Para shumë vitesh, sallat e bilardove pushtoheshin vetëm nga meshkujt. Nuk kishte dhe nuk ka një rregullore që duhet të tregojë se kush duhet të hyjë ose jo, por mentaliteti vepronte dhe hyrja e femrës në një bilardo ishte si tabela që tregon ndalimin e duhanit. Në ditët e sotme, ky mentalitet nuk ka ndryshuar plotësisht, por ka filluar të zbehet paksa. Jo vetëm në zonën e ish-Bllokut, por edhe në zona të tjera femrat janë frekuentuese të bilardove. “Para ca kohësh unë debatoja me familjen time, pasi për ta ishte e pakonceptueshme që unë të luaja bilardo e, për më tepër, në bilardot e lagjes.
Tani kam arritur t’i bind dhe më lejojnë të luaj, së bashku me motrën time,” thotë për “GT”-në Luljeta Agolli, 19-vjeçarja banuese në Rrugën e Dibrës. “Është një lojë shumë argëtuese. Në të shumtën e rasteve, kur kam kohë të lirë luaj me motrën time dhe me shoqet e mia,” tregon Luljeta për lojën e saj të preferuar. Çmimi i një loje bilardo kushton vetëm 30 lekë, dhe për Luljetën është më mirë të luajë bilardo sesa të konsumojë kafe nëpër lokale. Ajo tashmë është bërë frekuentuese e rregullt e bilardos, pranë lagjes së vet. “Sporti im i preferuar është bilardoja; kohën time të lirë ia dedikoj këtij sporti, pasi më ofron argëtim dhe gjithmonë shkoj me të fejuarin tim,” shprehet një tjetër vajzë, Elona. Në fillim ishte tabu, por, mesa duket, ky sport preferohet dhe frekuentohet edhe nga femrat.
Sigurisht që shumë prej tyre e shohin si të pakonceptueshme të shkojnë në një bilardo. “Mendoj se kjo lojë është vetëm për meshkuj. Nuk më pëlqen ta luaj ose të shoh femra që shkojnë dhe luajnë. Unë mendoj se kjo lojë është si futbolli, pra vetëm për meshkuj.” Kështu e mendon Albana, studente e vitit të dytë, pranë Fakultetit Histori-Filologji, dega Histori, në Tiranë. Por ka edhe raste kur femrat duan të luajnë e s’munden të shkojnë në bilardot e lagjeve, por vetëm në zonën e ish-Bllokut, pasi aty familjarët e tyre nuk i shohin. “E adhuroj bilardon, por në lagjen time nuk mund të luaj. Për mamanë time është e patolerueshme që një femër të luajë një lojë meshkujsh,” thotë Ardita, një banuese tjetër e Rrugës së Dibrës. Rastet e sipërme na tregojnë mjaft qartë se ka ardhur koha që lojërat apo sportet të mos jenë të prera vetëm për meshkujt ose vetëm për femrat. Nëse një femër dëshiron të luajë bilardo, le ta bëjë. Kush do, le ta gjykojë! Bilardo, ky sport tërheqës, jo vetëm për meshkujt, por tashmë dhe për femrat kryeqytetase.
Femra, nëse një ditë jeni përpara një bilardoje dhe dëshironi të hyni, mos nguroni! Keni të drejtë, po aq sa kanë edhe meshkujt! Ku i dihet, mund të jeni më të mira!
Valbona Ndreka
Krijoni Kontakt