Close
Faqja 44 prej 46 FillimFillim ... 344243444546 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 431 deri 440 prej 452
  1. #431
    i/e regjistruar Maska e Nice_Boy
    Anëtarësuar
    25-01-2004
    Vendndodhja
    Larg vendlindjes i pa shpi..
    Postime
    4,220
    Bush i garanton Berishës mbështetje për pavarësi të Kosovës

    Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, mori pjesë në tryezën "Demokracia dhe Shoqeria Civile" në Nju Jork me ç'rast është takuar edhe me presidentin Bush. Takimin me të ai e cilësoi si momentin kulmor të qëndrimit të tij në Nju Jork. Një ndër çështjet më të rëndësishme që Berisha bisedoi me presidentin Bush ishte çështja e të ardhmes së Kosovës, e cila do të diskutohet këtë fundjavë në selinë e Kombeve të Bashkuara.

    Berisha në prononcimin e tij për shtyp theksoi se presidenti Xhorxh Bush i garantoi mbështetjen e tij të plotë dhe të administratës amerikane për pavarësinë e Kosovës, gjë që do të realizohet në kuadrin e Treshes. Po ashtu, Berisha theksoi se shumë anëtarë të kësaj tryeze u shprehën për zgjidhjen e pavarësisë së Kosovës si kusht i domosdoshëm për stabilitetin. Çështja e Kosovës u diskutua edhe në takimin që ai pati me Kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
    Më gënjeu pasuria, jeta vrap më iku shpejt dhe u thinja u dergja u plaka në dhe të huaj do të vdes..

  2. #432
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Kryeministri Berisha: Statusi i Kosovës zë vend kryesor gjatë takimeve në Nju Jork

    Kryeministri Berisha: Statusi i Kosovës zë vend kryesor gjatë takimeve në Nju Jork
    Intervistoi Ilir Ikonomi
    Zëri i Amerikës
    27-09-2007



    Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Shqipëria e ka mbështetur dhe do ta mbështesë pa asnjë lloj hezitimi pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Berisha u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanëshme. Gjatë intervistës, kryeministri Berisha foli edhe për zhvillimet e brëndshme të politikës shqiptare. Me kryeministrin bisedoi në Nju Jork, kolegu ynë, Ilir Ikonomi.

    Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, çfarë vendi po zë Kosova në takimet që ju po zhvilloni këtu në Kombet e Bashkuara?

    Sali Berisha: Padyshim, një vend kryesor. Sepse statusi i saj final ka një rëndësi shumë thelbësore për Kosovën dhe stabilitetin e saj, e jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë të Kosovës së pari; së dyti nuk mund të injorohet se projekti i qytetarëve të Kosovës për pavarësi, është një problem madhor për çdo shqiptar. Pra në këto dy aspekte, Kosova nuk mund të mos jetë çështje kryesore në axhendën e të gjitha takimeve të mia, së bashku me ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe marrëdhëniet bilaterale me secilin nga homologët dhe interlokutorët e mi.

    Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, do të nxisë qeveria juaj Kosovën që të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanëshme pa pritur një sinjal të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian?

    Sali Berisha : Shqipëria mbështet, e ka mbështetur dhe do ta mbështesë pa asnjë lloj hezitimi pavarësinë e Kosovës. Por Shqipëria privatisht dhe publikisht u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanëshme. Pavarësia e Kosovës ka një mbështetje të gjerë dhe të madhe. Proçesi për shkak të mekanizmave ndërkombëtarë ka hasur në disa vështirësi. Udhëheqja politike e Kosovës, Shqipëria, dhe vendet e rajonit në vendimet e tyre, duhet të bashkërendojnë me ato vende të cilat, me në krye Shtetet e Bashkuara, janë të sigurta, të bindura se pavarësia është zgjidhja e vetme që jep paqe e stabilitet në Kosovë dhe rajon. Edhe dje në takimin me presidentin Bush mora siguri të plotë se Presidenti dhe qeveria e tij do t’i përmbahet qëndrimit të shpallur ; Sekretarja e Shtetit Rice ka deklaruar se pavarësia është ajo që jep stabilitet dhe paqe në Kosovë e rajon. Kështu që nuk mendoj se veprimet e njëanëshme janë të dobishme.

    Zëri i Amerikës: Zoti Kryeminstër, a parashikoni që shpallja e njëanëshme e pavarësisë së Kosovës në rast se ndodh, të nxisë zhvillime të paparishkuara në rajon si përshembull ndryshime kufijsh apo për shembull që të lindin kërkesa për një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës?

    Sali Berisha: Nuk parashikoj; mendoj se autoritetet e Kosovës nuk do të ndërrmarrin përsipër veprime të njëanëshme. Sikundër projekti i qytetarëve të Kosovës është katërcipërisht e faktuar që nuk është bashkimi me Shqipërinë, është pavarësia. Historia është e tillë që në një shekull janë zhvilluar dy realitete shqiptare, njëri në Tiranë, tjetri në Prishtinë. Qytetarët e Kosovës kanë votuar, kanë luftuar, kanë faktuar me të gjitha mënyrat se janë për pavarësinë e vendit ku jetojnë. Ndaj në këtë kontekst nuk mund të them se do të mund të nxitet një gjë e tillë. Ajo çka është shumë e rëndësishme është integriteti i Kosovës në kufijtë e saj aktual. Kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Çdo proçes për ndarje, është hapja e një proçesi për riformatimin e kufijve të Ballkanit, proçes i gjatë, i dhimbshëm nga i cili, shqiptarë në fund të fundit, nuk do të ishin të humburit. Por faktikisht në statusin aktual Kosova ka vendosur për pavarësi. Shqipëria ka aspiratë kryesore Bashkimin Europian dhe NATO-n; po kështu dhe kombe të tjera, ndaj dhe është në interesin më të mirë të të gjithë këtyre kombeve, respekti i kufijve aktual ndërkombëtar dhe bashkëpunimi për të realizuar dy projekte madhore: integrimin në Bashkimin Europian dhe integrimin në NATO.

    Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tani tek disa çështje të politikës suaj të brendshme. Arrestimet e disa zyrtarëve dhe biznesmenëve për korrupsion me tenderat e rrugëve është një episod i shkëputur apo është pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë suaj për të goditur korrupsionin?

    Sali Berisha: Absolutisht nuk është i shkëputur, por është një strategji, për zbatimin e ligjit ndaj kujtdo, është një aspekt i rëndësishëm dhe jo i vetëm i luftës kundër korrupsionit, është një përpjekje e vazhdueshme dhe do të jetë një përpjekje e vazhdueshme gjersa Shqipëria, të zbresi tek vendet me korrupsion të ulët. Kështu që në këtë proçes nuk ka dyshim që veprimi i ligjit është kondicion sinekuanon për funksionimin e kësaj lufte, por është njëri aspekt i kësaj lufte.

    Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, a keni plane për të përmirësuar marrëdhëniet tuaja me Prokurorinë dhe kryesisht me zyrtarët e saj kryesor?

    Sali Berisha: Marrëdhëniet tona me seksionin e krimeve të rënda kanë qenë të shkëlqyera, dhe seksioni i krimeve të rënda në Shqipëri qoftë si Gjykatë qoftë si Prokurori, për mua, ka një funksionim të respektueshëm, ka një funksionim i cili i ka dëshmuar shqipëtarëve dhe botës se drejtësia shqiptare mund të funksionojë konform ligjit. Janë segmente të caktuar, të cilat do të zgjidhen nëpërmjet reformës. Unë jam optimist. Dy vjet më parë jo të paktë ishin ata që më thoshin “me kë do ta luftosh ti krimin e organizuar, pse zotohesh, çfarë do t’i bësh atij...”. Dhe unë kisha një përgjigje: me këta oficerë dhe inspektorë policie që janë sot. Dhe unë ua faktova shqipëtarëve këtë plotësisht. Ata kanë dëshmuar shkallën më të lartë të profesionalizmit, të kurajos, të integritetit.

    Zëri i Amerikës: Por çfarë duhet pritur në marrëdhëniet tuaja me Prokurorin e Përgjithshëm, kur ju keni konsumuar thuajse gjysmën e mandatit dhe marrëdhëniet me të janë ende të vështira madje jo ekzistuese?

    Sali Berisha: Ka një zotim Presidenti i Republikës dhe Parlamenti për këtë, kështu që çështja e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është çëshje e imja, është çështje e Presidentit dhe e Parlamentit.

    Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, a keni qenë ju një qeveri transparentë sa duhet në prokurimet për një projekt kaq të rëndësishëm dhe kaq strategjik për Shqipërinë siç është rruga Durrës-Kukës. A jepni ju garanci se nuk janë bërë shkelje në një investim të tillë strategjik?

    Sali Berisha: Mund t’iu them se si prokurim, është prokurimi më transparent në historinë e atij vendi. Pse... të jem i hapur për faktin e thjeshtë se qeveria ime, në atë kohë por dhe sot, nuk kishte kapacitetet administrative të mjaftueshme të trajtonte atë prokurim. Dhe në këto kushte, në dijen time, ky është prokurimi i parë madhor, i bërë i tëri me një juri ndërkombëtare vlerësimi. Meqënëse “Bechtel” punon mbi bazën e një kontrate çmim për njësi vëllimi, kushdo që të ketë dyshimin më të vogël, se “Bechtel” po rrit çmimin për njësi vëllimi, jam i bindur se gjigandi amerikan është totalisht i hapur për çdo lupë, çdo kontroll.

    Zëri i Amerikës: Pse nuk kërkoni ju vet i pari ngritjen e një komisioni parlamentar për sqarimin e këtyre akuzave?

    Sali Berisha: Jam absolutisht i gatshëm, pa asnjë diskutim. Shiko çfarë ndodhi! E kisha biseduar edhe me bashkëpunëtorët e mi që të ngremë një komision. Epo meqënëse thanë që do të ngremë komisionin, mos t’ua marr inisiativën. Por ata nuk e ngritën komisionin. Kanë sjellë kërkesën si është shpenzuar buxheti 2006-2007, pa përmendur as me një fjalë rrugën (Durrës –Kukës). Kjo nuk është serioze, sepse ai është projekti më i madh i Shqipërisë, dhe unë e konsoideroj një fat të madh që po e ndërton ajo kompani. (ze)

  3. #433
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671
    Keni mbushur 22 faqe me gënjeshtrat e politikanëve.
    Në të vërtetë Kosova po shitet. E ne këtu lexojmë broçkulla që na sjellin këta kasnecët e hajdutëve zyrtarë.

  4. #434
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, PROFESOR.DOKTOR SALI RAME BERISHA !

    Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, PROFESOR.DOKTOR SALI RAME BERISHA gjatë

    punimeve të Sesionit të 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në

    Nju Jork!


