Gani MEHMETAJ

Kosovafilmi është shtëpia më e vjetër filmike në Kosovë dhe ndër produksionet më të vjetra në Ballkan. E themeluar në shkurt të vitit 1969 nga Kuvendi i Kosovës, “Kosovafilmi” kultivoi me përkushtim vlerat artistike të njërit krah të kinematografsië shqiptare në kushtet dhe rrethana tejet specifike. Gjatë 38- vjeteve “Kosovafilmi” ka realizuar 40 fima artistik të metrazhit të gjatë, filma të metrazhit të shkurtër, dokumentar dhe vizatimor. Janë bërë edhe dhjetra filma të porositur për fabrikat dhe ndërmarrjet e mëdha të Kosovës, që sot kanë mbet të vetmet dokumente të punës së këtyre gjigantëve industrialë. Madje Kosovafilmi krahasohej me shtëpitë më prestigjioze të ish-Jugosllavisë dhe të Ballkanit. Kishte produksion standard, distribucion me 200 filma artistik të importuar, kryesisht nga SHBA-të. Finansohej nga buxheti i Kosovës.
Drejtori i parë i “Kosovafilmit” ishte Abdurrahman Shala, njëri ndër aktorët më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare në Kosovë. Në vazhdim Kosovafilmin e ka udhëhequr Azem Shkreli, shkrimtar, skenarist dhe ndër artistë më të mëdhenj shqiptar. Pastaj në krye të Kosovafilmit ishte aktori Xhevat Qorraj, ndërsa një kohë të shkurtër Ekrem Kryeziu.

Me fillimin e produksionit të pavarur u vunë themelet e prodhimtarisë filmike origjinale, me ngjyrime të theksuara autoktone, që flisnin shqip, frymonin shqip dhe që paraqisnin kulturën e traditën tonë, pavarësisht që ndonjëherë tema ishte e imponuar nga rrethanat politike të kohës. Madje nivelin artistik dhe teknologjia e prodhimit, pavarësisht avancimeve teknike as sot e kësaj dite nuk e kanë arritur filmat e mëvonshëm të produksioneve private në Kosovë. Kosovafilmi paraqet 38 vjet traditë të kultivimit të zhanreve të filmit shqiptar. Logoja e Kosovafilmit paraqitet në 8 prodhime të mëdha filmike dhe në shumë prodhime të zhanreve tjera më të vogla.

“Kur pranvera vonohet” njëri ndër spektaklët e Luftës së Dytë Botërore është filmi i parë i pavarur, i Kosovafilmit, në regji të Ekrem Kryeziut, ku interpretuan një plejadë e aktorëve shqiptarë të Kosovës me Hadi Shehun, Faruk Begollin, Abdurrahman Shalën, Melihate Ajetin etj. në rolet kryesore. Pasoi filmi “Era dhe Lisi”, në regji të Besim Sahatçiut, bashkëprodhim ky në mes të Kosovafilmit dhe Televizionit të Prishtinës; “Gjurmë të bardha”, i E. Kryeziut, “Lepuri me pesë këmbë”, në regji të Ismail Ymerit, “Njeriu prej dheu” i Agim Sopit, “Proka” i Isa Qosjes, “Pikniku”i Emin Halilit, “ Përroi vërshues” i Besim Sahatçiuit, “Rojet e mjegullës” dhe “Kukumi” i Isa Qosjes . Në zhanrin e filmit të animuar, përkatësisht vizatimor është filmi “Proteza” i Nexhat Krasniqit, “TV Dur” i Gjon Markut. Kosovafilmi prodhoi edhe filmat dokumentarë “117” të Besim Sahatçiut”, “Fytyrë dheu” të Fahri Hysajt, “Rufaitë” të Azem Shkrelit e Gani Bobit, “Na ishte dikur Kosovafilmi” të I.Qosjes, “Dokët dhe zakonët e shqiptarëve në Mal të Zi” të Emin Halilit etj.
Në kohën kur Kosovafilmin e udhëhoqi Azem Shkreli jo vetëm se u pavarësua plotësisht ky krah i kinematografisë, por njëkohësisht u realizuan disa nga filmat më të mirë dhe më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare në përgjithësi, që morën pjesë dhe u shpërblyen në shumë festivale ndërkombëtare dhe bënë jehonë në qarqet kinematografike të Ballkanit, në festivalet evropiane e të botës. Në vjetet e tetëdhjeta, disa nga filmat e Kosovafilmit u priten në teh të shpatës nga politika antishqiptare e ish-Jugosllavisë dhe nga shtypi që ishte në shërbim të kësaj propagande shoviniste. Kështu këto qarqe kërkonin mbylljen e Kosovafilmit, përgjegjësinë e kompetentëve të kësaj shtëpie filmike, përkatësisht kërkoheshin kokat e atyre që kishin bërë këta filma “nacionalistë, irredentistë dhe kundër frymës jugosllave”.

Ishte kjo periudha më e rëndë dhe më kritike e kinematografisë në Kosovë, por edhe e kulturës e jetës së përgjithshme të shqiptarëve.
Kosovafilmi kishte objektin madhështor me 3500 metra katror, me tavolina montazhi, me tri kamera filmike, me studio dhe me ambiente të jashtme të bukura, përkatësisht katër hektarë park. Pronar i këtij objekti është edhe sot, mirëpo qe shtatë vjet e shfrytëzon komanda e KFOR-it. Në periudha e pasluftës u realizuan filmat dokumentar: “ Na ishte dikur Kosovafilmi”, “Doket dhe zakonët e shqiptarëv të Malit të Zi”. Filmi artistik “Kukumi” me Jadran filmin nga Zagrebi ishte bashkëprodhimi i parë në mes të Kosovës dhe një shteti tjetër. Producentët e huaj ende kishin dhe kanë besim në këtë shtëpi filmike me emër. Kosovafilmi e ka përfaqësuar Kosovën në botë, në periudhen e pasluftës më shumë se çdo instituicion tjetër i kulturës dhe i politikës.

Në mungesë të mjeteve “Kosovafilmi” tash është në pozitë të rëndë. Pas suksesit të madh me filmin “Kukumi” nuk është realizuar asnjë film, edhe pse ka projekte dhe ka ide. Poashtu, mungesa e objektit që ishte dedikur pikërisht për prodhimin e filmave, ndërsa tash shfrytëzohet nga KFOR-i është bërë pengesë serioze për punë normale të Kosovafilmit. Me përgjegjësit e Shërbimit juridik të Komandës qendrore të KFOR-it shpresohet të gjendet gjuha e përbashkët për t’ia kompensuar qiranë e objektit “Kosovafilmit”, në mënyrë që të vazhdojë prodhimtarinë. Natyrisht edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pritet më shumë për ta finansuar veprimtarinë, përkatësisht projektet e Kosovafilmit, shtëpisë më të vjetër dhe më të përgaditur profesionalisht jo vetëm në Kosovë. Prodhimtaria e kinematografisë shqiptare në Kosovë edhe më tutje duhet ta ketë vulën e Kosovafilmit për të qenë e sukseshme dhe profesionale, sepse e ka prezentuar dhe shpresojmë se do ta përfaqëojë denjësisht shtetin e Kosovës në festivale ndërkombëtare. Vetëm me projektin e fundit Kosovafilmi është paraqitur në mbi 40 shtete, natyrisht me shtetësinë e Kosovës. Prandaj Kosovafilmi duhet ta ketë jo vetëm përkujdesjen e Ministrisë së Kulturs, por edhe të Presidentit dhe të kryeministrisë, sepse është amblemë dhe simbol i Kosovës.

(Autori është drejtor i Kosovafilmi)