
Postuar më parë nga
Arb
F.Uizner: "Ne jemi zotuar para Kosovës dhe ne jemi njerëz të fjalës"
Prishtinë, 1 shkurt - Në prag të vizitës së tij në Kosovë, i dërguari amerikan për statusin e Kosovës Frenk Uizner tha se ka punuar shumë dh përsëafërmi me zotin Ahtisari dhe është i kënaqur me tërë punën e tij.
"Tani është koha që palët ta studiojnë dokumentin me shumë kujdes, sepse, më në fund, qytetarët e Nju Jorkut, Londrës, Berlinit, Parisit apo Romës nuk do të jetojnë me pasojat e vendimeve të Ahtisarit, por kosovarët, shqiptarët e serbët në rend të parë, si edhe populli i Serbisë", tha Uizner për RTV21.
Ai theksoi se i takon secilit që të hapë sytë dhe të mendojë me arsye, ta hapin ketë dokument dhe të mendojë për përgjegjësitë që shtrohen para qytetarëve të zakonshëm, kryetarët e komunave dhe qeverinë e liderët politikë. "Ky është një dokument madhor dhe historik, i cili do ta përcaktojë tempon lidhur me mbrojtjen e minoriteteve në Europë, në vitet e ardhshme".
Uizner u sugjeron të gjithëve që t'i paraqesin idetë e tyre tek zoti Ahtisari, në mënyrë konstruktive, dhe ai do t'i marrë ato në konsiderim. Duke folur për mundësinë e paraqitjes së planit të Ahtisarit para Këshillit të Sigurimit gjatë muajit mars, Uizner tha se është vështirë të parashihet data.
Por megjithatë i tha se marsi është qëllimi i tij, dhe shpreson që të arrihet ky qëllim. "Besoj se kemi shansë të mirë që ta arrijmë, me dy tri ditë më përpara apo më prapa. Pra, marsi do të ishte në rregull, si objektiv", theksoi Uizner.
I pyetur nëse dokumenti i Ahtisarit mund të sjellë zgjidhjen e duhur për statusin final të Kosovës që një herë e përgjithmonë, të qetësohet Ballkani, Uizner iu shmang përgjigjes direkte por tha se do të dëshironte, dhe lutet për paqe në Europën Juglindore. "Europa Juglindore do të bashkohet me forma të ndryshme bashkëpunimi me pjesën tjetër të Europës dhe të ketë paqe, stabilitet, progres ekonomik dhe jetë të mirë për popujt atje", tha Uizner, dhe shtoi se këtë e dëshiron, por, siç u shpreh, në fund do të ndahet përgjegjësia.
"Fundamentalisht, përgjegjësia mbetet barrë e kosovarëve, të cilët do të zgjedhin se cilët do të jenë liderët e tyre politikë, formën që do ta zgjedhin për të punuar së bashku, mënyrën se si do t'i pajtojnë komunitetet midis tyre, vëllimin e punës së rëndë dhe të madhe që ata janë të vendosur ta bëjnë për të rritur prosperitetin ekonomik", theksoi diplomati amerikan.
Sipas tij, puna kryesore u mbetet kosovarëve. Çështje kryesore për kosovarët sot, tha ai, është që ta lexojnë e ta studiojnë propozimin e Ahtisarit dhe ta kuptojnë çka do të thotë ai, në mënyrë që të jenë në gjendje të ballafaqohen me të.
"Ta shtroj çështjen në një formë tjetër. Çdo herë që unë shkoj në Kosovë, njerëzit thonë: "pavarësi, pavarësi, pavarësi..." Po kur do të vijë pavarësia?... Sikur pavarësia të ishte një pilulë që gëlltitet dhe shëndeti ynë përmirësohet menjëherë. Ardhmëria e Kosovës do të shkruhet me punë të kujdesshme e të palodhshme dhe me qeverisje të mirë, me respekt për fqinjin, me zbutjen e dallimeve, me funksionim të mirë të institucioneve, me punë të zellshme të policisë për ta ruajtur rregullin dhe ligjin, ndalimin e krimeve, trafikimit dhe korrupsionit", tha Uizner, duke shtuar se këto e përbëjnë të ardhmen e jo një fjalë.
Ai kërkoi nga miqtë e tij në Kosovë që të mendojnë për pasojat që ky dokument vendos para tyre, për formën e qeverisë, llojin e shoqërisë që do të jetojnë në të, si dhe pergjegjësitë e Komunitetit Nderkombëtar që do t'i përkrahin.
Uizner premtoi se amerikanët do të përmbushin zotimin e tyre në Kosovë: "Ne jemi zotuar para Kosovës dhe ne jemi njerëz të fjalës". Ai tha se SHBA-të që nga fillimi janë me Kosovën, por edhe në ketë fazë finale të negociatave do të qendrojnë deri në fund.
"Unë ndihem mirë me ketë dhe ndihem mirë që t'iu japi miqve të mijë në Kosovë sigurimet e plota për vazhdimësinë e një përkrahjeje të fortë amerikane.
Por përkrahja amerikane, vetëm, nuk mund ta bëjë Kosovën. Amerika do të perkrahë diçka, por qëndrimi dhe sensi kosovar do të jetë vendimtarë dhe atë në punën e madhe, vullnetin për të jetuar në fqinjësi me fqinjin edhe kur ai flet në gjuhë tjetër, vullnetin për të vazhduar në rindertimin ekonomik, vullnetin për ti bërë institucionet shtetërore funksionale si dhe rregullimin e çështjes së sundimit të rendit dhe ligjit", tha mes tjerash Frenk Uizner në këtë intervistë për RTV21.
QIK-u
Krijoni Kontakt