    Kosova, rast unik në vuajtjen e vet


    I nderuar zoti President! I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm!
    Shkëlqesi, Zonja dhe zotërinj,
    Më lejoni zoti President t`ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si President i sesionit të 62-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara dhe t`ju uroj suksese në këtë detyrë vërtet të rëndësishme. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Presidenten që largohet, Znj. Sheikha Haya Rashed Al Khalifa, nga kjo detyrë, për kontributin e saj të rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme. Gjithashtu dëshiroj të falënderoj zotin Ban Ki Mun, Sekretarin e Përgjithshëm për përpjekjet e mëdha në mbështetje të paqes dhe bashkëpunimit, kontributin e tij për konsolidimin e Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të saj.
    Zonja dhe zotërinj! Si përfaqësues i një vendi që ka kaluar një nga regjimet komuniste diktatoriale më të egra pas Luftës së Dytë Botërore, kam bindjen e thellë se liria dhe vlerat e saj, mbrojtja dhe promovimi i saj, dhe mbështetja për popujt e shtypur për t`u çliruar nga regjimet tiranike që vazhdojnë të gjenerojnë vuajtje njerëzore, varfëri, dhunë dhe terrorizëm, duhet të jetë prioriteti kryesor i kësaj organizate. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Ballkani dhe e gjithë bota janë tani më të lirë dhe më të sigurt pa Mullah Omarin, Sadam Huseinin dhe Sllobodan Millosheviçin. Duke përfituar nga ky rast dëshiroj të përsëris mesazhin e shpresës që Presidenti George W. Bush lëshoi nga kjo tribunë për të gjithë popujt e botës që jetojnë ende nën regjimet tiranike.
    Zoti President, Shqipëria është një vend i vogël, por me vokacion dhe vendosmëri të qartë për të forcuar demokracinë dhe lirinë për popullin e saj, si dhe është thellësisht e angazhuar në dhënien e kontributit të saj modest për paqen në botë. Ne kemi vendosur bashkëpunim me vendet mike dhe organizatat ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Në këtë kontekst, njësitë tona paqeruajtëse kanë shërbyer në Bosnje, Gjeorgji, Afganistan dhe Irak. Dëshiroj t`ju informoj se në këtë frymë qeveria ime ka vendosur që të kontribuojë me një togë tjetër me trupa paqeruajtëse në Afganistan.
    Gjithashtu Shqipëria ka qenë mbështetëse e rëndësishme e përpjekjeve ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe përdorimin e paligjshëm të armëve të lehta dhe të vogla, të cilat përbëjnë një kërcënim për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë. Në këtë kontekst, ne jemi angazhuar për eliminimin e arsenalit tonë të armëve kimike dhe Shqipëria është vendi i parë në botë këtë korrik, pa materiale dhe armë kimike. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Zvicrën, të cilat kanë dhënë një mbështetje teknike dhe financiare të çmueshme për të kryer këtë objektiv mjaft të rëndësishëm.
    Zonja dhe zotërinj, Ne po implementojmë me sukses një numër të rëndësishëm programesh në bashkëpunim me PNUD-in, UNICEF-in dhe agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria është bërë tashmë pjesë e iniciativës së ndërmarrë “Një OKB”, duke iu bashkangjitur në mënyrë vullnetare Programit për “Një OKB”, si një nga vendet pilote. Aktualisht ne po punojmë me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për të testuar konceptin “Një OKB” dhe për të zhvilluar programe e metoda të reja partneriteti në fushat e zhvillimit, ndihmës humanitare dhe mjedisit. Rezultatet e para të këtij projekti janë shumë inkurajuese dhe ne jemi plotësisht të angazhuar për të bërë çdo përpjekje që kjo iniciativë të rezultojë e suksesshme. Dy objektivat kryesore të Shqipërisë janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo reformë dhe të ndërmarrim çdo hap të arrijmë këto objektiva. Një vit më parë nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian dhe po punojmë seriozisht në çdo drejtim për të përmbushur standardet dhe obligimet e saj. Në të njëjtën kohë, ne ke mi ndërmarrë reforma të thella në Forcat e Armatosura, të asistuar nga vendet anëtare të NATO-s, përveç përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. Por, ne jemi optimistë se në samitin e ardhshëm të NATO-s në Bukuresht, do të jemi gati të meritojmë ftesën për anëtarësimin në Aleancë.
    Zoti President, Jo shumë kohë më parë Ballkani ka qenë një skenë çnjerëzore e luftërave brutale, e spastrimeve etnike, bazuar në konceptin e një vendi më të madh të ushqyer nga nacionalizmi ekstrem dhe racizmi i një kombi, i cili është përfshirë nga ideja e hegjemonisë së tij. Por, vendet ballkanike në pak vite mundën që të kalojnë nga epoka e diktaturave, urrejtjes dhe konflikteve, në epokën e paqes, miqësisë, bashkëpunimit dhe integrimit. Unë përfitoj nga ky rast që të falënderoj të gjithë qeveritë dhe taksapaguesit e vendeve të NATO-s, BE-së dhe organizatave të OKB-së, ndihma dhe asistenca e të cilëve ishin shumë të rëndësishme për këto ndryshime historike. Unë besoj se zgjidhja e statusit të Kosovës, në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të saj për pavarësi, është kushti themelor për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm jo vetëm në Kosovë, por për të gjithë rajonin. Shqipëria mbështet plotësisht projektin e Presidentit Ahtisaari, dhe përpjekjet e Trojkës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Për shkak të mungesës së realizmit dhe fantazmës së Serbisë së Madhe, Beogradi nuk pranoi planin e Presidentit Ahtisaari, i cili përcakton dhe garanton standardet më të larta europiane për minoritetin serb në Kosovë, standarde të cilat janë më të avancuara se ato që gëzojnë shqiptarët në jug të Serbisë. Refuzimi i paketës së Ahtisaarit është i padobishëm dhe provon se Beogradi është më tepër i interesuar për Serbinë e Madhe, sesa liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë. Një qëndrim i tillë i Beogradit është inkurajuar nga qëndrimi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit ndaj paketës së Ahtisaarit, një qëndrim, që pavarësisht motivacionit të saj, nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.
    Zonja dhe zotërinj, Pretendimet se pavarësia e Kosovës përbën një precedent ndërkombëtar, se krijon kushtet për Shqipërinë e Madhe, apo frikën e dy shteteve shqiptare në Ballkan janë të pabaza. Ata që janë të interesuar për realitetin dhe të vërtetën duhet të kuptojnë se Kosova është një rast unik si nga ana historike dhe nga perspektiva aktuale. Për më shumë se pesë shekuj, nga fundi i shekullit të XIII-të deri në fillim të shekullit të XIX-të, Kosova ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane, e banuar nga shqiptarë etnikë, me rrënjët dhe vendbanimet e tyre atje. Vetëm në fillim të shekullit të kaluar, në një nga padrejtësitë më të mëdha historike, territori i Kosovës u nda nga territoret shqiptare dhe iu dha Serbisë për të vetmen arsye sepse ishte pjesë e një perandorie që humbi luftën.
    Kosova është gjithashtu një rast unik në vuajtjen e saj. Gjatë shekullit të kaluar implementimi i doktrinës së Çubriloviçit, e bazuar në racizmin ekstrem dhe zhdukjen e shqiptarëve, e ktheu Kosovën në arenë të spastrimit etnik dhe aparteidit.
    Është një rast unik, sepse gjenocidi i fundit kundër shqiptarëve në vitin 1999, i cili shkaktoi me mijëra vrasje të popullsisë së pafajshme, varre masive, shkatërrime dhe djegie të më shumë se 130 mijë shtëpive, shkollave dhe spitaleve dhe kjo bëri që NATO të ndërmarrë ofensivën më të madhe për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe liritë atje. Gjithashtu Kosova është rast unik nga pikëpamja ligjore, sepse gjatë regjimit të Josif Bros Titos, ajo ishte një entitet kushtetues i Federatës Jugosllave. Gjatë kësaj kohe Kosova gëzonte të drejtën e vetos në qeverinë federale. Gjatë asaj kohe, Kosova kryesoi disa herë Federatën Jugosllave, bazuar në parimin rotacionit të udhëheqjes brenda Jugosllavisë.
    Pretendimi se pavarësia e Kosovës mund të çojë në krijimin e Shqipërisë së Madhe nuk është i vërtetë. Në realitet, pavarësia e Kosovës vetëm do ti japë fund fluiditetit të shqiptarëve në Ballkan dhe idesë së krijimit të një shteti të vetëm shqiptar në territoret ku ata përbëjnë shumicën dërmuese. E vërteta e thjeshtë është se shqiptarët e Kosovës kanë vendosur në projektin e tyre të së ardhmes që të bashkohen me Brukselin dhe jo me Tiranën. Nga ana tjetër, dëshiroj t`ju garantoj se Shqipëria është e vendosur që të respektojë plotësisht kufijtë ndërkombëtarë të fqinjëve të vet, duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës. Shqipëria është duke bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha vendet në mënyrë bilaterale duke përfshirë edhe Serbinë në integrimin rajonal europian dhe atlantik. Unë besoj se shqetësimi ndaj konceptit për dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkan është ksenofobik. Dy shtete demokratike, të banuara nga shqiptarët, do të jenë dy vende mike për fqinjët e tyre.
    Dëshiroj të nxis udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës të frenohen dhe të mos marrin veprime të njëanshme. Ata duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar për statusin final të Kosovës, siç kanë bërë deri tani, duke respektuar plotësisht vullnetin e tyre dhe dinjitetin që ata meritojnë.
    Dëshiroj të përfitoj nga ky rast të falënderoj udhëheqjen politike të Kosovës për paraqitjen e traktatit të pajtimit, të miqësisë dhe bashkëpunimit me Serbinë, një traktat i frymëzuar nga vlerat më të larta të Europës. Shpresoj dhe uroj që Serbia ta pranojë këtë mundësi të rëndësishme, sepse besoj se paqja dhe bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan është në interesin më të mirë të kombeve tona dhe gjithë rajonit.



  5. #435
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Qosja: Bashkim me Shqipërinë

    EKSKLUZIVE/ Akademiku i njohur flet për të ardhmen e Kosovës, ndryshimin e kufijve, planin "Ahtisari" dhe arsyet e vetos ruse



    Akademiku i njohur kosovar, Rexhep Qosja, mendon se "bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë një ditë, sado po shtohet numri i feudalëve dhe bujkrobërve të tyre, që e kundërshtojnë deri në vetëmohim një ide të tillë". Gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip", Qosja mendon se as faktori shqiptar në Kosovë dhe as ai në Shqipëri nuk po bëjnë sa dhe si duhet për të ardhmen e Kosovës, dhe se "vazhdon të harrojë se si i thonë një fjale, ta shpallësh qëllimin të sendërtuar para se të jetë bërë ai, do të thotë t‘i bësh shërbim të keq qëllimit". Sipas tij, faktori shqiptar në Kosovë e konsideron çështjen e statusit të Kosovës si partiake dhe jokombëtare e shtetërore. Gjatë intervistës, akademiku i njohur flet edhe për ndryshimin e kufijve, negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, marrëdhëniet e shtetit të ardhshëm të Kosovës me fqinjët, arsyet e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Planin e Ahtisarit dhe vlerësimin për këtë të fundit.


    FJALET E FORTA DHE PUNET E BUTA

    Profesor, definimi i pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, rezulton se nuk është kaq i thjeshtë. Sipas jush, çfarë ka gabuar faktori shqiptar në Kosovë, por edhe ai në Shqipëri, në mënyrë që shqiptarët të mos lëshonin kaq shumë...?

    Krijimi i shteteve të reja kurrë nuk ka qenë një punë e thjeshtë. Pavarësisht për çfarë qëllimi bëhet, lufta është fatkeqësi, sjell vdekje, shkatërrime, dhembje, por lufta ka krijuar shtetet. Numri i shteteve të krijuara në mënyrë paqësore është tepër i vogël. Kosova e ka bërë luftën për të qenë shtet. Dhe, e ka fituar këtë luftë bashkë më forcat e NATO-s. Meqenëse KFOR-i dhe administrata e OKB-së në Kosovë janë vendosur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për statusin e Kosovës tani vendoset në këtë Këshill, që përbëhet prej anëtarësh me interesa, ideologji dhe politika të ndryshme. Dhe, kjo lejon mundësi për ndërlikime gjatë vendosjes për çështje të ndryshme.

    Punët rreth statusit të Kosovës janë ndërlikuar, mbas refuzimit të Rusisë që të pajtohet me Planin e Ahtisarit.

    Faktori shqiptar në Kosovë ka gabuar kur caktimin e statusit të Kosovës e ka parë dhe e ka paraqitur si një punë të lehtë e të thjeshtë.

    Faktori shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdon të harrojë se, si i thonë një fjale, ta shpallësh qëllimin të sendërtuar para se të jetë bërë ai, do të thotë t‘i bësh shërbim të keq qëllimit.

    Faktori shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, vazhdon t‘i ketë fjalët e forta e punët e buta, në vend se të ngjante e kundërta: në vend që t‘i kishte fjalët e buta e punët e forta.

    Faktori shqiptar në Kosovë ka gabuar pse grupin për bisedime e ka përbërë si grup partiak e jo si grup kombëtar dhe shtetëror. Çështja e statusit të Kosovës s‘është çështje partiake po kombëtare dhe shtetërore. Ky faktor ka harruar se nuk është e rëndësishme vetëm çka thuhet, por edhe kush i thotë ato që thuhen.


    MBI LEVIZJEN E KUFIRIT

    Ndarja e Kosovës po shikohet gjithnjë e më shumë si një variant i mundshëm, edhe pse shumë nga qarqet e Kosovës, po edhe ndërkombëtarët e mohojnë herë pas here. Sa e rëndë është shkëputja e një pjese të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?

    Edhe para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur çështja e Kosovës ishte bërë çështje ndërkombëtare, nga intelektualë dhe analistë të ndryshëm në ish-Jugosllavi dhe në botë flitej për ndarjen e Kosovës. Ndarja shihej si zgjidhje e përhershme, historike e çështjes së Kosovës, domethënë e konfliktit shqiptaro-serb. Kush i ka lexuar kujtimet e ambasadorit amerikan në Beograd, Cimerman, do të shohë se ndarja e Kosovës atëherë përcaktohej në përpjesëtime të papranueshme për ne. Unë, personalisht, e shihja "ndarjen" në përpjesëtim me numrin e banorëve në Kosovë: shqiptarëve do t‘u takonte aq sa janë në Kosovë, domethënë rreth 90 për qind, kurse serbëve rreth 10 për qind - aq sa ishin në Kosovë.

    Sot, sa mund të gjykohet nga shkrime të ndryshme në shtypin në botë dhe në Serbi, askush nuk flet për ndarje të tillë si para luftës. Tani folja ndarje futet në thonjëza. Tani flitet për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Analistët amerikanë "ndarjen", në të vërtetë "lëvizjen" e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë e quajnë modifikim i kufirit. Serbëve, në njërën dhe shqiptarëve, në anën tjetër, do t‘u takonte aq sa ishte përqindja e tyre në Kosovë në prag të luftës.

    Sipas deklaratës së anëtarit, duket më përfaqësues të Treshes në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, Volfgang Ishinger, Grupi i Kontaktit do të pranonte çdo zgjidhje me të cilën do të pajtoheshin të dy palët e kjo domethënë edhe me "ndarjen", lëvizjen, modifikimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët tanë në Prishtinë dhe në Tiranë u ngritën shumë zemrueshëm kundër idesë së "ndarjes", lëvizjes, modifikimit të kufirit. Ç‘është e vërteta, zyrtarët në Tiranë u ngritën kështu vrullshëm, mbasi pritën disa ditë, dhjetë - pesëmbëdhjetë ditë, se çka do të thonë vendet e Grupit të Kontaktit. Nuk më duket politikisht e arsyeshme ngritja e tillë e pezmatuar ndaj një ideje reale a utopike, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ideja e lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është ide që shumë më tepër përfaqëson interesat e shqiptarëve, sesa të serbëve. Do të mendojmë, kështu, realisht, në qoftë se nuk harrojmë se faktorët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrën: të gjitha për njërën palë e asgjë për palën tjetër.

    Nuk është e çuditshme, prandaj, pse zyrtarët serbë edhe më vendosmërisht se zyrtarët tanë u ngritën kundër idesë së "ndarjes" së Kosovës dhe ata ngrihen kundër kësaj ideje, sepse e dinë që nuk mund të flitet më për ndarje, por për lëkundje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. E dini si e tha peshkopi i Kosovës, Artemije: "Më e mirë është për serbët pavarësia e Kosovës, që nuk do ta pranojmë kurrë, sesa ndarja me të cilën do të pajtoheshim. Atë që nuk e pranon mund ta kthesh një ditë, kurse atë që e pranon nuk mund ta kthesh kurrë"!

    Lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që do të bazohej në përqindjen e popullsisë shqiptare, në njërën anë dhe serbe, në anën tjetër,në prag të luftës dhe që do të sillte edhe lëkundje vullnetare të kësaj popullsie, do të ishte zgjidhja përfundimtare, historike e çështjes së Kosovës. Dhe, kjo zgjidhje do të varroste përgjithmonë iluzionet e peshkopit Artemije dhe të tjerëve, shumë të tjerëve, që mendojnë si ai në Serbi, kurse do ta bënte të mundshme vetëvendosjen, domethënë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pa pengesa nga ana e faktorëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye kundërshtimet e pezmatueshme që iu bënë idesë së "ndarjes", domethënë të lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë nga ana e disa ministrave dhe intelektualëve tanë, më duken të pamenduara mirë. Njëri nga shkrimtarët tanë deklaroi, mbasi dëgjoi si reagoi Tirana zyrtare, se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e rrezikshme sepse - tha ai- rrezikon rajonin dhe, madje Evropën! Pse? Pse lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë do të rrezikonte rajonin dhe Evropën? Sepse, na përgjigjet ky shkrimtar, duke përsëritur klishenë zyrtare, shembullin e ndarjes së Kosovës do ta ndiqnin edhe të tjerë në rajon dhe në Evropë. Dhe, ashtu Evropës do t‘i hynte flaka!

