Në muajin qershor KS i OKB-së do të votojë rezolutën e re për Kosovën
Këshilli i Sigurimit do të votoj për rezolutën e re për Kosovën në muajin qershor. Kështu i kanë thënë RTK-së burime diplomatike të afërta me procesin. Votimi për rezolutën e re është shtyrë për në qershor, pasi SHBA dhe Rusia duket se janë afër një marrëveshje për Rezolutën e cila megjithatë nuk do të ndryshoj shumë në substancën e saj.
Rezoluta e re për Kosovën, e hartuar nga SHBA dhe BE, nuk do të hidhet për votim gjatë këtij muaji në KS. Burime diplomatike i kanë thënë RTK-së se tashmë ekziston pajtueshmëria ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë që kjo çështje të përmbyllet në qershor, e jo gjatë këtij muaji, siç patën kërkuar SHBA.
Sipas burimit, SHBA dhe Rusia ende janë në diskutime intensive rreth përfshirjes së kërkesave ruse në përmbajtjen e Rezolutës së re, por nuk priten ndryshime substanciale në Rezolutën e cila do të lë hapësirë që Kosova të shpall pavarësinë.
Diplomati evropian i deklaroi RTK-së se Rusia e ka kuptuar se nuk mund të bllokojë pavarësinë e Kosovës, pasi 12 shtete anëtare të KS e mbështesin një gjë të tillë.
SHBA kanë pranuar kërkesën e Rusisë që në Rezolutën e re të përfshihet edhe emërimi i një të dërguari special të OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë, gjë të cilën e kanë konsideruar si kompromis me kërkesat ruse.
Ndërkaq, nesër ose pasnesër pritet të qartësohet edhe pozicioni i Afrikës së Jugut, shtet ky me të cilin SHBA po ashtu kanë pasur diskutime me qëllim të përkrahjes së planit.
SHBA-të së fundi janë shprehur kundër shpalljes së një anshme të pavarësisë dhe vendosjes së afateve kohore për miratimin e Rezolutës, por presin që kjo të ndodh brenda javësh.
| s.b & RTK staff | 17 maj 2007 - 17:18:15
Krijoni Kontakt