
Postuar më parë nga
Xhuxh Xhumaku
Gazeta Shqiptare, 09/02/2007 - 09:48
“Kriminelët shqiptarë me mbështetje institucionale”
•
Itali-Shqiptarë e italianë pastrojnë para në Itali dhe Shqipëri, duke investuar". Kështu ka lënë të nënkuptohet dje gjatë analizës njëvjetore, prokurori kombëtar i Antimafias Italiane, Pietro Graso. Ky i fundit ka vënë në dukje edhe lidhjen e kriminelëve shqiptarë me zyrtarë të policisë dhe të institucioneve tjera. "Në vendin e tyre gëzojnë mbështetje institucionale dhe të personave të ndryshëm nga radhët e policisë", - ka thënë Graso.
Sipas kryeprokurorit italian të Antimafias, rritja e kriminalitetit shqiptar në Itali po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, ku më shumë se një mijë persona të kësaj kombësie janë arrestuar gjatë periudhës korrik 2005-gusht 2006 në Itali, ndërkohë që numri i të hetuarve është akoma edhe më i madh. Është rritur ndërkaq edhe fluksi i parave të pista që hyjnë nga Italia në Shqipëri, që të konvertuara në monedhën e vjetër italiane, janë disa miliardë lireta në vit. Këto janë disa nga të dhënat e evidentuara nga prokurori kombëtar i Antimafias Italiane, Pietro Graso në relacionin e tij vjetor, të depozituar dje në komisionin Antimafia dhe të bërë publik, kryesisht mbi aktivitetet investigative ndaj mafies italiane dhe asaj të huaj. "Duke iu referuar sektorëve jo të ligjshëm të klaneve shqiptare, që ashtu si dhe në vendin e tyre gëzojnë mbështetje institucionale dhe të personave të ndryshëm nga radhët e policisë, Graso thotë se ata kanë monopolin e prostitucionit të organizuar përmes regjimit të terrorit dhe marrëveshjes së vetë vajzave". "Grupe kriminale shqiptare, si normë janë formuar nga persona që vijnë nga i njëjti qytet, nga e njëjta lagje, e madje dhe nga i njëjti fis. Këta kanë kryesisht një strukturë horizontale, në brendësi të së cilës mund të njihet vetëm shefi. Është e sigurt se grupimet shqiptarë kanë pothuajse monopolin e shfrytëzimit të prostitucionit në Itali dhe se në disa raste iu delegojnë keqbërësve rumunë kontrollin dhe shoqërimin në rrugë të prostitutave", - ka theksuar Graso.
Shqetësues, sipas prokurorit italian, paraqet shfrytëzimi i të miturve. "Ne veçanti është alarmant fenomeni i trajtimit të fëmijëve, të cilët detyrohen të lypin ose destinohen për tregun e adoptimeve ilegale, ose të pedo-pornografisë", - vijon më tej kryeprokurori i Antimafias Italiane. "Duhet nënvizuar se organizatat shqiptare gjejnë mbështetje në ambientet institucionale. Ky fakt ka rezultuar nga hetime të shumta, të cilat kanë zbuluar dhe siguruar raportin e këtyre personave me pjesëtarë të disa institucioneve dhe policisë", - shton Graso, ndërsa njofton edhe për rritjen e pjesëmarrjes së grave në krime të llojeve të ndryshme (trafik i lëndëve narkotike, vjedhje, shfrytëzim prostitucioni, grabitje, etj), shpesh me role kryesore. Ne lidhje me riciklimin dhe ripërdorimin e kapitaleve me prejardhje të jashtëligjshme, "duhet vënë në pah numri i madh i transaksioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, që shkon në disa mijë miliarda lira (monedha e vjetër italiane)". Sipas Grasos, "duhen vënë në dukje, gjithmonë duke iu referuar hipotezave të riciklimit të parave në aktiviteteve ekonomike, se kriminelë shqiptarë e italianë pastrojnë paratë duke investuar në të dy vendet".
ANSA
Krijoni Kontakt