    E po si mund të flitet ashtu? Pse nuk mendohet pak më qetë, më racionalisht? Në qoftë se Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë pse të ngrihet kush kundër pajtimit të tyre. Po të gjithë faktorët ndërkombëtarë thonë se do të ishte më së miri që të gjendet zgjidhje rreth së cilës do të pajtoheshin të dy palët. Pse do të rrezikonte rajonin dhe Evropën pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve për lëvizjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë? Në qoftë se hungarezët e Rumanisë, turqit e Bullgarisë, baskët e Spanjës kanë kushte gjeografike dhe arsye etnike për të kërkuar lëvizje kufiri, por këtë nuk e pranojnë rumunët, bullgarët e spanjollët gjendja e tyre mbetet siç është sot dhe marrëveshja shqiptaro-serbe nuk ka se si t‘u fusë zjarrin Rumanisë, Bullgarisë e Spanjës. Faktorët ndërkombëtarë e me ta edhe ne po themi se rasti i Kosovës është rast i veçantë, i pangjashëm me raste të tjera. Dhe, vërtet është rast i veçantë. Pse atëherë të mos i lejohet ta tregojë këtë veçanësi edhe me të drejtën e lëvizjes së kufirit me Serbinë nëse pajtohet edhe Serbia. Domethënë, lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilën do të pajtoheshin shqiptarët dhe serbët, nuk ka se si të rrezikojë rajonin dhe Evropën, nuk ka sesi të ndezë zjarr askund përpos në kokat letrare! Apo jo?


    PER ÇKA S‘DO TE BISEDOHET

    Ekipi i Unitetit ka paraqitur platformën e tij, ku ka vendosur tri pika të panegociueshme: a) asnjë diskutim për pavarësinë; b) asnjë diskutim për integritetin territorial të Kosovës dhe c) asnjë diskutim për shtyrjen e afatit. A është e mjaftueshme kjo platformë dhe si e gjykoni ju atë?

    Fjalë të forta. Prej fillimit të bisedimeve për statusin, Ekipi i Unitetit i ushqen qytetarët e Kosovës me deklarata për ato që nuk do të bëjë dhe për ato që nuk do të ngjasin e, pastaj, i bën ato që i ka mohuar dhe ndodhin ato që kanë thënë se nuk do të ndodhin! Ekipi i Unitetit e di, besoj, se në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 shkruan se pas një kohe do të bëhen bisedime (apo do të mbahet konferencë ndërkombëtare - nuk më kujtohet sigurt si thuhet) për statusin përfundimtar të Kosovës. Ata që shkojnë në bisedime e dinë se në bisedime mund të shfaqen mendime, ide, propozime, të hapen çështje jo vetëm nga Ti, por edhe nga Ai dhe jo vetëm nga Ti dhe Ai, por edhe nga organizuesit, mbikëqyrësit, monitorizuesit e bisedimeve. Tri çështjet për të cilat Ekipi i ynë i Unitetit thotë se nuk do të bisedojë tingëllojnë mirë, premtueshëm për ne, por ç‘të bëjmë kur përfaqësuesit tanë do të pranojnë që të bisedojnë për të tria sidomos në qoftë se ashtu kërkon Treshja e Grupit të Kontaktit. E ajo mund të kërkojë. Po për çka do të bisedojnë ata nëse jo për statusin?

    Në një deklaratë të paradokohshme, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, propozoi shkëmbimin e pjesës veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës. A ju duket ky një "pazar" i arsyeshëm?

    Propozimi është interesant, gjithsesi i arsyeshëm, por, si duken punët, i pasendërtueshëm. Kush i njeh programet kombëtare serbe, veçanërisht ato të Vasa Çubrilloviqit, e di se Lugina e Preshevës konsiderohet luginë me rëndësi të madhe strategjike, që lidh Serbinë me Luginën e Vardarit. Vështirë se Serbia do ta pranonte shkëmbimin që propozon ish-kryeministri ynë i çmuar, Bajram Rexhepi. Dhe, pse më në fund, ta pranojë? Serbia mendon të mbajë edhe Luginën e Preshevës, edhe Mitrovicën Veriore, me Kolashinin dhe Zubin Potokun. Më në fund, ajo ato është duke i mbajtur! Për ta bërë Serbinë që t‘i lëshojë ato duhet një luftë e re! Por, koha e luftërave njëherë për njëherë ka kaluar...


    ARSYET E VETOS RUSE

    Profesor, sipas të gjitha gjasave, Rusia nuk do të japë votën e saj në Këshillin e Sigurimit dhe gjërat do të mbeten sërish ashtu siç kanë qenë. Si mund të lëvizet, sipas mendimit tuaj, në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe njohjen e këtij realiteti të ri në aspektin e ligjit ndërkombëtar, pra në organizatat përkatëse ndërkombëtare?

    Është ditur prej ditës së parë, kur ka shfaqur mospajtim me Planin e Ahtisarit se, Rusia nuk do të japë votën e saj për pavarësinë e Kosovës, qoftë edhe ashtu të mbikëqyrur dhe të ndarë përbrenda siç parashihet në atë Plan. Kush i ka përcjellë deklaratat e zyrtarëve, të numrit më të madh të zyrtarëve serbë dhe të anketave të opinionit serb për qëndrimin ndaj ardhmërisë së Kosovës, ka mundur të konstatojë se Serbia ishte në prag të pajtimit me, si thonë serbët, humbjen e Kosovës. Rusia ishte ajo që e nxiti politikën e tanishme vendosmërisht mospajtuese të Serbisë me pavarësinë e Kosovës! Rusia e nxiti rikthimin e ashpërsuar të politikës tradicionale serbomadhe ndaj Kosovës! Nuk do të duhej të harrojmë se Rusia ka nxitur kryengritjen e parë serbe më 1805 dhe të dytë më 1812, luftën kundër Turqisë në vitet 1876-1878 dhe dëbimin e shqiptarëve prej Nahijes së Nishit dhe, më në fund, luftërat ballkanike. Në ato kryengritje dhe luftëra serbe në shekullin 19 oficerët rusë ishin oficerë vullnetarë. Dhe, të gjitha këto Rusia i bënte atëherë për nevojat e veta politike dhe strategjike. Edhe tani, përkrahja që Rusia i jep Serbisë duke mos e pranuar pavarësinë e Kosovës në të vërtetë është politikë mbi të gjitha për nevojat politike dhe strategjike të vetë Rusisë. Ariu polar do të tregojë se është zgjuar.

