---
1943, lind miti - Rezistencë
Projektet e Stalinit dhe taktikat e Palmiro Togliatti-t për të kaluar nga "revolucioni i munguar" në "diversitetin italian". Etapa e parë e analizës që tregon artikulimet e hegjemonisë komuniste në Itali
Në historiografinë e trazuar lidhur me ndodhitë mizore që kanë shënuar jetën italiane për shumë vite pas 25 prillit 1945, "La grande bugia" e Giampaolo Pansa (shtëpia botuese Sperling & Kupfer, 2006) përbën një kapitull të ri, domethënës më shumë për reagimet e ngjallura sesa për zbulimet që përmban. Rëndësi shumë më të madhe politike do të kishin pasur, kjo dhe punime të tjera lidhur me të njëjtën temë, sikur të qenë botuar në vitin 1990, kur partizani komunist Otello Montanari denoncoi i parti klimën e mostregimit lidhur me ato krime, duke ngjallur reagimin e përbuzshëm pikërisht të Pansa-s dhe të drejtuesve komunistë. Disa prej tyre arritën sa ta frikësojnë dhe kërcënojnë Montanari-n, i fshikulluar akoma kohët e fundit nga një drejtues emilian i DS-ëve. Të shumtë janë kultorët e këtij totemizmi historiografik, aderim fideistik ndaj vulgatës rezistenciale, e vetma e legjitimuar për të interpretuar jo vetëm historinë e PKI - PDS - DS, në brazdën e hequr nga liderët Gramsci - Togliatti - Longo - Berlinguer, por edhe, me funksion frikësues, të gjithë historinë republikane. Në realitet, vulgata bazohet mbi një mitologji të ndërtuar me shkallë, një lloj "historiografie progresive", spekullare ndaj "demokracisë progresive" të teorizuar nga Palmiro Togliatti, në sintoni me ndryshimet politike që ndodhin në Itali, të artikuluar në artikulimet e mëdha (1947 - 1948, 1960, 1973, 1978 e 1990) dhe me afirmimin e hegjemonisë kulturore e më pas "morale" e të Majtës. Kjo historiografi është zhvilluar me dy objektiva. I pari, të forcojë identitetin e partisë: antifashizëm dhe rezistencë shërbejnë për të ndërtuar dispozitivin ideologjik të zëvendësimit, Ersatz-in e një lufta klasash pakompromis, prelud i një revolucioni në realitet gjithnjë e më i largët. Për këtë drejtuesit komunistë që, si Pietro Secchia, "ëndërrojnë një luftë të armatosur", shikojnë me dyshim në rritje retorikën dhe theksin rezistencial. Objektivi i dytë, më ambicioz, është ai që, nëpërmjet damnatio memoriae të fashizmit, të fusë atdheun ideologjik, partinë, në atdheun historik, Italinë. Tringjyrëshi që qëndron prapa flamurit të kuq me drapër e çekan, i përket një "nacionalizimi të masave" në prizmin sovjetik, projekt thelbësisht i dështuar në të gjitha vendet e Lindjes europiane, por i destinuar në një sukses ekuivok në Itali dhe i përkthyer me oksimorin e famshëm të "popullit komunist".
Ja forcat demokratike
Në projektin politik të Partisë Komuniste Italiane, historiografia merr një rol qendror, si për vetëafirmimin e partisë, ashtu dhe për grumbullimit rreth vetes të të gjitha "forcave demokratike", në veçanti atyre katolike. Togliatti dhe Kremlini e dinë se pas kolapsit të regjimit fashist dhe të shtetit, prodhuar nga ngjarjet e ndodhura midis 25 korrikut dhe 8 shtatorit 1943 - rezultati katastrofik i të cilave i shtyn angloamerikanët që të krijojnë një folje tallëse, to badogliate (sipas mbiemrit të Mareshallit Pietro Badoglio, i cili u caktua nga Mbreti për kryesimin e qeverisë pas rrëzimit të Mussolinit, shënimi im) - institucioni i vetëm që mund të shmangë kaosin dhe çartikulimin e Gadishullit është Kisha. Miratimi i diskutuar i nenit 7 të Kushtetutës ("Shteti dhe Kisha, secila në rendin e tyre, janë të pavarura dhe sovrane. Raportet e tyre rregullohen nga Paktet Lateranense. Modifikimi i Pakteve, të pranuara nga të dyja palët, nuk kërkojnë procedim revizionimi kushtetues") nuk është kështu një lavizje taktike, siç besojnë shumë, por pjesë e një strategjie me rreze të gjerë e motivuar nga dy arësye: njëra gjeopolitike, tjetra e frymëzuar nga natyra "mesianike" i ideologjisë komuniste. E para është e nënshtruar ndaj diktatit moskovit, kundër një lufte civile në Itali, sipas modelit spanjoll, rezultat e mundshëm i një konflikti të hapur me Kishën. Stalini është shumë i vëmendshëm ndaj raporteve, si të thuash institucionale, e ashtuquajtura "kthesë e Salerno-s" me mbështetjen e monarkisë, faktikisht futet në një kuadër shumë të gjerë, siç e zbulon në rastin jugosllav qëndrimi i tij tepër në favor të Josip Mihajloviçit dhe mosbesues ndaj Titos, i konsideruar, jo krejtësisht gabim, një agjent britanik, apo në Hungari simpatia për Admiralin Horthy. Stalini do në favorin e vet modifikimin e sistemit europian të lindur në Versajë, por jo shkatërrimin e tij: tek ai, vizioni "mesianik" dhe vizioni "dinastik" ndërthuren. Në një perspektivë të tillë duhet lexuar strategjia togliatti-ane që përmbledh edhe një ndodhi vetëm në dukje private: vendimin e marrë në nëndor të vitit 1946 nga kryetari komunist për të lënë të shoqen, Rita Montagnana, dhe për t'u bashkuar me Nilde Jotti. Zgjedhje që i thyen rregullat e moralizmit të rreptë dominues në parti, sigurisht jo e shkaktuar nga pasioni, ndjenjë e huaj për të hidhurn "Migliore" (pseudonimi i Palmiro Togliatti, shënimi im.), por një gjest politik që është për të nënkuptuar fizikisht largimin, në mos shkëputjen, me ambienetet hebraike të bashkëshortes - megjithatë të rëndësishme në historinë e komunizmit italian, për t'ju afruar simbolikisht botës katolike nga e cila vinte Jotti. Në ndeshjen dramatike që po hapet me Moskën dhe sidomos në vendet satelite midis "kozmopolitëve" dhe "nacionalistëve", Togliatti bën një zgjedhje që do të rezultojë fitimtare si në planin e brendshëm, ashtu dhe në raportet me Kremlinin. Duke u larguar nga "kozmopolitët" në pjesën më të madhe të tyre me origjinë hebraike të ardhur në pushtet pothuajse në të gjitha vendet e Lindjes - shumë prej tyre e kishin njëlloj me Togliatti-n përvojën e Luftës Civile spanjolle dhe të brigadave ndërkombëtare - "Migliore" heq çdo dyshim lidhur me besnikërinë e tij ndaj Stalinit, të cilit i njeh mosbesimin në rritje ndaj "spanjollëve" që më pas do të materializohet në proceset e bujshme të Pragës e të Budapestit. Në planin e brendshëm, opozita katolike, e cila has reziestenca të fuqishme në nivelet drejtuese të partisë, përfaqëson një hap të madh drejt "nacionalizimit" të Partisë Komuniste Italiane, objektivi final i së cilës sipas Kryetarit komunist duhet të jetë hegjemonia mbi masat e mëdha që e njohin veten tek katolicizmi.
Katokomunizëm, jo luftë
Në këtë periudhë, të siuntetizuar pastaj nga motoja epike "Vijmë nga larg dhe shkojmë larg", është e domosdoshme të likuidohet çdo orvatje e kotë kryengritëse që në rastin më të mirë dhe përpara shkëputjes me Titon mund të materializohet vetëm në një Republikë të kuqe të Veriut sa të përbindshme, aq edhe gjakatëre, nxjerrjen e mëpasme jashtë ligjit të partisë dhe fundin e projektit togliatti-an. Në korrik të vitit 1948, pas atentatit ndaj liderit komuniste, disa aspekte të të cilit mbesin akoma të errta, nuk ka asnjë tentativë revolucionare, organizata klandestine nuk lëviz dhe grupet më efikase paraushtarake të organizuara e të kontrolluara nga partia menjëherë vihen në rregull, siç ndodhi për Volante Rossa milaneze të ndaluar teksa po lëviz në sulmin drejt një kazerme. Sekretaria komuniste e di mirë se tashmë qeveria, pas bonifikimit megjithëse të pjesshëm të aparateve të sigurisë të kryer në vitin 1947, mund të mbështetet mbi një numër forcash besnike dhe të mirëarmatosura në gjendje të likuidojë çdo lëvizje të dëmshme. Megjithatë, edhe mbi ato ditë të korrikut ka lindur një mit, ai i "revolucionit të munguar", duke kontrabanduar dy dokrra: plogështinë e Togliatti dhe/ose fitoren e çiklistit Gino Bartali në Tour de France që do ta kishin shuar ethen proletare. Në realitet, rezultati atyre përplasjeve materializohet në marxhinalizimin progresiv të militantëve më të papërmbajtur, një pjesë e të cilëve të rënë nën rregullat e ligjit, në sekuestrimin e një pjese të depozitave të armëve të kapura në pritje të Orës X dhe në fortifikimin territorial e ideologjik të partisë. Një fortifikim që nuk mund të jetë vetëm mbrojtës, duke rritur pakënaqësitë