"The Ekonomist": Kriza energjetike do të ndëshkojë qeverinë
"Berisha" nuk mbajti premtimet e fushatës elektorale të 2005-ës
Nga Londra
Muhamed Veliu
Premtimet e pambajtura të fushatës elektorale 2005, si dhe errësira që ka pllakosur vendin, do të jenë dy arsyet që votuesit shqiptarë do të hakmerren ndaj PD-së në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky konstatim nuk vjen nga ndonjë tribunë elektorale shqiptare, por nga revista prestigjioze britanike "The Economist". Në numrin e saj të fundit ajo i ka kushtuar një artikull të veçantë gjendjes katastrofale të energjisë elektrike që ka pllakosur Shqipërinë. Shkrimi pasqyron zhvillimet e fundit të këtij problemi, ku evidenton se fqinjët tanë nuk kanë dhënë ndihmën e duhur për të zgjidhur problemin. "Dimri në Shqipëri, vendin e dytë më të varfër në Evropë pas Moldavisë, është një sezon me 12 orë ndërprerje energji elektrike nëpër qytete, ndërsa në fshatra ndërprerja shkon deri në 20 orë. Gjeneratorët gjatë verës janë malli më i importuar, pasi prodhojnë energji përmes karburantit. Me mijëra biznese të vogla që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit janë drejt kolapsit", thekson "The Economist". "Këtë vit mungesa e energjisë elektrike është më e keqe se kurrë", vijon artikulli, duke analizuar prurjet e nivelit të ujit në hidrocentrale mbi lumin Drin në veri të vendit. Artikullshkruesi nuk harron të përmendë faktin se 30 vite më parë këto hidrocentrale ishin krenaria e regjimit të fundit Stalinist të Enver Hoxhës. Madje Shqipëria i eksportonte energji elektrike Jugosllavisë dhe Greqisë. Ndërsa tani situata është krejt ndryshe. Kërkesa për energji elektrike është shtuar tri herë më shumë se mesatarja në Evropë, pasi shumë shqiptarë kanë lëvizur nëpër qytete duke futur në shtëpi lavatriçe, ngrohës elektrik të paguara nga të afërmit që punojnë në Perëndim. KESH-i është një korporatë e korruptuar e jo eficente, që po vuan të dërgojë faturat elektrike, të mbledhë paratë e njerëzve pa adresa dhe matës elektrik në zonat periferike të Tiranës. Krahas problemeve të KESH-it, që vihen në dukje nga "The Economist", çështja e importit trajtohet si një problem më vete pas mbylljes së reaktorit nuklear në Kozlodui të Bullgarisë si një kusht për ta futur Bullgarinë në BE. "Kjo solli që Bullgaria të ndërpresë eksportin e energjisë për vendet ballkanike me dy të tretën. Por kjo mungesë e energjisë elektrike bën që ekonomia shqiptare të ketë një rritje të ngadaltë, duke ulur po ashtu numrin e investitorëve të huaj më shumë se në vendet e tjera të Ballkanit. Por cila është zgjidhja? "The Economist" shkruan për përpjekjet e Bankës Botërore dhe kompanive italiane të energjisë. "Në pritje për të gjetur një zgjidhje, Banka Botërore, firma italiane të energjisë janë mbledhur për të propozuar një modernizim të mekanizmit furnizues dhe të ndërtojnë stacione të reja energjie në qendër dhe në jug të vendit. Por vetëm një projekt ka bërë progres. Pas disa vitesh një kompani italiane ka fituar tenderin për të ndërtuar një TEC me naftë prej 100 megavat në qytetin e Vlorës, që duhej të fillonte të prodhonte energji në vitin 2010. "The Economist" e shikon gjendjen e shkaktuar në vend si mundësi të shqiptarëve për t‘u hakmarrë ndaj Kryeministrit Berisha. "Me afrimin e zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit, Sali Berisha, Kryeministri i vendit, është nën sulm për mospasjen e dritave. Votuesit janë të prirur të ndëshkojnë Partinë Demokratike për mosrealizimin e premtimeve elektorale në vitin 2005 për riorganizimin e KESH-it, mundësimin e energjisë me çmim të lirë dhe pa ndërprerje" komenton "The Economist". Në fund të artikullit shkruhet se zoti Berisha duhet të fokusohet në zgjidhjen e problemit brenda vendit e jo jashtë tij, duke bërë propozime për rihapjen e reaktorit bullgar. "Andris Piebalgs, komisonieri i BE-së për energjinë, nuk është i bindur. Më 1 shkurt ai i tha zotit Berisha se në vend të bërjes së aleancave me bullgarët, duke kërkuar trajtim special, ai duhet të zgjidhë problemet brenda vendit në shtëpinë e tij. Kjo përgjigje nuk ishte ajo e cila zoti Berisha priste përpara zgjedhjeve lokale", përfundon "The Economist".
Krijoni Kontakt