"Kosova nuk do të bashkohet me Shqipërinë"
INTERVISTA/ Flet Spiro Koçi, ambasadori i Shqipërisë në Beograd: Të pranohet plani i Ahtisarit si zgjidhja më e mirë
Spiro Koçi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Serbi, thotë se qeveria e tij në Tiranë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Serbinë, sepse është në interes të të gjitha vendeve në rajon. Ambasadori shqiptar, i cili është njëri ndër diplomatët më të rinj të karrierës së këtij vendi, dërgoi mesazhin për qeveritarët e Beogradit dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. Sipas tij, qëndrimi zyrtar i qeverisë shqiptare, por dhe mendimi i shumicës së popullit shqiptar, është pranimi i planit të Ahtisarit, si zgjidhja më e mirë për të gjithë në rajon, përfshirë dhe serbët në Kosovë.
Cili është mendimi juaj për planin e Ahtisarit?
Shqipëria mbështet plotësisht planin e Ahtisarit, sepse ne mendojmë se ajo çfarë ofron ai, është zgjidhja më e mirë për njerëzit në Kosovë, si për shqiptarët ashtu dhe për popullsinë serbe. Shqipëria nuk është e vetmja që mbështet planin e Ahtisarit. Këtu janë edhe SHBA, BE e NATO.
Qeveria dhe opozita në Beograd janë të bashkuar në refuzimin e planit të Ahtisarit dhe pavarësisë së kontrolluar, si zgjidhje për statusin e Kosovës. Cili është qëndrimi juaj për këtë dhe sa do të ngarkohen marrëdhëniet mes Serbisë e Shqipërisë?
Shqipëria nuk dëshiron që vendimi për statusin e Kosovës të ketë ndikime negative në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë. Ne kemi shumë të përbashkëta. Para së gjithash, kemi interes ekonomik në bashkëpunimin e ardhshëm dypalësh. Prandaj mesazhi im për zyrtarët më të lartë në Serbi ka qenë se, mospajtimet dhe qëndrimet tona të ndryshme për çështjen e planit të Ahtisarit, nuk duhet të ndikojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe të Shqipërisë e Serbisë.
Si do të reagojë Shqipëria ndaj vetos së mundshme ruse?
Pozicioni i Republikës së Shqipërisë, ka qenë gjithnjë në përputhje me vendimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ne do të sillemi në mënyrë konstruktive dhe do të mbështesim qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare edhe në të ardhmen, siç kemi bërë në të kaluarën.
A keni folur për këtë me ambasadorin rus, Aleksejev, ose ndonjë zyrtar tjetër të këtij vendi?
Unë jam takuar me ambasadorin Aleksejev, si dhe me shumë kolegë ambasadorë nga vende të ndryshme dhe kemi folur shumë herë për shumë probleme. Mes të tjerave kemi folur edhe për Kosovën. Unë i kam thënë Aleksejevit se çfarë mendon qeveria ime në Shqipëri për çështjen e Kosovës, ndërsa ai ka shprehur qëndrimin e qeverisë ruse, i cili pak a shumë është i njohur për publikun e gjerë. Kur e kemi parë se nuk biem dakord për këtë çështje, kemi filluar të bisedojmë për çështje të tjera, normalisht dhe miqësisht.
Si reagojnë njerëzit e zakonshëm në Tiranë, ndaj idesë së liderëve kosovarë, që Kosova të jetë e pavarur ose që ajo t‘i bashkohet "Shqipërisë së Madhe"?