    Më pyesni si të ecet përpara? Këshilli i Sigurimit nuk krijon shtete - kjo duhet të dihet. Ne duhet ta shpallim vetë pavarësinë. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi i ri, pra i riu, menjëherë teksa të kryhen bisedimet me Beogradin. Sa më shumë të shtyhet dita e shpalljes së pavarësisë aq më shumë mund të ndërlikohen punët.

    Gjithashtu profesor, ka zëra, të pakët për momentin, por siç duket po shtohen, që flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Si i komentoni këta zëra?

    Janë zëra që flasin për diçka që do të ndodhë një ditë, sado po shtohet numri i feudalëve dhe bujkrobërve të tyre, që e kundërshtojnë deri në vetëmohim një ide të tillë. Leverditë politike, partiake, lokale e të tjera i bëjnë këta të çohen kundër një ideje që qe gati një shekull e gjysmë e ka lëvizur përpara historinë shqiptare.


    INTEGRIMET DHE ÇINTEGRUESIT

    Ndërkaq, si e shikoni ju në të ardhmen shtetin e Kosovës në marrëdhëniet me Shqipërinë, Maqedoninë (ku gati 30% është e banuar me shqiptarë), Serbinë (ku ndodhet Lugina e Preshevës e banuar me shqiptarë) dhe Malin e Zi, ku gjithashtu jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh? Cila, sipas jush, duhet të jetë platforma e veprimit ndërshqiptar në të ardhmen për integrimin e faktorit shqiptar në rajon?

    Edhe sot po shohim se sjelljet e Shqipërisë zyrtare ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe sjelljet e Kosovës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve të tjerë në Ballkan i përcakton politika e faktorëve ndërkombëtarë, në radhë të parë e SHBA-ve dhe e Bashkimit Evropian ndaj tyre. Po mirë. Tani, për fat, nuk po mendojmë si dikur, as me kokën e Italisë, as me kokën e Jugosllavisë, as me kokën e Bashkimit Sovjetik, as me kokën e Kinës për veten, për identitetin tonë politik në Ballkan. Tani po mendojmë me kokën e vendeve më të zhvilluara dhe demokratike: të Amerikës dhe të Evropës, sado nuk do të ishte keq që, bile, për identitetin tonë kulturor dhe politik të mendojmë pak më shumë edhe me kokat tona.

    Ajo që Ju quani platformë e veprimit ndërshqiptar, sipas mendimit tim, do të duhej të përbëhej prej përpjekjesh të programuara, të organizuara mirë, racionalisht, të ligjësuara, për integrimin shqiptar, për krijimin e lidhjeve sa më të zhvilluara, sa më të gjithanshme, sa më të forta kulturore, ekonomike, tregtare, turistike, politike e të tjera e kjo domethënë të krijimit të hapësirës kulturore, ekonomike dhe, pse jo, politike gjithëkombëtare. Kusht për sendërtimin e këtyre lidhjeve, të kësaj hapësire, është ndërtimi i rrugëve, në radhë të parë i rrugës Durrës - Kukës - Prizren; Prizren - Pukë - Shkodër - Ulqin; Deçan - Plavë e Guci; Guci - Vermosh - Shkodër e i rrugëve të tjera që lidhin krahinat dhe qytetet shqiptare. Me rëndësi jetike për integrimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve do të ishte ndërtimi i hekurudhës Prizren-Kukës-Tiranë-Durrës.

    Ne sot, mjerisht, dëgjojmë vetje që flasin për rolin, thonë ata, kolonial të kulturës që krijohet në Tiranë ndaj kulturës së Kosovës!

    Dëgjojmë vetje që do të donin të këputen lidhjet shpirtërore midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës: të këputen lidhjet që krijon gjuha e përbashkët letrare, gjuha standard! Ne sot dëgjojmë vetje që do të donin të krijohej një komb tjetër në Kosovë, i ashtuquajturi komb kosovar dhe, ashtu, shqiptarët në Ballkan të ndaheshin në dy kombe! Dëgjojmë dhe çka nuk dëgjojmë. Nuk mund të thuhet se vetjet e këtilla nuk kanë edhe ndonjë institucion pas shpinës dhe nuk mund të thuhet se vetjet e tilla nuk kanë edhe grupe politike partiake pas shpinës. Dhe, për këtë arsye nuk mund të thuhet se zërat e tillë nuk mund të ndikojnë aspak në ngadalësimin e procesit të integrimeve shqiptare. Dështimi i tyre, ndërkaq, është i pashmangshëm. Në historinë e popullit gjithmonë në fund dështojnë shprehësit e interesave të ngushta, lokale, qofshin ato politike, ideologjike, ekonomike, fetare e të tjera, me të cilat cenohen interesat e përgjithshme.

    Cili është vlerësimi juaj për Planin e propozuar nga Presidenti Ahtisari dhe a mendoni se viti 1998 do ta gjejë Kosovën të pavarur?

