Deklaratë e përbashkët e Kryeministrit të Shqipërisë zotit Sali Berisha dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë zotit Fatos Nano
Të vetëdijshëm për thellësinë e krizës zgjedhore dhe rrezikun që mund të paraqesë për vendin dhe stabilitetin politik të tij, po ashtu ndikimin negativ në rajon,
Të vetëdijshëm se këto zgjedhje dhe mënyra si do të mbahen ato janë vendimtare për të ardhmen europiane të vendit, por në veçanti për mundësitë e anëtarësimit të afërt në NATO dhe për plotësimin e detyrimeve të vendit kundrejt BE-së, detyrime që rrjedhin nga MSA,
Të bindur se dinamika e marrëdhënieve shumicë-opozitë dhe konkurrenca politike pluripartiake në një vend demokratik nuk sjellin dhe nuk duhet të sjellin konfliktualitet e konfrontime, por zgjidhje në interesin më të lartë të vendit,
Duke vlerësuar se në historinë tone të re politike krizat janë zgjidhur me marrëveshje, dhe se marrëveshja, kontrata, dhe respektimi i saj janë themeli i ngrehinës juridiko-politike të shtetit perëndimor,
Ne deklarojmë:
Zgjedhjet e lira, të barabarta e periodike janë institucioni më i parë i demokracisë dhe njëkohësisht detyrim kushtetues.
Ne vlerësojmë se situata e krijuar nuk është e pakapërcyeshme dhe se zgjedhjet administrative mund të mbahen brenda kufijve tash të relaksuar kushtetues.
Ne deklarojmë domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e datës 18 shkurt, dhe gjithashtu deklarojmë solemnisht para vendit dhe komunitetit të partnerëve tanë ndëkombëtarë angazhimin më të plotë për zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta si dhe u bëjmë thirrje partive politike të punojnë së bashku për suksesin e tyre dhe t’ua lenë vlerësimin e tyre vëzhguesve vendas e të huaj, institucioneve e organizatave ndëkombëtare partnere në rrugën tone të integrimit europian.
Lidhur me çështjen e shumëdiskutuar të certifikatave, ne biem dakord për t’u mbështetur në precedentin e zgjedhjeve të 3 korrikut dhe marrëveshjen e 30 dhjetorit 2006 – certifikata e shoqëruar me një nga dokumentet e cituar në vendimin Nr.1076, datë 01.07.2005 të KQZ.
Ne deklarojmë se stabiliteti politik afatgjatë i vendit qëndron në zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në reformat e thella dhe të gjithanshme të sistemit zgjedhor, sistemit të drejtësisë e të institucioneve të tjera në reformat ekonomike dhe sociale, të cilat duhet të realizohen ne nje process bashkepunimi te qendrueshem bipartizan, në frymën e interesave më të larta kombetare te integrimit euroatlantik të vendit dhe te mos mbahen me peng i politikave konfliktuale te derisotme.
Ne deklarojmë se është në detyrimin e të gjitha forcave politike interpretimi dhe zbatimi korrekt i Kushtetutës, e cila imponon zgjidhje konsensuale në kërkesën e saj për votimin me shumicë të cilësuar për reformimin e sistemit zgjedhor, të drejtësisë, te atij fiskal, per përshtatjen e kodeve themelore te vendit me të drejtën europiane, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ky angazhim politik atdhetar duhet të jetë përcaktimi i atyre që besojnë e punojnë për një Shqipëri europiane si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve.
Ne u bëjmë thirrje palëve pjesëmarrëse në tryezën e iniciuar nga Presidenti i Republikës, që, në bazë të marrëveshjes së 30 dhjetorit 2006, të zgjidhin kundërshtitë me qëllim që të marrë rrugën e duhur procesi zgjedhor aq jetik për demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë dhe vendi te hyje ne nje etape te re zhvillimi dinamik te demokracise, te rritjes ekonomike te qendrueshme dhe te reformave te pershpejtuara per integrim global.
Ne ju shprehim përfaqësuesve të lartë të qeverive dhe organizatave partnere ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të tyre diplomatikë në Shqipëri gjithë mirënjohjen dhe solidaritetin tonë për vazhdimin dhe kurorëzimin me sukses të përpjekjeve dhe kontributeve të përbashkëta për konsolidimin e standardeve europiane të demokracisë në vendin tone dhe në rajon.
Ne ftojmë të gjithë përfaqësuesit e përgjegjshem politikë, drejtuesit e institucioneve demokratike, aktorët e interesave europeiste në gjithë shoqërinë e hapur shqiptare dhe median e lirë të bashkohen dhe angazhohen me përkushtim atdhetar për të shpëtuar vendin njëherë e mirë nga krizat e politikës konfliktuale dhe për të shumëfishuar energjitë dhe sipërmarrjet konvergjente me objektivat kombëtare të integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Tirane, 11 janar 2007
Krijoni Kontakt