BE-ja përgatit misionin e madh civil që do t'i ndihmojë Kosovës në arritjen e pavarësisë
Bruksel, 28 mars - Bashkimi Evropian po përgatitet për misionin deri më tash më të madh civil i cili do t'i ndihmojë Kosovës që ta arrijë pavarësinë. Në një deklaratë të përbashkët, eurokomisoneri për zgjerimin Oli Ren dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Havier Solana shpresojnë që misioni në tërësi do të jetë operacional gjatë periudhës së tranzicionit prej 120 ditësh dhe do të zgjasë të paktën dy vjet, nga 2008 deri më 2010. Parashikohet që shpenzimet për misionin do të kapin shumën prej 1.3 miliardë eurosh.
Bush dhe Putin diskutuan edhe për Kosovën gjatë një bisede telefonike
Uashington/Moskë, 29 mars Kosova ka qenë një prej temave të diskutuara gjatë një bisede telefonike mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush dhe atij rus Vladimir Putin. Kjo është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë nga zëdhënësja Kejt Star.
"Presidenti Bush foli në mëngjesin e djeshëm me prsidentin rus Vladimir Putin rreth rëndësisë së vazhdimit të dialogut rreth Iranit, bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes raketore, Kosovës dhe çështjeve të tjera të interesit të përbashkët", ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë. E pyetur se cili ka qenë qëndrimi i Presidentit Bush për Kosovën gjatë bisedës telefonike me homologun rus, zëdhënësja Star ka thënë: "Unë mund të përsëris qëndrimin e administratës sonë rreth Kosovës. Ne mbështesim plotësisht rekomandimet e përfshira në raportin e dërguarit të posaçëm Ahtisari për statusin e Kosovës. Ne jemi plotësisht të përfshirë me partnerët tanë në Këshillin e Sigurimit për ta çuar këtë çështje përpara", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kejti Star për radion "Evropa e lirë" pas bisedës telefonike mes Presidentit Bush dhe atij Putin. Ndërkaq Kremlini përmes një deklarate për shtyp pas bisedës mes dy presidentëve ka theksuar se pala ruse konfirmoi pozicionin parimor kundër imponimit të zgjidhjes mbi palët në mënyrë që zgjidhja të jetë e pranueshme si për Beogradin edhe për Prishtinën.
Deputetët josocialistë kanë theksuar se pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme
Bruksel, 29 mars Parlamenti Evropian ka disktuar lidhur me rezolutën që duhet të votohet sot për Kosovën në këtë parlament. Autori që ka përatitut këtë rezolutë, Jost Langedajk edhe një herë u bëri thirrje të gjithë kolegëve që të votojnë pro raportit të tij, i cili mbështet qartë planin e Ahtisarit dhe po ashtu kërkon që të përmendet edhe emri i statusit, përkatësisht të thuhet se zgjidhja më e mirë për statusin e Kosovës do të jetë sovraniteti nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Propozimin e tij do ta përkrahin shumica në Parlamentin Evropian, por grupi socialist në Parlamentin Evropian është shprehur se nuk do të votojë pro amandamentit ku përmendet sovrantiteti. Deputetët e gjelbër dhe demokristianë kanë theksuar në debatin e djeshëm se Parlamenti Evropian duhet të thotë qartë se pavarësia e Kosovës, përkatësisht sovraniteti është zgjidhja e vetme për statusin e Kosovës dhe do të votojnë në favor të përmendjes së fjalës sovranitet. Shumë deputetë të Parlamentit Evropian apeluan që të dëshmohet uniteti i BE së pasi që Kosova është problem evropian dhe vetëm me unitet mund të sigurohet që të kalohet sa më shpejtë që të jetë e mundur edhe rezoluta e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.
Britania përkrah fuqishëm planin e Ahtisarit, tha Blant
Drenas, 29 mars Britania e Madhe përkrah fuqishëm planin e Marti Ahtisarit dhe se ka argumente të fuqishme për t[i kundërshtuar ata që thonë se Kosova është precedent. Kështu u shpreh shefi i Zyrës britanike në Prishtinë, Dejvid Blant. Ai ka theksuar se elementet e dhunës do ta vështirësonin zgjidhjen e statusit. Ai i bëri këto komente në debatin me qytetarë të Drenasit. Diplomati britanik ka nënvizuar se gjatë kohës së Britania e Madhe të jetë në krye të Këshillit të Sigurimit në muajin prill ka përgjegjësi që të përfundojë procesin mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. "Secili duhet ta kuptojë se në Këshillin e Sigurimit përfaqësohet opinioni botëror. Janë qeveritë e ndryshme të cilat e shikojnë çështjen e Kosovës me prapavijë të ndryshme dhe shumë prej tyre në Nju Jork pyesin nëse procesi është korrekt dhe nëse respektohet e drejta ndërkombëtare. Ne, Britania e Madhe do t'u bëjmë të qartë se çështja e Kosovës është unike dhe se kjo çështje ka të bëjë midis të drejtës për integritet territorial dhe vetëvendosjes", ka thënë Blant.
BE do të kontribuojnë me dy miliardë dollarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Bruksel, 29 mars Bashkimi Evropian të premten do t'u bëjë thirrje vendeve anëtare që të kontribuojnë me një ndihmë të shpejtë deri në dy miliardë dollarë për zhvillimin ekonomike të Kosovës gjatë tri viteve të ardhshme, pas arritjes së pavarësisë, thuhet në një dokument të brendshëm të Bashkimit Evropian. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashihet të ofrojnë një të katërten e shumës se përgjithshme, por Bashkimi Evropian pritet të udhëheq rindërtimin në Kosovë pasi pavarësia të marrë dritën e gjelbërt nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara", thuhet në dokumentin, që do t'u paraqitet ministrave të jashtëm të vendeve të BE së në takimin që do të mbahet në Bremen të Gjermanisë
Krijoni Kontakt