Xh.Grou: Kosova është një çështje tepër delikate për t'u zgjidhur brenda një nate
Berlin, 1 shkurt -
Mendoj se do të ishte budallallëk të prisnim që Koshtunica apo çdo udhëheqës tjetër politik, të ndërmerrnin ndonjë hap që mund të konsiderohej si pozitiv nga udhëheqja kosovare apo nga bashkësia ndërkombëtare, - tha Xhems Grou nga departamenti i studimeve luftarake pranë Kolexhit Mbretëror në Londër. Ai theksoi se Kosova është një çështje tepër delikate për t'u zgjidhur brenda një nate. Duke komentuar qëndrimin e Koshtunicës se nuk do të ketë marrëdhënie me asnjë shtet që do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, Grou tha se "kjo është një deklaratë boshe, sepse deri tani asnjë shtet nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, sepse kjo nuk është ende një pikë që i përket qëllimeve afatshkurtëra të bashkësisë ndërkombëtare".
Sipas tij, në rast se ndonjë shtet do ta bënte këtë gjë, situata nuk do të ndërlikohej vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha shtetet ish-jugosllave e më tej, tha Grou për "Dojçe velen".
Në lidhje me trazirat e mundshme, Grou tha se megjithëse nuk do të donte t'i ekzagjirojë gjasat për një situatë të tillë, por theksoi se nuk mund të injorohen mundësitë se do të ketë grupime tek të dyja palët që të përdorin dhunën. Në të kaluarën nga shqiptarët kjo ka ndodhur në komuna të caktuara në Kosovë, kurse dihet fare mirë se si forcat serbe të sigurisë apo aktorë gjysmë të pavarur mund të marrin iniciativë për të filluar trazira, tha Grou. Sipas tij, ekziston frika që të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare mund të shkojnë dëm, në rast se situata e sigurisë përkeqësohet sërish për shkak të politikës aktuale serbe ndaj të ardhmes së Kosovës
Krijoni Kontakt