Shtajnmajer rithekson se Kosova është rast unik
Berlin, 20 shkurt - Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të marrë vendimin për Kosovën, nëse shqiptarët e Kosovës dhe serbët nuk arrijnë zgjidhje gjatë bisedimeve për planin që e ka propozuar Marti Ahtisari. Gjatë një konference për shtyp me homologun e tij gjeorgjian Shtajnmajer përsëriti se Kosova është rast unik. "Rasti i Kosovës është unik dhe nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera", tha ministri i jashtëm gjerman. Nga ana tjetër shefi i diplomacisë së Gjeorgjisë, Gela Bezhuashvili ka përsëritur të njëjtin qëndrim: "Çdo përpjekje për të vendosur paralele mes konfliktit në Kosovë dhe ndonjë konflikti në territorin e Gjeorgjisë apo gjetkë është gabim dhe i rrezikshëm. Rusia të mendohet mirë kur manipulon me parimet bazë të integritetit territorial", tha Bezhuashvili.
QIK
Bilt tha se Serbisë duhet t'i propozohet perspektivë evropiane për ta pranuar Planin e Ahtisarit për Kosovën
Vjenë, 20 shkurt Shefi i diplomacisë suedeze, Karl Bilt tha se Serbisë duhet t'i propozohet perspektivë e qartë të hyrjes në Bashkimin Evropian në mënyrë që Beogradi të pranojë Planin e Ahtisarit. "Nëse i ofrojmë perspektivë me një qasje shumë të qartë në BE, Serbia do të jetë e gatshme të jetojë me Planin e Ahtisarit dhe me kalimin e kohës ta pranojë atë". Kështu është shprehur Karl Bilt në të përditshmën austriake "Presse". Sipas tij nëse nuk ofrohet opsioni evropian ekziston rreziku që Serbia të zhytet në nacionalizëm dhe ta bllokojë zgjidhjen për Kosovën.
QIK
Zonat mbrojtëse të kishave serbe në pakon e Ahtisarit janë mollë sherri, tha Mark Krasniqi
Prishtinë, 20 shkurt Përfaqësuesit e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës kanë shfaqur shqetësimet e tyre rreth pakos së Presidentit Marti Ahtisari. Kryetari i PSHDK-së akademik Mark Krasniqi tha se përkrah pakon e Presidentit Ahtisari, por sipas tij, projekti është i rrezikshëm për paqen në Ballkan. Ai ka shtuar qëndrimin e tij se faktori ndërkombëtar mendon se me lëshimet që bënë ndaj Serbisë do të demokratizojë atë, por Serbia është edukuar nga Kisha ortodokse serbe, e cila e përkrah politikën ditore të saj. Akademik Krasniqi ka theksuar se territor i Kosovës ka pasur shtrirje deri në Krushevc dhe se shumë kisha në Kosovë, të cilat i ka okupuar Serbia gjatë luftrave janë ruajtur nga populli shqiptar. Kreu i PSHDK së mendon se zonat mbrojtëse të kishave serbe janë mollë sherri.
QIK
Bashkësia Islame dhe Kisha katolike kërkojnë që të mos anashkalohet trashëgimia islame dhe katolike
Prishtinë, 20 shkurt Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha katolike kërkuan që në pakon e të dërguarit të OKB së për statusin Marti Ahtisarit të mos anashkalohet trashëgimia kulturore e fetare e besimtarëve të besimit islam dhe atyre katolikë, pasi sipas tyre kishave ortodokse serbe i janë dhënë privilegje të tepërta. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kritikoi disa pika të pakos së Marti Ahtisarit për shkak se konkludohet se Kosova nuk duhet të ketë fe zyrtare që privilegjet doganore dhe tatimore që i ofrohen kishës ortodokse serbe të jenë edhe për dy bashkësi tjera fetare në vend, atë myslimane dhe katolike
QIK
Krijoni Kontakt