e bazës, por ka nevojë për një objektiv ndaj të cilit të drejtojë energjitë: atëhere ja e akktivizuar sërish "çifti i forcave", Rezistencë - antifashizëm (në ato vite kundër Demokracisë Kristiane dhe veçanërisht kundër Scelba e De Gasperi (eksponentë të lartë demokristianë të kohës, shënimi im.) që bëhet me kalimin e kohës një "rezervë sensi", dispozitivi ideologjik mobilizues të cilit Partia Komuniste Italiane i drejtohet çdo herë që e mendon të domosdoshëm për projektet e saj. Aspekti më i rëndë i kësaj strategjie, e zbatuar me sukses në raste të ndryshme, është se duke filluar nga viti 1960 bëhet një lloj magneti edhe për ato forca politike që do të kishin të gjithë interesin për t'u çliruar nga çdo hipotekë komuniste, në radhë të parë katolikët. Që apeli ndaj solidaritetit antifashist është një kurth i zgjuar e kupton fare mirëDon Luigi Sturzo, kur me rastin e zgjedhjeve vendore romane të vitit 1952, propozon një listë civile të hapur edhe ndaj MSI-së (Lëvizja Sociale Italiane, parti që përmblidhte elementët ish fashistë, shënimi im.). Spektri i kërcënimit të "zi" shërben gjithmonë për të kompatësuar "popullin komunist", duke u bërë një element strukturor i identitetit të saj akoma sot, kur nga fashizmi, pas pastrimeve të bollshme të Fiuggi-t (emri i qytetit në të cilin u kalua nga MSI-ja në Aleanza Nazionale të Gianfranco Fini-t, shënimi im), është zhdukur çdo gjurmë.
Dhe ja "parimi i së Keqes"
Duke e bërë progresivisht fashizmin një lloj entiteti metafizik, "parimin e së Keqes", domethënë ontologjikisht të huaj ndaj identitetit kombëtar, Partia Komuniste Italiane synon që të paraqitet jo vetëm si forcë politike patriotike - Garibaldi e Gramshi të bashkuar në luftë - por edhe si bartëse instancash dhe vlerash që e bëjnë nga pikëpamja cilësore të ndryshme nga partitë e tjera, duke ndërtuar një mit tjetër, atë të "diversitetit" komunist, që me kalimin e kohës tërheq në mënyrë intime shpura moralistësh me treg të mirë, laikë dhe katolikë. Një mit i diversitetit i ushqeyer jo vetëm nga propaganda e Botteghe Oscure (rruga në të cilën ndodhej selia e Partisë Komuniste Italiane, shënimi im), por nga shumë shokë udhëtimi. Njerëzit mbi të cilët "diversiteti" komunist ka më shumë efekt në periudhën afatgjatë janë ata katolikë të gatshëm të identifikohen në mirësinë e vrazhdë të një "Don Camillo"-je, që e konsiderojnë represionin religjioz të vendeve të Lindjes dhe rruzaren e priftërinjve të vrarë në Itali në periudhën e rezistencës dhe pasreyistencës vetëm si incidente të shëmtuara të rrugëa. Fillon të trupëzohet një lloj "paganizmi social" filokomunist, prelud i kolonizimit marksist të vetëdijeve. Fillimisht bëhet fjalë për një fenomen molekular, edhe pse rithemelimi i shtetit, i kryer ndër të tjera vetëm pjesërisht nga "regjimi demokristian" - elementë substancialë të kushtetutës e gërryejnë sovranitetin e shtetit dhe themelojnë CanossaRepublik-ën tonë - frenon pulsimet filokomuniste. Faktikisht është e njohur edhe për katomarksistët më të guximshëm se Partia Komuniste Italiane e vazhdon veprën e saj të infiltrimit në institucione dhe se repartet e saj të armatosura klandestine nuk janë shkrirë aspak, në pikën që akoma në janar të vitit 1955 Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Paolo Emilio Taviani, e pranon rrezikun e një lufte civile. Nëqoftëse kjo është e vërtetë, siç është e vërtetë, atëhere duhet kërkuar se si ka qenë e mundur dhe cilat ambiente kanë garantuar pandëshkueshmërinë susbtanciale të kësaj partie, duke lejuar mbijetesën e aparatit okult të saj, pjesërisht i rishfaqur si një lumë karstik gjatë ditëve të korrikut 1960, kur dispozitivi "Rezistenzë - antifashizëm" zbulon natyrën e tij antipatriotike dhe shteti i parealizuar abdikon përballë sheshit. Lind atëhere dhe organizohet ideologjikisht e materialisht një Republikë tjetër, "Republika antifashiste", e cila do të jetë terren pjellor mbjelljeje për zhvillimin e Gjashtëdhjetëetetës me deformimet e tij të egra të pambarimta.
Përgatiti: ARMIN TIRANA
RD
Krijoni Kontakt