    Është shkruar shumë në gazeta dhe është folur më shumë në mediat elektronike për këtë Plan. Kam shkruar edhe unë. Në situatën e përbërë rreth statusit të Kosovës, Plani i Ahtisarit paraqitet si një dhuratë për ne nga ata faktorë ndërkombëtarë që, megjithatë, synojnë zgjidhje të drejtë për Kosovën - e zgjidhje e drejtë, sado jo edhe historike, e çështjes së Kosovës konsiderohet pavarësia e Kosovës. Nuk do të duhej të mos shihnim dhe të mos thoshim se Plani i Ahtisarit e ndan Kosovën përbrenda, e bën Kosovën politikisht dhe kushtetutare - juridikisht Kosovë të dy entiteteve. Sipas Planit të Ahtisarit, Kosova do të jetë protektorat i Bashkimit Evropian dhe, vetëm mbasi të hiqet ky protektorat - kush e di kur - Kosova do të mund të quhet realisht e pavarur. Pra, Kosova realisht e pavarur, Kosova pa status protektorati, domethënë sovrane, do të bëhet më vonë se më 2008.

    Gazeta Shqip.
    Sui generis

  6. #436
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Ahtisari: Kosova, një test shumë i rëndësishëm për BE-në


    Këto komente Ahtisari i bëri me rastin e formimit në Bruksel të forumit të ri strategjik Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), sipas shembullit të forumit me të njëjtin emër në SHBA.

    Kosova po bëhet një test shumë i rëndësishëm për BE-në, nje test me te cilin politika e jashtme dhe e sigurisë evropiane do te perballet ne fund te ketij viti. Ka qene ky vleresimi i te derguarit te posacem te Kombeve te Bashkuara per Kosoven Marti Ahtisari.
    "Është intriguese që Kosova po bëhet një test shumë i rëndësishëm për BE-në, sepse nëse nuk mund ta zgjidhë çështjen çfarë është Kosova, sado e komplikuar të jetë ajo, atëherë kjo është shumë pikëlluese", ka thënë Ahtisari për agjencinë Rojters. Këto komente Ahtisari i bëri me rastin e formimit në Bruksel të forumit të ri strategjik Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), sipas shembullit të forumit me të njëjtin emër në SHBA. ECFR do të drejtohet nga Ahtisari, ish-ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher dhe Mabel van Oranje, aktiviste për të drejtat e njeriut në Institutin e Shoqërisë së Hapur.
    Sui generis

  7. #437
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Ryker kërkon mosshpejtim në miratimin e ligjeve nga paketa Ahtisari

    Kuvendi i Kosovës ka filluar procesin e miratimit të një numri ligjesh që dalin nga paketa e ndërmjetësuesit të OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, megjithë faktin se ajo ende nuk është pranuar si bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
    Kuvendi i Kosovës ka kaluar në procedurë miratimi tre nga 20 ligje që dalin nga paketa Ahtisaari, që kanë të bëjnë me funksionimin, e shtetësisë së Kosovës. Por shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joackim Ruecker ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës maturi dhe të mos shpejtojë në miratimin e ligjeve nga paketa Ahtisaari.
    Sui generis

  8. #438
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Ryker paralajmeron Kuvendin per ligjet nga pakoja e Ahtisarit

    Shefi i UNMIK –ut, Joachim Ryker deklaroi se Kuvendi ka te drejte qe te diskutoje dhe te beje shqyrtimet e ligjeve por jo edhe miratimin e tyre

    Shefi i UNMIK –ut, Joachim Ryecker ka deklaruar sot se Kuvendi i Kosoves ka te drejte qe te pergatitet per periudhen e pas statusit megjithate ai ia ka terhequr verejtjen Kryetarit te Kuvendit Kole Berisha se ligjet qe dalin nga pakoja e Ahtisarit nuk mund te miratohen. Ryker deklaroi se Kuvendi ka te drejte qe te diskutoje dhe te beje shqyrtimet e ligjeve por jo edhe miratimin e tyre. Nderkaq, Kryetari i Kuvendit Kole Berisha tha se ka arritur mirekuptim me shefin e UNMIK-ut, lidhur me kete çeshtje dhe se Kuvendi i Kosoves nuk do te miratoje keto ligje por vetem do te beje shqyrtimin e tyre. Ai theksoi se do te vazhdoje puna me tej dhe do te shqyrtohen te gjitha ligjet qe vijne nga Qeveria e Kosoves. (RTK)
    Sui generis

  9. #439
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Fisher: Ende ka mundësi për planin e Ahtisarit

    Berlin - Ish ministri gjerman i punëve të jashtme, Joshka Fisher ka deklaruar se ende ka mundësi për zbatimin e planit të Ahtisarit me vendim të Këshillit të Sigurimit. "Nevojiten negociata të vështira, por shpresat nuk duhen humbur", theksoi Fisher për "Dojçe velen". Fisher prezantoi në Berlin librin e tij të fundit të titulluar "Vitet kuq e gjelbër: Politika e jashtme e Gjermanisë nga Kosova deri më 11 shtator 2001". Gati gjysmën e vëllimit prej 444 faqesh e zë problematika e Kosovës si në planin e jashtëm ashtu edhe në atë brendapartiak. (kosova/balkanweb)
    Sui generis

  10. #440
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Islanda perkrah planin Ahtisari per zgjidhjen e çeshtjes se Kosoves

    Kryeministri shqiptar Sali Berisha gjate nje takimi sot ne Rejkjavik me kryeministrin e Islandes, Geir H.Haarde, biseduan edhe ne çeshtjen e Kosoves.

    Kryeministri Berisha theksoi se Shqiperia e sheh Planin e Ahtisarit si te vetmen mundesi qe respekton vullnetin e popullit kosovar per pavaresi, si dhe qe garanton te drejta te plota per pakicat serbe ne Kosove. Edhe Kryeministri islandez tha se stabiliteti i Kosoves eshte stabiliteti i rajonit dhe se Islanda perkrah projektin Ahtisari per zgjidhjen e çeshtjes se Kosoves. (RTK)
    Sui generis

Tema të Ngjashme

  1. Fatmir Limaj
    Nga ARIANI_TB në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 07-02-2015, 16:09
  2. Kushtetuta e Republikës së Kosovës
    Nga YlliRiaN në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 01-04-2009, 19:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •