TRASHËGIMIA KULTURORE DHE FETARE
Neni 1 Emri, organizimi i brendshëm dhe pasuria e Kishës ortodokse serbe
1.1 Kisha ortodokse serbe (KOS) e Kosovës do të gëzojë mbrojtje dhe gëzim të të drejtave
të veta, privilegje dhe imunitete, ashtu siç parashikohet me këtë Aneks. Ushtrimi i këtyre të drejtave, privilegjeve dhe imuniteteve bartë me vete edhe detyra dhe përgjegjësi për të vepruar në pajtim me ligjet e Kosovës, dhe për të mos shkelur të drejtat e të tjerëve.
1.2 Kosova do ta njeh Kishën ortodokse serbe të Kosovës, duke përfshirë manastiret, kishat
dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare, dhe si pjesë integrale e Kishës ortodokse serbe me seli në Beograd.
1.3 Kosova do ta respektojë emrin edhe organizimin e brendshëm të Kishës ortodokse
serbe, duke përfshirë këtu edhe hierarkinë dhe aktivitetet e saj.
1.4 Kosova garanton që prona e luajtshme dhe e paluajtshme si dhe pasura tjetër e Kishës
ortodokse serbe, është e paprekshme dhe nuk do të jetë objekt i eksproprijimit.
1.5 Kisha ortodokse serbe në Kosovë do të ketë diskrecion (liri të plotë veprimi) të plotë në
menaxhimin e pasurisë së vet dhe qasjes në objektet e veta. Autoritetet e Kosovës do të kenë qasje në objektet të cilat janë pasuri e Kishës ortodokse serbe të Republikës së Serbisë, vetëm me pëlqimin e dhënë nga Kisha, në rastet e urdhrit gjyqësor të lëshuar në lidhje me aktivitetet ilegale, ose në rast të rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin.
Neni 2 Përkrahja ekonomike dhe përkrahja tjetër
2.1 Kisha ortodokse serbe e Kosovës do të jetë e lirë të pranojë donacione dhe të përfitojë nga përkrahja tjetër nga çdo institucion brenda ose jashtë Kosovës. Këto donacione do të jepen në mënyrë plotësisht transparente.
2.2 Kosova do t’i ofrojë Kishës ortodokse të Serbisë privilegje doganore dhe tatimore, krahas atyre privilegjeve të cilat i gëzojnë të gjitha fetë e Kosovës, për aktivitetet ekonomike të Kishës që janë specifike për vetë qëndrueshmërinë financiare, siç janë, të qëndisurat dhe veshjet fetare, qirinjtë, ngjyrat për ikona, punimet e drurit dhe zdrukthëtarisë, verërat, rakia, mjalti dhe produktet tjera të bletës. Këto privilegje do të përfshijnë, importimin dhe blerjen e produkteve relevante, materialeve, veglave dhe aparateve; dhe eksportimin e produkteve të cilat rezultojnë nga aktivitetet e lartpërmendura.
Neni 3 Siguria për objektet kulturore dhe fetare
3.1 Kishës ortodokse serbe, manastireve dhe kishave të saj, dhe objekteve tjera fetare dhe kulturore të rëndësisë të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do t’i ofrohet siguria e nevojshme.
3.1.1 Përgjegjësia kryesore për garantimin e sigurisë të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës, do të bie mbi organet kosovare të zbatimit të ligjit, e në veçanti mbi Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK). Mbrojtja e objekteve kulturore dhe fetare serbe do të jetë detyrë e veçantë operacionale për SHPK-në. Misioni i sundimit të ligjit të MEPSM-së, në konsultim me Praninë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), do ta monitorojë, do të kujdeset dhe do ta këshillojë SHPK-në në realizimin e kësaj detyre.
3.1.2 Në periudhën menjëherë pas Marrëveshjes, PUN do të ofrojë sigurinë për manastirin e Graçanicës, Deviçit, Zoçishtit, Arkangjelit të Shenjtë, Budisavcit, Goriçit, Deçanit, Patrikanën e Pejës dhe monumentit memorial të Gazimestanit. Ofrimi i sigurisë për këto objekte do të vazhdojë edhe deri atëherë kur PUN, pas konsultimeve me PCN-në dhe misionin e MEPSM-së, të vendosë se janë plotësuar kushtet për bartjen e këtyre përgjegjësive tek SHPK-ja.
3.1.3 Për shkallën dhe kohëzgjatjen e masave specifike për ofrimin e sigurisë fizike për këto objekte, nga ana e PUN-së, do të merren parasysh, inter alia, (në mes tjerash) 1. vlerësimi i sigurisë, i kryer nga PUN; 2. këshillat e pranuara nga Këshilli implementues dhe monitorues (KIM), dhe në pajtim me nenin 5 të këtij Aneksi.
3.1.4 KIM do të ketë për qëllim ndërtimin e nivelit më të lartë të besimit dhe besueshmërisë dhe punës drejt normalizimit të gjendjes së sigurisë përreth këtyre objekteve. Kapacitetet e SHPK-së do të zgjerohen sa më shpejtë që është e mundur me qëllim që PUM të ketë mundësi të ç’angazhohet nga këto detyra jo ushtarake.
3.2 Kosova do të garantojë lirinë e lëvizjes për klerin dhe anëtarët e Kishës ortodokse serbe brenda Kosovës dhe sipas nevojës do të ofrojë aranzhime të nevojshme sigurie për këtë lëvizje.
Neni 4 Zonat e mbrojtura
4.1 Një numër i zgjedhur i manastireve të Kishës ortodokse serbe, si dhe kishave, dhe objekteve tjera fetare, si dhe objektet historike dhe kulturore të rëndësisë të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do të gëzojnë mbrojtje të veçantë përmes përcaktimit të “Zonave të mbrojtura”. Objektivat e zonave mbrojtëse janë: të sigurohet një ekzistim dhe funksionim paqësor i objekteve që duhet mbrojtur; të ruhet mjedisi historik, kulturor dhe natyral, duke përfshirë mënyrën e jetës të manastirit dhe klerit; dhe të parandalohet zhvillimet negative përreth tyre, duke siguruar kushtet më të mira të mundshme për zhvillim harmonik dhe të qëndrueshëm të komuniteteve të cilat banojnë në hapësirat përreth këtyre objekteve. Gëzimi i të drejtave pronësore në zonat e mbrojtura mund të kufizohet në mënyrën si në vijim:
4.1.1 Do të ndalohet çdo aktivitet i ri nga fushat si në vijim:
a) Ndërtimi ose zhvillimi industrial, sikur: eksploatimi i resurseve minerale; ndërtimi i centraleve për prodhimin e energjisë ose rrjetit të energjisë elektrike, furrave dhe fabrikave.
b) Ndërtimi ose zhvillimi i objekteve, siç janë: strukturat ose godinat më të gjata se manastiri/kisha/monumenti kulturor nën mbrojtje; përdorimi i materialeve të rrezikshme në çdo ndërtim të ri (duke përfshirë objektet banesore): nëpër rrugë, pompa të benzinës dhe qendra të riparimit të automjeteve; supermarkete; klube nate.
4.1.2 Kur rrethanat e kërkojnë, mund të kufizohet çdo aktivitet nga këto fusha. Para kryerjes së aktiviteteve nga fushat si në vijim, komuna përkatëse duhet të konsultohet me KOS ose me komunitetin serb:
a) Ndërtimet ose zhvillimet komerciale, siç janë: ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i
depove, punëtorive, dyqaneve, restoranteve, lokaleve të natës, kafiterive, kiosqeve dhe shtandeve të ushqimit, dhe çdo ndërtim më i madh nëpër rajonet rurale;
b) Tubimet publike, rekreative dhe zbavitëse;
c) Urbanizimi i tokës bujqësore.
4.1.3 Kosova do të sigurojë që planet hapësinore për rajonet brenda zonave të mbrojtura të jenë në pajtim me kufizimet e përcaktuara në 4.1.1 dhe 4.1.2
4.1.4 Zonat e mbrojtura për lokacionet si në vijim do të përcaktohen me hartat e bashkëngjitura:
Manastiri i Deçanit, Deçan
Patrikana e Pejës
Manastiri i Graçanicës
Kisha e Virgjëreshës, Lipjan
Manastiri i Deviçit, Skenderaj
Manastiri i Gorioçit, Istog
Manastiri i Budisavcit, Klinë
Manastiri i Sokolicës, Zveçan
Manastiri i Draganacit, Gjilan
Manastiri i Arkangjelit të Shenjtë, Prizren
Manastiri i Banjskës, Zveçan
Manastiri i Zoçishtës, Zoqishtë, Rahovec
Fshati Hoqë e Madhe, Rahovec
Manastiri Duboki Poto, Zubin Potok
Kisha e Shën Gjergjit, Gornjasellë, Prizren
Manastiri i Soçanicës, Leposaviq
Kisha e vetmisë, Uljaricë, Klinë
Monumenti memorial i Gazimestanit, Obiliq
Kështjella mesjetare e Zveçanit
Qyteti mesjetar i Novobërdës
Ura mesjetare e Vojnoviqëve, Vushtrri
Vetmia e Petrit të Shenjtë në Korishë, Prizren
4.1.5 Zona e mbrojtur për objektet si në vijim do të përkufizohet në 100 metra hapësirë rreth perimetrit të tyre:
Manastiri i Petkut të Shenjtë, Leposaviq
Manastiri i Shëruesve të Shenjtë, Leposaviq
Manastiri i Virgjëreshës së Shenjtë të Hvosnos, Skenderaj
Manastiri i Markut të Shenjtë, Korishë, Prizren
Manastiri i Treshit të Shenjtë, Mushtisht, Suharekë
Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Sredskë, Prizren
Manastiri i Uroshit të Shenjtë, Nerodime, Ferizaj
Manastiri i Binaçit, Buzovik, Viti
4.1.6 Zona e mbrojtur për objektet si në vijim do të përkufizohet në 50 metra hapësirë rreth perimetrit të tyre:
Manastiri i Dollacit, Klinë
Kisha e Shën Nikollës, Gjurakoc, Istog
Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë në Hodegetri, Mushtitsht, Suharekë
