosova do ta shpallë pavarësinë dhe pastaj Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera ta njohin Kosovën e pavarur. Por, kjo do të krijonte një situatë shumë të paqëndrueshme. Duket e pamundur që të ketë misione të tjera nga OKB. Do ketë më tepër gjasa për dhunë, konflikt dhe mungesë stabiliteti. Në këtë kuptim rusët janë faktor kyç dhe kanë një kartë për ta luajtur.

Pse USA mbështet pavarësinë e Kosovës?

Mendoj për dy arsye: amerikanët e shohin situatën dhe vendosin logjikisht se nuk është oportune që të mbajnë 2 milionë shqiptarë brenda kuadrit të një forme shteti serb, qoftë edhe autonomi. Ata mendojnë se është e pashmangshme dhe duan ta mbyllin këtë çështje. Arsyeja e dytë është se Shtetet e Bashkuara tani kanë shumë probleme të tjera nëpër botë dhe duan të kenë një më pak, domethënë t‘i japin drejtim dhe ta përfundojnë këtë punë.

Diku kam lexuar në kujtimet e një gazetari britanik se ka qenë Bler dhe jo Klinton njeriu që dëshiroi dhe afroi mundësinë e bombardimeve të NATO-s. Klinton kishte të tjera me ç‘të merrej në atë kohë...

Besoj as njëri, as tjetri, por ishte një vendim kolektiv i ndërmarrë përmes NATO-s. Por keni të drejtë, sepse ishte Bleri që mori nismën besoj..., sepse Klinton kishte shpërqendrime në atë kohë dhe ndoshta Bleri e fokusoi vëmendjen. Por s‘duhet të nënvlerësojmë rolin e të tjerëve si Medlin Ollbrajt, Sekretarja amerikane e Shtetit dhe të tjerë. Gjithashtu, pati faktorë të tjerë të rëndësishëm, s‘mund të veçosh njërin si vendimtar. Një faktor ishte Rambujeja disa javë më parë, që nuk funksionoi. Ishin bërë përpjekje të mëdha që të gjendej zgjidhja në Rambuje, me qëllim që të shmangeshin bombardimet. Më bën përshtypje që pa shumë diskutime u mor shpejt e shpejt vendimi për të bombarduar. Mendoj se ishte masakra e Srebrenicës që i bindi. Nëse e mbani mend, 8000 burra e djem boshnjakë myslimanë u masakruan në korrik 1995 në Srebrenicë, kur kjo ra në duart e forcave serbe dhe ata (Fuqitë e Mëdha) u akuzuan se nuk bënë sa duhet për ta parandaluar. Domethënë ishte frika se mos përsëritej dhe ata druheshin se mos kritikoheshin prapë për përpjekje të pamjaftueshme. Mendoj se ky është një faktor shumë i rëndësishëm që shpesh nuk kuptohet. Pra, forca shtytëse ishte ngjarja e Srebrenicës, frika se mund të ndodhte sërish.

Kam padurimin t‘ju pyes a e shihni afër pavarësinë? Kur, sa, si?

Para dy muajsh ndoshta do thosha një afat, por tani vërtet nuk e di. Askush nuk e di hëpërhë, gjithçka po qëndron pezull. Situata është e paqartë dhe është një çast shumë kritik dhe kushdo që thotë se e di, mendoj se thjesht hamendëson në ajër. Më përpara edhe unë kam dhënë data dhe mënyra si do vijë pavarësia, por tani e kam kuptuar që është e kotë, sepse nuk e dimë. Mendoj se do bëhen shumë, shumë përpjekje për të gjetur konsensusin në Këshillin e Sigurimit dhe për të ulur rusët në bisedime. Nëse amerikanët, britanikët dhe francezët mendojnë se duke pritur edhe 6 muaj, për shembull, ka shanse për të arritur një marrëveshje, them se do ta bëjnë, pra do presin për një marrëveshje, më mirë sesa të inkurajojnë Kosovën që të vetëshpallet e pavarur në mënyrë të njëanshme. Gjë kjo që do ta komplikonte shumë situatën, sepse Shtetet e Bashkuara mund ta njohin pavarësinë, por pastaj mund të mendojnë: Ç‘kuptim ka që ne ta njohim, kur Bashkimi Evropian nuk e njeh? Gjithashtu edhe Britania mund ta njohë, por ta analizojmë situatën. Britania, si përkrahëse e planit "Ahtisari", iu drejtua anëtarëve skeptikë të Bashkimit Evropian, për shembull sllovakëve, spanjollëve, grekëve, qipriotëve dhe u thotë: "Dëgjoni, kjo është çështje uniteti evropian, prandaj duhet ta mbështesni". Nëse këto shtete nuk pranojnë, atëherë Britania do kërkojë një qëndrim të përbashkët për të ruajtur unitetin e BE-së. Nëse Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme, Britania nuk mund t‘u thotë anëtarëve të BE-së: "Ju bëni ç‘të doni, ne për vete do ta njohim Kosovën". Kjo do ta vinte Britaninë në një pozitë shumë të vështirë dhe ka shumë mundësi që vendet e BE-së të mos njohin Kosovën, domethënë Kosovën që shpall pavarësinë e njëanshme. Pastaj, Shtetet e Bashkuara do thonë: "Ne jemi i vetmi vend që po njohim pavarësinë e Kosovës, jemi i vetmi shtet i madh që e njohim ndryshe nga të tjerët". S‘e di... është një situatë shumë e paqartë dhe nuk di si t‘i përgjigjem.

Çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit kosovarë dhe çfarë s‘duhet të bëjnë sipas jush, për ta afruar datën? Apo nuk është fare në dorë të tyre?

Hëpërhë gjendjen nuk e kanë ata në dorë. Çështja tani luhet midis Rusisë dhe Fuqive perëndimore në Këshillin e Sigurimit, si dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Besoj se nuk është në dorën e udhëheqësve kosovarë dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë është që të vazhdojnë të sillen me përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha të bëjnë çmos që të mos ketë dhunë. Dhuna patjetër do u jepte dorë serbëve dhe rusëve.

E shihni aktive Tiranën zyrtare në çështjen e Kosovës?

Tirana bën aq sa mundet, por është rol i kufizuar. Tirana thonë që e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe se është zgjidhja më e mirë, por ama Tirana ka një peshë të kufizuar në çështjet ndërkombëtare. Edhe pse është një zë, po thotë të njëjtën gjë si vendet e mëdha. Pra, mendoj se po bën aq sa mundet.

Keni parë ndonjëherë mes rreshtave, apo dhe hapur, ndonjë dëshirë për Shqipëri të madhe?

Ka njerëz që aspirojnë për një Shqipëri të Madhe, siç thoni ju, por nuk më duket e mundur, plus që nuk ka përkrahje politike për një gjë të tillë. Politikanëve në Shqipëri apo në Kosovë nuk është se u ka ecur falli me teorinë e Shqipërisë së Madhe. Dhe mendoj se është irracionale të presim që kur Kosova të marrë pavarësinë, udhëheqësit politikë shqiptarë të hidhen menjëherë për të humbur në njëfarë mënyre atë që pritën prej kohësh vetëm e vetëm që të bëhen pjesë e një shteti më të madh.

Si e shikoni Kosovën pas pavarësisë? Kanë nisur qysh tani trajnimet për 120 ditët e para, por a mësohen demokracia dhe zhvillimi, apo duan traditë?

Varet se ç‘formë pavarësie do jetë. Varet se sa territor i Kosovës do të drejtohet nga autoritetet qeveritare. A do të drejtojnë autoritetet qeveritare në veri? A do vazhdojnë enklavat serbe të ekzistojnë? Si do operojnë këto enklava? A do shoqërohet pavarësia me dhunë? Të gjitha këto do përcaktojnë formën e qeverisjes, nëse do ketë njëfarë ndërhyrjeje jo të drejtpërdrejtë nga Serbia. Në këtë rast, forma e qeverisjes në Kosovë do ishte shumë e vështirë, në krahasim me një qeverisje që vjen si rezultat i një rezolute të OKB-së bazuar në planin e Ahtisarit dhe me një mision të madh të BE-së që merret me sigurinë dhe drejtësinë dhe me këtë të ashtuquajturën Zyrën Ndërkombëtare Civile (ICO), e cila do jetë si një zyrë e përfaqësuesve më të lartë, pra qeverisje e tipit ndërkombëtar me konsull apo guvernator të Përgjithshëm, si në Bosnjë. Gjithsesi, nuk dihet se çfarë mund të ndodhë dhe siç ju thashë, kushdo që pretendon se e di, patjetër që gënjen.