Mitingu i Berishës, makina e Gardës aksidenton 8-vjeçarin. qeveria mohon përplasjen e fëmijës
LIBRAZHD(10 Shkurt)- Një fëmijë për pak sa nuk është bërë viktimë e fushatës elektorale. Një makinë e Gardës së Republikës, e cila ishte pjesë e trupave të ruajtjes së Kryeministrit Berisha gjatë turit të tij elektoral të djeshëm, ka përplasur një fëmijë 8 vjeç, me inicialet K.Ç. nga qyteti i Librazhdit.
Aksidenti
Pak pas orës 12:00 të ditës së djeshme, pas takimit elektoral të Kryeministrit në Librazhd, një makinë e Gardës, brenda së cilës ndodheshin dy persona që kanë për detyrë sigurinë e zyrtarëve të qeverisë që kishin shkuar në qytetin verilindor, kanë përplasur një fëmijë të vogël sapo mitingu ka përfunduar. Siç është mësuar nga burime që kanë qenë në vendngjarje, sapo është nisur eskorta e Kryeministrit drejt Elbasanit, pas saj janë nisur dhe automjetet e Gardës që ruajnë shefin e ekzekutimit dhe zyrtarë të tjerë. Pa bërë as një kilometër, fuoristrada e zezë ka përplasur dhe fëmijën, por gjatë tentativës për të shmangur aksidentin, ajo ka goditur dhe një autoveturë. Fillimisht, lajmi është mohuar nga policia, e cila ka njoftuar se aksidenti i fëmijës nuk është kryer nga asnjë makinë që kishte lidhje me Berishën dhe mitingun e tij në Librazhd. Të njëjtin version ka dhënë edhe qeveria, e cila në faqen e saj të internetit ka njoftuar se nuk është e vërtetë. Gazeta ka nisur investigimin dhe ka mësuar se makina që kishte shkaktuar aksidentin e 8-vjeçarit, i cili deri dje në mbrëmje ndodhej në spital jashtë çdo rreziku për jetën, është e Gardës së Republikës. Mistubishi Pajero mban targën e kryeqytetit TR 42 42 K dhe është i Qendrës së Ruajtjes dhe Sigurisë së Autoriteteve (QRSA), në Gardë.
Policia dhe qeveria
Më pas, edhe policia ka pranuar faktin se makina ishte e Gardës dhe se një fëmijë është fërkuar me pjesën anësore të saj. Ditën e sotme (dje), rreth orës 12:00, mbas takimit elektoral të zhvilluar nga subjekti i Partisë Demokratike në qytetin e Librazhdit, ku merrte pjesë edhe vetë Kryeministri i Shqipërisë dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, në momentin kur sapo ka filluar lëvizja e mjeteve për largimin nga vendi i zhvillimit të takimit, në vendin e quajtur “Kthesa e Përrenjasit”, ndërsa ka qenë duke vrapuar, i mituri K.C, 8 vjeç, banues në qytetin e Librazhdit, është fërkuar në pjesën anësore të një mjeti të Gardës së Republikës”, - thuhet në komunikatën e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.* Ndërsa në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Ministrave, është nxjerrë një njoftim që hedh poshtë aksidentin. “Sipas një informacioni të dhënë në edicionin e lajmeve në televizionin Top Channel, të orës 15:00, thuhet se një nga makinat e shoqërimit të Kryeministrit ka aksidentuar një fëmijë 8-vjeçar, në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas. Sipas këtij njoftimi, fëmija nuk ka pësuar dëme dhe është jashtë rrezikut për jetën. Zëdhënësi i Kryeministrit komunikoi me nën/kolonel Besnik Muratin, kryetar i Grupit të Shoqërimit të Kryeministrit, i cili i pyetur në lidhje me këtë lajm, informoi se asnjë nga makinat e eskortës së Kryeministrit nuk ka shkaktuar asnjë aksident të çfarëdo lloji, kundrejt çdo gruaje, burri, apo fëmije.
Babai i djalit
Në një bisedë për “Gazeta Shqiptare”, babai i 8-vjeçarit të plagosur, Gëzim Çota, ka pohuar se i biri ka qenë duke kaluar në rrugë ndërsa po kthehej nga mësimi, por i ka prerë udhën makinës. “Fuoristrada është munduar ta shmangë dhe është përplasur me një makinë tjetër, por djalin e ka kapur një parafango e makinës. Po e shikoja djalin kur po kalonte rrugën dhe e pashë çfarë ndodhi, - ka thënë Gëzim Çota. - Pas kësaj, me makinën e aksidentit më sollën mua e djalin në spital”.
GSH
Krijoni Kontakt