Kisha e Nikollës së Shenjtë, Shtërpcë
Kisha e Teodorit të Shenjtë, Biti e Poshtme, Shtërpcë
Kisha e Nikollës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë
Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë
Kisha e Shën Gjergjit, Biti e Epërme, Shtërpcë
Kisha e Nikollës së Shentjë, Mushnikovë, Prizren
Kisha e Nikollës së Shentjë, Drajçiq, Prizren
Kisha e Nikollës së Shentjë, Sredskë, Prizren
Kisha e Apostujve të Shenjtë (ose Petkut të Shenjtë), Mushnikovë, Prizren
Kisha e Shën Gjergjit, Serdskë, Prizren
4.1.7 Zona e mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit do të përcaktohet nga organet komunale të Prizrenit në bashkëpunim me KIM dhe do të përfshijë objektet e Kishës ortodokse, objektet otomane, katolike, të folurën dhe objektet tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore. Objektet kulturore dhe fetare serbe si në vijim, do të përshihen në zonë të mbrojtur: Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë e Levishës; lagja e vjetër “mëhalla Marash” ; Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë; shkolla ortodokse për priftërinj e Kirilit dhe Metodit të Shenjtë; dhe Rezidenca Episkopike me Kishën e Shën Gjergjit.
4.2 Fshati Hoqë e Madhe, do ta ketë të drejtën, që në konsultim me komunën e Rahovecit, të ushtrojë autorizime të kufizuara në aktivitetet nga fusha e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, dhe nga fusha e planifikimit rural në lidhje me zonat e mbrojtura, dhe në pajtim me nenin 5.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/45 për vetëqeverisjen e komunave të Kosovës. Këshilli implementues dhe monitorues (KIM) do t’i mundësojë (lehtësojë) këto konsultime në pajtim me nenin 5.4 të këtij Aneksi.
Neni 5 Këshilli implementues dhe monitorues
5.1 Këshilli implementues dhe monitorues (KIM) do të themelohet, dhe do të thirret rregullisht për të monitoruar dhe lehtësuar zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, që ka të bëjë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.
5.2 KIM do të kryesohet nga një zyrtar i lartë ndërkombëtare i cili do të caktohet nga Përfaqësuesi civil ndërkombëtar (PCN) i Kosovës.
5.3 Përveç kryesuesit, KIM do t’i ketë shtatë (7) anëtarë tjerë. Përfaqësuesit e institucioneve si në vijim, do të shërbejnë në KIM: Ministria e Kulturës e Kosovës, Institucioni për mbrojtjen e monumenteve në Prishtinë, Kisha ortodokse serbe, Instituti për mbrojtjen e monumenteve në Leposaviq, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, dhe UNESCO.
5.4 KIM, do të:
a) Këshillojë dhe paraqesë rekomandime për PCN-në lidhur me zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes e që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë;
b) Mbikëqyrë përcaktimin e kufijve të zonave të mbrojtura në terren dhe zbatimin e tyre;
c) Rekomandon ndryshimet në kufijtë administrativ të zonave të mbrojtura dhe aplikimin e kufizimeve atëherë kur këto arsyetohen nga rrethanat;
d) Ndërmjetësojë zgjidhjen e kontesteve (konflikteve) midis Kishë ortodokse serbe dhe autoriteteve qendrore dhe lokale të Kosovës, në lidhje me zbatimin e dispozitave të këtij Aneksi;
e) Rekomandojë PDN-së masat për korrigjimin e mangësive të mundshme në zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë;
f) Këshillojë organet e Kosovës për zbatimin e ligjit, Praninë ushtarake ndërkombëtare dhe misionin e MEPSM-së lidhur me çështje e sigurisë të cilat ndikojnë në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
5.5 KIM do të mbështetet nga sekretariati i cili do të jetë përgjegjës për monitorimin e përditshëm të zbatimit të këtij Aneksi, dhe do të përbëhet nga personeli ndërkombëtar dhe vendor të cilët i raportojnë drejtpërsëdrejti kryesuesit.
5.6 Autoritetet e Kosovës dhe Serbisë do të pajtohen për mekanizmin e tanishëm të restaurimit të objekteve të Kishës ortodokse serbe, me Komisionin për zbatimin e rindërtimit, ose me pasardhësin e tij.
5.7 KIM do të punojë ngushtë me Komisionin për zbatimin e rindërtimit, ose me pasardhësin e tij, në çështjet e ruajtjes dhe rindërtimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.
Neni 6 Kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike
6.1 Republika e Serbisë brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999.
Krijoni Kontakt