Të gjitha opsionet politike në Shqipëri, si ato të qeverisë, ashtu dhe ato opozitare, kanë treguar vullnetin politik, që Kosova të jetë e pavarur, sepse siç e kam thënë, sipas qëndrimit zyrtar dhe mendimit të politikanëve shqiptarë, zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia. Unë mendoj se këtë qëndrim e mbështet shumica e njerëzve në Shqipëri, sepse të gjithë ne atje kemi vuajtur shumë nga destabiliteti dhe kriza në Kosovë. Në shtëpitë tona dhe në qendrat e refugjatëve kemi pasur qindra mijëra njerëz, të shpërngulur nga Kosova në vitin 1999. Shqipëria është relativisht e vogël dhe vend i varfër. Ka qenë e vështirë për t‘i "mbuluar" të gjitha këto. Nëse shkoni e pyesni njerëzit në Shqipëri, do ta shihni se them të vërtetën. Pavarësia është mënyra e vetme për të vendosur stabilitet në këtë rajon. Ne të gjithë e shohim Kosovën si vendin e ardhshëm fqinj. Përpiqemi të bashkëpunojmë dhe të mbajmë marrëdhënie të mira edhe me Kosovën, si dhe me të gjitha vendet e tjera fqinje tonat në rajon.
A do të thotë kjo, se edhe nëse Kosova merr pavarësinë, ju nuk e shihni në asnjë variant atë, si pjesë të "Shqipërisë së Madhe", por vetëm si shtet fqinj?
Absolutisht jo si pjesë të Shqipërisë, vetëm, si shtet fqinj.
Po nëse serbët, të themi vullnetarisht heqin dorë nga Kosova dhe pranojnë që t‘i jepet pavarësia kësaj pjese të shtetit të vet? Edhe në këtë rast Shqipëria nuk do të bashkohej me Kosovën?
Ne nuk kemi asgjë me atë që thonë e do të thonë serbët. Kam thënë se ne tashmë mbështetim planin e Ahtisarit, sepse ai bazohet në parimet e Grupit të Kontaktit (GK). Ne mbështesim çdo vendim të bashkësisë ndërkombëtare dhe e përsëris që në këtë rast e paraqet GK.
Me sa jam i informuar unë dhe publiku i gjerë në Serbi, edhe brenda GK ka ndarje të mendimeve për statusin e Kosovës. Planin e Ahtisarit nuk e mbështesin të gjitha vendet?
Po, por plani i Ahtisarit dhe parimet e GK, janë të shprehura në qëndrimet se Kosova nuk mund të jetë e ndarë, as e bashkuar me ndonjë vend tjetër në rajon. Prandaj kam thënë se ne, duke mbështetur këto qëndrime, përjashtojmë çfarëdo mundësie të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Jam fort i bindur, se pavarësia është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Ne dhe shqiptarët e Kosovës jemi i njëjti popull, por historia dhe drejtimet e zhvillimit në shekullin e fundit, kanë qenë të ndryshme. Prandaj është më mirë, që secili të mbetet në vendin e vet.
Cili është mendimi juaj për konceptin "më shumë se autonomi, e më pak se pavarësi"?
Nuk e kuptoj formulimin "më shumë se autonomi e më pak se pavarësi". Askush nuk e kupton këtë. Kjo është "hedhje hi syve". Beogradi u jep shqiptarëve të Kosovës kompetenca mbi të gjitha institucionet, po nuk lejon vend në OKB, ushtri dhe Ministri të Punëve të Jashtme. Kjo është vendosje në rezervat. Mund të bësh çfarë të duash në Prishtinë, por jo në Vjenë, Bruksel e Nju- Jork. Atje askush nuk do të shikojë e dëgjojë. Kjo është hipokrizi.
Çfarë mendoni për ndarjen e Kosovës si zgjidhje?
E përjashtoj këtë si mundësi dhe mendoj se kufijtë e Kosovës duhet të jenë ata që ka parashikuar GK në parimet e tij.
A është i gatshëm pushteti shqiptar ta njohë në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës, nëse vendimi i KS do të jetë ndryshe?
Siç ju kam thënë, Republika e Shqipërisë, vitet e fundit ka rol mjaft të matur e konstruktiv, gjë që e tregojnë të gjitha raportet e institucioneve evropiane. Çdo vit marrim vlerësimet më të mira nga institucionet euroatlantike, për përpjekjet që bëjmë për t‘u përfshirë në integrimet euroatlantike. Për këtë flet më mirë vizita e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, në Shqipëri. Sido që të jetë vendimi i Këshillit të Sigurimit për statusin e Kosovës, ne do ta respektojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë si dhe deri tani, në përputhje me vendimet e bashkësisë ndërkombëtare.
A do të thotë se Shqipëria e ka hapur konsullatën në Kosovë, që ju gjatë gjithë kohës të mbështesni lëvizjen për pavarësinë e Kosovës dhe aksionet e tyre terroriste kundër shtetit të Serbisë, në të cilën ju jeni përfaqësuesi zyrtar më i lartë diplomatik i vendit tuaj?
Fakti është se, Serbia nuk e administron Kosovën që nga viti 1999. Kosova është nën kompetencat e UNMIK-kut. Në faktin se Shqipëria ka në Kosovë një përfaqësi të vogël diplomatike, nuk shoh asgjë të tmerrshme dhe as nuk mund të shpjegohet si akt kundër Republikës së Serbisë. Shumë shtete kanë zyrat e veta, që janë të pavarura nga ambasadat në Serbi dhe janë hapur për vendosjen e një bashkëpunimi e komunikimi më të mirë me UNMIK-un. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë, se ne mbështesim grupet terroriste, sepse në Kosovë me sa di unë nuk ka të tilla. Lëvizjen për pavarësi dhe luftën e liderëve të tyre për pavarësi, i mbështesim, sepse ata luftojnë për idenë që e mbështet shumica e shqiptarëve në Kosovë.
Pse nuk i ka dënuar Shqipëria asnjëherë sulmet mbi serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë?
Nuk është e vërtetë. Ju kam thënë, mendimi ynë është se çdokush që kryen çfarëdo akti kriminal duhet të përgjigjet. Kriminalitetin nuk duhet ta tolerojë askush, pra as politikanët dhe kjo vlen për të dyja palët. Marrim shembullin e Haradinajt. Shumica e shqiptarëve e vlerësojnë vendimin e tij për të dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit dhe për t‘u vetëdorëzuar në Hagë. Ne besojmë se do të lirohet nga akuzat, por nëse gjykata dëshmon se ai është fajtor, duhet të përgjigjet. Pra, dhe në këtë rast, mbështesim vendimin e gjykatës. Qeveria shqiptare është e bindur se Gjykata e Hagës është e paanshme dhe besojmë thellë në drejtësinë e të gjitha vendimeve, që janë marrë deri tani atje.
A keni qenë në Kosovë, që kur jeni në detyrë?
Jo. Ju thashë se jam përfaqësues diplomatik i vendit tim në Serbi dhe jo në Kosovë. Kam qenë në Jug të Serbisë para zgjedhjeve në janar, kur mora detyrën dhe i kam ftuar liderët shqiptarë të atjeshëm që të dalin në zgjedhje dhe të përfshihen në punën e institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë. Kam qenë në Vojvodinë, por jo në Kosovë, sepse po e përsëris, unë jam ambasador i Shqipërisë në Serbi dhe do të jap gjithçka nga vetja, derisa të zgjasë mandat im këtu, që të punoj për krijimin e marrëdhënieve sa më të mira të Shqipërisë me Serbinë.
Si e vlerësoni situatën e tanishme politike në Serbi?
Ne vlerësojmë se forcat demokratike në Serbi kanë formuar qeverinë demokratike dhe doja ta shfrytëzoja rastin të them, se qeveria e Shqipërisë ka vullnet të madh që të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e Serbisë dhe të vendosë marrëdhënie akoma më të mira mes dy shteteve tona. Marrëdhëniet e mira të vendeve tona nuk janë çështje me interes vetëm për Shqipërinë e Serbinë, por dhe për të gjithë rajonin.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt