
Postuar më parë nga
Stefan07
TA STUDIOJMë MIRë PAKON AHTISARI
DHE Të MBROJMë Të DREJTëN
Shkruan : Kudusi Lama (Gjeneral në rezervë),VETEM SE KUR KA NGURDHUR DULLA KY FSHATARI NGA KUKESI KA QENE NJE NGA USHTARAKET BESNIK QE TRANSPOTONIN KOSHIN E MBETURINAVE KU ISHTE FUTUR DULLA DHE PER KET SHPERBLEHET. Kryetar i Këshillit Organizativ të Kuvendit Mbarëshqiptar
Është një moment që asnjë shqiptar nuk mund të qëndrojë pa thënë atë që ndjen e që i duket e arsyeshme të thotë për interesin kombëtar. është në balancë fati i Kosovës. Po hidhet në terren e ardhmja e saj.
Por ka edhe nga ata që heshtin, ka edhe nga ata që megjithëse e quajnë veten politikanë të mëdhenj që kanë në dorë fatet e kombit, po merren më shumë me kolltukun e një kryetari bashkije (komune), se sa me çështjen e madhe të kombit shqiptar, siç është momenti kur në terrenin shqiptar e ndërkombëtar hidhet një variant zgjidhje, siç është pakoja Ahtisari. Po kështu ka edhe të ashtuquajtur analistë, që vlerësohen si të tillë dhe e dinë veten për të tillë, që flasin jo vetëm pa përgjegjësi kombëtare, por edhe pa përgjegjësi historike. Një shembull i tillë ishte në mbrëmjen e datës 2 shkurt në një televizion analisti Artur Zheji. Kam dashtë ta respektoj këtë zotëri, por nuk mund të pajtohem me të kur në analizë për pakon Ahtisari, ai shprehet: “Kalit të falur nuk i shikohen dhëmbët”. Jam befasuar. Mirë kombëtarisht se nuk ka dëshirë të tregojë se kujt i përket, por historikisht si ka mundësi të gabojë? Si ka mundësi që nuk e di se në Kosovë është zhvilluar një luftë, që është quajtur Lufta Çlirimtare e Kosovës, ka luftuar për dy vjet një ushtri me një efektiv prej mbi 60 mijë luftëtarësh, që është quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kanë rënë dëshmorë të atdheut në këtë luftë jo pak por 2 mijë djemë e vajza të Kosovës e nga gjithë trojet kombëtare shqiptare, me të mirët e më të devotshmit, kanë lënë eshtrat në malet dhe fushat e Kosovës mbi 3 mijë djemë e vajza që jetojnë sot në Kosovë pa asnjë pretendim por jo duke u mohuar edhe luftën e plagët, mbi 20 mijë burra, gra, pleqë, plaka e fëmijë janë sakrifikuar duke mbetur martirë të çlirimit të Kosovës; Ashtu siç evidentohet një periudhe kohore prej rreth një shekulli nga viti 1912 e deri me 1981, ku evidencohen rreth 700 mijë shqiptarë të trojeve shqiptare nën ish Jugosllavi, të vrarë, të masakruar, të zhdukur e të shpërngulur. Çudi sa pak investim i duket zotit Zheji për atdheun, sa ta quaj pakon Ahtisari “kal të falur”. Nëse kemi fatin të ulemi në kolltukun e analistit, nuk duhet t’i japim vetes të drejtë të bëjmë deklarata të pa përgjegjeshme.
Me thënë të drejtën unë i ndoqa me kujdes të gjitha analizat televizive që bënë televizionet shqiptare me politikanë e analistë, nga Shqipëria dhe nga Kosova. Për fat të keq ishte një ngutje shumë interesante, deri edhe nga politika qeveritare, le më nga mediat e nga opinionet.
Pasi mora dhe lexova pakon Ahtisari, kuptova se të gjithë ata që kishin folur kishin disponuar komente, dhe pak kush, për të mos thënë askush, kishte përmbledhjen e materialit.
Duke patur këtë mendim, tashmë që e njoh gjendjen dua të bëj prononcimin tim publik për të gjithë shqiptarët për pakon Ahtisari. Për të cilën mendoj se duhet diskutuar shumë. Ajo nuk është një tabu, ajo është një variant, që pranon çdo ndryshim që duket i arsyeshëm dhe i shërben ardhmërisë së Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit. Po kështu, duhet të evidentohen disa gjëra në gjuhën e thjeshtë të popullit që të gjithë të kuptojnë ç’po ndodhë dhe cila është me e mira.
Më konkretisht, para se të futem në analizë të pakos Ahtisari, do të parashtroj disa probleme që mendoj se duhet të jenë në qendër të vemendjes së gjithë politikanëve, analistëve, intelektualëve, ushtarakëve, djemëve dhe vajzave, si dhe gjithë popullit shqiptar në gjithë hapsirën shqiptare të Ballkanit, në mënyrë të veçantë në vëmendjen e Grupit Negociator të Kosovës.
Së pari; në preambulën e pakos Ahtisari duhej deklaruar qartë, thjeshtë dhe kuptueshëm: Kosova prej një shekulli e pushtuar nga Serbia dhe e kolonizuar e shfrytëzuar prej saj, nuk do të jetë më e tillë, por do të përcaktohet nga OKB-ja se ç’do të jetë në të ardhmen, prej protektoratit e deri tek pavarësia në vartësi edhe të vullnetit të popullit të Kosovës. Kjo arritje është vlerë e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes nga bota e zhvilluar dhe Forca e saj e Armatosur (NATO). Kjo formulë është krejt normale kur dihet se autoktonia shqiptare në Kosovë nuk ka qenë, nuk është e nuk ka për të qenë kurrë e diskutueshme dhe e dyshimtë.
Së dyti; Në vitin 1999 fitorja mbi Serbinë u konsiderua si realizim i ëndërrës së popullit të Kosovës, me largimin e ushtrisë serbe, u arrit një sukses i madh, pasi u bë realitet fundi i kësaj lufte, që zgjati jo pak, por rreth një shekull. E gjatë kjo luftë, por mbaroi me një finale të lavdishme, me një finale të ndritur, vepër e djalërisë së Kosovës, rreshtuar në radhët e Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare, që do t’i bëjë nder kombit përjetësisht. Askush nuk ka të drejtë ta sjellë të mashtruar këtë popull të lavdishëm në vitin 2007.
Së treti; Në qoftë se Serbia dhe serbët duan të jenë seriozë dhe qytetarë në pranimin dhe kërkimin e marrëdhënieve me Kosovën, patjetër që ata do të pranohen, por duhet të plotësojnë disa kushte. Ato kushte tashmë kalojnë nëpër vendimet e popullit të Kosovës. Askush nuk mund të marrë më atributet e tij. Ai do të vendosë përjetësisht se çdo të bëhet me Kosovën dhe jetën e tij, qofshin ata shqiptar, që janë jo pak por mbi 92% të popullit, po ashtu edhe serbët, boshnjakët, romët etj. Të pranohet se ka ardhur koha kur Serbia e ka kuptuar se Kosova e ka ndarë nga Serbia përfundimisht rrugën e jetës dhe të ardhmes së saj. Pushtimi dhe kolonizimi kanë përfunduar përjetësisht. Natyrisht kjo ndarje nuk mund të kalojë pa dhembjet dhe Serbia kuptohet që do të ndjejë shumë dhembje.
Megjithatë unë e ndjej për obligim të paralajmëroj shqiptarët se Serbia dhe serbët edhe së fundi po tregojnë sheshit, se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në politikën e tyre antishqiptare. Nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në mendësinë për supermacinë serbe të Ballkanit, nuk ka ndodhur asnjë zbutje në qëndrimet Millosheviqiane të para viteve 1999.
Së katërti; Nisur nga sa shihet në terrenin politik, unë nuk shikoj ndonjë nga kërkesat legjitime të Kosovës ndaj Serbisë, të cilat sipas meje mbeten:
1. Kërkimi i faljes nga serbët për krimet e kryera në Kosovë, mbi trojet dhe popullin e Kosovës, përgjatë viteve 1878 deri 1999.
Janë vrarë shqiptarët. Janë shpronësuar e shpërngulur. Janë masakruar e përdhunuar. Janë përbuzur e denigruar. Janë burgosur e zhdukur. Janë trajtuar mizorisht e varfëruar. Janë përçarë e mohuar. Janë vënë në kushtet e mizerabilitetit e janë shkatërruar. Nuk janë lejuar të marrin prej jetës së tyre, në trojet e tyre, ato mundësi që ua ka ofruar jeta. Nuk u është lejuar të kenë jetën e tyre të bukur e ta admirojnë atë. Nuk janë lejuar të realizojnë ëndërrat e jetës së tyre. Nuk u janë dhënë mundësitë të plotësojnë detyrat, që kanë lindur bashkë me qenien e tyre njerëzore, kombëtare, fisnore e familjare. Nuk janë lejuar të jenë lojtarë të pavarur të jetës se tyre, të së kaluarës, të së sotmes dhe të së ardhmes. Nuk janë lejuar të ecin në rrugën e tyre, për të kërkuar e zbuluar misteret e jetës së tyre dhe të ecurisë kombëtare, për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë, mbi bazën e një njohjeje të plotë të vështirësive jetësore e të kënaqësive, që jep edhe kalimi i këtyre vështirësive për interesat kombëtare, jashtë kolonizimit e diktimit të bërjes së jetës sipas interesave të pushtuesit. Nuk janë lejuar të kenë mundësi për të bërë një premtim për jetën e tyre dhe të pasardhësve të tyre, dhe të kontribuojnë për realizimin e tij. Edhe dhembjet kur janë në rrjedhën e jetës normale, kanë vendin e tyre në jetën e një kombi, por edhe ato nuk janë mundësuar, sipas kërkesave të vetë ecurisë së jetës kombëtare, krahinore, fisnore e familjare, sepse pushtuesi ka shkaktuar aq shumë dhembje sa nuk është ndier fare dhembja e brendshme.
Kërkimi i faljes publike për të gjitha krimet e kryera në Kosovë nga serbët do të ishte akt qytetar dhe mundësi për të biseduar dhe për të vënë saktë piketat e marrëdhënieve të së ardhmes. Shqiptarët janë në pritje të këtij akti - të kërkimfaljes publike të serbëve.
2. Kthimi i grabitjeve 100-vjeçare të shfrytëzimit kolonial
Kosova e kolonizuar është grabitur sistematikisht që prej një qind vjetësh nga kolonizatori serbo-sllav.
Janë grabitur qytetarët, të cilëve u është marrë prona, duke i shpërngulur në të gjitha periudhat deri në ditët e Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Parimi serb ka qenë dhe mbetet që shteti nuk duhet të harxhojë miliona për t’u lehtësuar jetën shqiptarëve, por për t’i hequr qafe dhe për t’i zhdukur sa më parë.
3. Dhënia e dëmshpërblimeve për të burgosurit, të humburit dhe të masakruarit.
Qytetarët e Kosovës duhet të dinë se mbi 584. 000 shqiptarë, gjatë viteve 1981-1990, kanë kaluar nëpër represionin policor (përndjekje penale, kundërvajtje, arrestime), domethënë, mesatarisht çdo ditë janë arrestuar 200 shqiptarë, kryesisht të rinj deri në moshën 25 vjeçare.
Drejtojeni kujtesën në çdo familje shqiptare e në rrjedhat familjare të tyre dhe numëroni se do të gjeni plotësisht të vërtetën.
Por, të vërtetën e të vërtetave e dinë vetë serbët, e kanë në statistikat e tyre. Le t’i deklarojnë ato dhe të shprehin ngushëllime dhe të marrin përgjegjësi për ato që ka ndodhur, njëkohësisht, të marrin përgjegjësi për të dëmshpërblyer sipas rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare.
4. Përcaktimi i ardhmërisë së sigurte për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
A ka ndonjë shqiptar, serb apo ndërkombëtar, që nuk ka kuptuar se brenda kufijve ligjorë të Serbisë, është një krahinë që përfshinë Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, të cilat janë treva shqiptare dhe banohen nga popullsia shqiptare, por të cilat në rrjedhën e pushtimit janë përzier edhe përqindje popullatë serbo-sllave, me të cilët nëse nuk janë kriminalizuar, populli shqiptar i krahinës është i aftë të bashkëjetojë pa shqetësime!?
Mendoj, se Serbia duhet të përcaktojë saktë, prerë dhe përfundimisht, statusin e kësaj krahine, që të jetë pranuar nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët, e pastaj të dalim në Kosovë. Por gjithnjë duke e konsideruar këtë krahinë si evropiane dhe duke i dhënë asaj atë që i takon, me qëllim që të konsiderohet urë lidhëse për miqësinë midis Kosovës dhe Serbisë, nëse ndonjëherë do të ketë mundësi që serbët të kuptojnë se ç’është miqësia, pasi deri tani nuk kanë dhënë asnjë provë sado të vogël, se njihet ky term prej tyre.
5. Njohja e pronësisë së shqiptarëve në Nish, Prokuplje, Kurshumli, Leskovc dhe Vranjë, si dhe mënyrat e procedimit për kthimin dhe kompensimin e tyre
Duhet të dihet se në momentin e shkëputjes nga Turqia, rajonet Nishi, Prokuplja, Kosanica, Kurshumlia, Pusta Reka, Leskovc, Vranjë, etj, kishin 90% të popullsisë shqiptare. Le t’u referoheni statistikave të kohës.
Unë nuk pretendoj që në ato rajone aktualisht të kthehen ish-pronarët shqiptarë, por që pronat e tyre duhet të kompensohen plotësisht, për këtë duhet kërkuar që të fillojë menjëherë procedura. Pra, të njihen këto prona dhe të kompensohen ato. Asgjë nuk duhet të humbasë, çdo gjë duhet t’i kthehet të zotit, në rastin konkret, i zoti i atyre pronave është populli shqiptar i shpërngulur. Le t’i bëjë publike tapitë kadastrale Serbia. Nuk e kuptoj se për çfarë mund të bisedohet jashtë të drejtës qytetare evropiane mbi pronën. Shqiptarët dhe serbët e dinë mirë këtë. Le të jenë pra qytetarë korrektë.
6. Njohja e detyrimeve ndaj pensionistëve, invalidëve të punës, të rënëve në punë dhe përcaktimi i rrugëve për shlyerjen e tyre.
Një jetë kanë punuar kosovarët në shërbim të kolonizatorit dhe kanë paguar sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe taksat përkatëse. Ku i marrin pensionet pensionistët? Ku i marrin dëmshpërblimet invalidët? Po familjet e të rënëve në punë, ku e marrin mbështetjen financiare, për atë që familjari i tyre ka investuar me gjak nën shtetin serbo-sllav, siç veprohet me familjet e çdo qytetari të botës, që bie në punë?
Për këtë duhet të njihet përvoja e botës së sotme dhe të jepen ato që u takojnë atyre, që është detyrim t’u jepen.
7. Dhënia e dëmshpërblimit për dëshmorët e UÇK-së dhe për invalidët e luftës.
U bë një luftë e madhe që u quajt Lufta Çlirimtare e Kosovës. Në këtë luftë ranë në fushën e nderit mbi 2000 djem dhe vajza, nga më të mirët e Kosovës. Pse ishin të detyruar këta të rinj dhe të reja të ishin në llogoret e luftës, kur shumë mirë mund të ishin në jetën e këndshme të rinisë së tyre, ose, në frontet e punës, për të fituar të mira materiale për vete dhe familjet e tyre? A ka njeri që mendon se ata nuk dinin të kuptonin se ç’është rinia? A ka njeri që mendon se ata nuk dinin ta jetonin rininë e tyre me gjithë kënaqësitë e moshës, fuqisë dhe të bukurisë? A ka njeri që mendon se ata nuk mund të mendonin për një jetë të gjatë, ku mund të bëheshin gjyshër dhe të gëzonin djem e nipa, vajza e mbesa, për të krijuar familjet dhe trashëgimitë e tyre?
Djemtë ranë, por nuk kishin alternativë tjetër. Ose, të ishin në frontin e luftës, ose, të ishin në varret masive të asgjësimit masiv të popullit shqiptar. Ata preferuan me mirë të ishin përballë armëve serbe, se sa nën tehun e ftohtë të sëpatës dhe hanxharit serb.
Në këto kushte, alternativa e vdekjes ishte alternativa që u vuri përpara Serbia me forcat e saj ushtarake-policore, të armatosura deri në dhëmbë, me armët e municionet më moderne të kohës. Pra, në analizë të fundit, Serbia duhet të shprehë pendimin për këtë dhunë ushtarake-policore, të shprehë ngushëllimet dhe të marrë përgjegjësinë për të dëmshpërblyer familjarët e tyre për fatkeqësitë që u solli. Nëse Serbia nuk do të kishte tentuar të asgjësonte totalisht një popull të pambrojtur, por do ta linte atë të ndërtonte jetën dhe të ardhmen e tij, nuk do të kishte pasur nevojë për të vendosur djemtë në llogore e për rrjedhojë ata edhe sot do të ishin pranë familjeve të tyre.
8. Dhënia e dëmshpërblimit për shpërnguljen masive gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Bilanci i luftës në Kosovë ishte mjaft tragjik: një milion të deportuar dhe dyqindmijë të tjerë që endeshin maleve. Sa të tjerë janë zhdukur në emër të Serbisë së Madhe?
Në emër të krenarisë dhe të pastërtisë etnike serbo-sllave, u bënë akte makabre për shlyerjen e historive familjare.
Kaq shpejt i harroi Serbia aktet e tmerrit mbi Kosovën, që imponuan shpërnguljen e një populli të tërë nga trojet e tij.
Pa dëmshpërblimin e këtij akti, nga më të rëndët e shekullit të njëzetë, në gjithë shoqërinë njerëzore, nuk mund të ketë normalitet në këtë pjesë të Botës, që quhet Kosovë dhe Ballkan.
9. Përcaktimi dhe shlyerja e dëmshpërblimit për djegiet dhe shkatërrimet gjatë luftës së viteve 1997-1999.
Kush e dogji Kosovën në periudhën e viteve 1997-1999? Të gjithë e dinë - Forcat ushtarake-policore serbo-sllave, kriminelët paraushtarakë dhe një pjesë e popullit të kriminalizuar të serbëve të Kosovës.
Kjo përgjegjësi a duhet të mbetet pa përgjegjës? Mendoj se jo. Prandaj, kush mendon se duhet të bisedojë me Kosovën për të ardhmen, patjetër, në radhë të parë, duhet të paraqesë kërkesën për vlerësimin e dëmeve në atë periudhë dhe të dëmshpërblejë për to.
Nuk është i kuptueshëm fakti që nuk zihet fare në gojë fakti, që Kosova është djegur dhe shkatërruar plotësisht nga serbët, jo para një shekulli, por vetëm para 7 vjetësh. Është shumë interesant fakti që heshtet për këto të zeza që kanë ndodhur në Kosovë dhe po flitet sikur çdo gjë ka ardhur në rrugën normale të një ecurie të qetë, kur gjithë bota e dinë se Kosova u bë kjo që është, pas një luftë të madhe të djemeve të Kosovës dhe një lufte të të gjitha forcave politike-ushtarake ndërkombëtare, nën drejtimin e SHBA-ve dhe të NATO-s.
Në rastin konkret, serbët i kanë shumë borxhe Kosovës, kështu që le të evidentohen e paguhen ato.
10. Kthimi i pajisjeve të policisë dhe të pushtetit të grabitura në Kosovë.
11. Kthimi i armëve, i aparaturave dhe i pajisjeve të Kosovës, të grabitura nga armata jugosllave.
12. Kthimi i dokumenteve arkivore të Kosovës.
13. Gjetja e gjithë të zhdukurve nga burgjet dhe dhuna serbe deri në vitin 1999.
14. Dënimi politik me rezolutë nga Parlamenti i Serbisë, i luftës kundër Kosovës dhe i shtypjes së saj.
15. Kthimi i të gjithë shqiptarëve që kanë punuar për Serbinë dhe kundër Kosovës, për të marrë dënimin që meritojnë në Kosovë.
16. Kthimi i vlerave kulturore, shkencore, arkeologjike dhe historike të Kosovës.
17. Heqja dorë nga politika mashtruese dhe denigruese për popullin shqiptar dhe nga propaganda antishqiptare në opinionin ndërkombëtar.
Përfundim: Të gjithë duhet të kuptojnë se fqinjësia e mirë është vetëm rezultat i mirëkuptimit dhe asgjë tjetër nuk mund ta sigurojë atë. Mirëkuptimi nuk mund të prodhohet me hile, nuk mund të prodhohet me injorim të partnerit, nuk mund të prodhohet me mohim të ekzistencës së fqinjit. Po kështu. tregtia e gjerë ndërshtetërore Kosovë-Serbi është vetëm produkt i barazisë dhe ndershmërisë. Pa barazi dhe ndershmëri nuk mund të bëhen as pazare, nuk mund të zihet besë dhe nuk mund të ketë siguri. Të njëjtin çmim bart edhe diplomacia e ndërveprimit Kosovë-Serbi, që është domosdoshmëri e stabilitetit. Këto kërkesa janë domosdoshmëri e së ardhmes. Të ardhmen e ka në dorë vetë populli i Kosovës, dhe askush nuk duhet të marrë asgjë nga atributet e tij.
Pra më duket se nga sa shprehemi më sipër, del një precedent, sikur i kemi ndonjë borgj Serbisë dhe jo sikur po largohemi nga kolonizimi i saj. Prandaj edhe duhet që të gjithë shqiptarët, intelektualët, politikanët, djemtë dhe vajzat, serbët dhe evropianët, grupi i kontaktit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe vetë zoti Ahtisari duhet ta mbajnë parasysh këtë që shprehem më lartë, pasi kështu mund të vendosin drejtësi nëse duan. Nëse pyesin serbët e Serbinë ata do të thonë: “Kosova është toka jonë”. Dihet që kështu, pasi asnjëherë nuk e kanë kuptuar se Kosova është pronë e popullit të Kosovës. Ata kanë dashur gjithnjë vetëm tokën e zezë. Mos harroni deklarimin e tyre: “Parimi serb ka qenë dhe mbetet që shteti nuk duhet të harxhojë miliona për t’u lehtësuar jetën shqiptarëve, por për t’i hequr qafe dhe për t’i zhdukur sa më parë”. Prej të cilit nuk kanë hequr dorë.
Duke u njohur me pakon Ahtisari, paraqitur në Prishtinë më 2 shkurt 2007 nën titullin “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, duket se me gjithë dispozitat e pranueshme në permbajtjen e saj, duket se duhet sqaruar se ka edhe mjaftë probleme, për të cilat duhet mbajtur qëndrim. Në mënyrën si është shprehur kjo dispozitë serioze, duket se është nisur më tepër për të marrë me të mirë Serbinë.
Të kuptohet nga të gjithë, që Kosova nuk është vëllai i shprishur i Serbisë, të cilën ajo po e hedhë jashtë nga shtëpia. Jo, Kosova është ndarë nga Serbia me luftë, me lumenjë gjaku, me dhjetëra mijëra të vrarë, me qindramijë të shpërngulur e masakruar. Kjo të kuptohet mirë, pasi duket se po bisedohet sikur çdo gjë mund të kalohet thjeshtë. Mos harroni pronari i Kosovës është populli kosovar, askush tjetër. Dëgjoni ç’thotë pronari.
Pretendimet që shpreh për këtë projekt janë si vijon:
1. Që në fillim në dokument shprehet se “Kosova do të jetë shoqëri shumetnike”. Dakort nëse janë kushte ndërkombëtare për të gjithë. Por këtu po shprehemi për Kosovën që shkëputet nga Serbia, po për Serbinë që mban brenda vetes rreth 500 mijë shqiptarë, pa folur për etni të tjera, a nuk është shoqëri shumëtnike? A nuk duhen vënë kushtet për të gjithë në momentin e ndarjes?
2. Në vazhdim: “Kosova do të miratojë Kushtetutën ... e cila do të promovojë bashkëjetesën paqësore”. Më tërheq vëmendjen një kërkesë e tillë, prandaj edhe bëj pyetjen: Po të tjerët si e kanë kushtetutën? Kosova e di se do të shkojë në rrugën e integrimit evropian, pa një kushtetutë demokratike nuk mundet të shkojë, pse ky kusht? A nuk është një lloj si shtetet e tjera? Mendoj se ka nevojë për t’u sqaruar fakti pse është kushtëzuar kjo detyrë.
3. Më poshtë: “Gjuhë zyrtare në Kosovë do të jenë gjuha shqipe dhe serbe”. Përse? Kush është i interesuar të mësojë serbisht? Ne nuk ua ndalojmë atë serbëve, por mjaftë ua kemi diktuar shqiptarëve. Në Serbi a do të ketë gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, sepse atje ka shqiptarë? Po kështu duhet parë nëse ky kusht bazohet në ligjet ndërkombëtare, apo është thjeshtë një dëshirë për të përkdhelur serbët e Serbinë.
4. Në vazhdim dokumenti shprehet: “Kosova do të ketë simbolet e veta të veçanta kombëtare, përfshirë flamurin, stemën dhe himnin, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj”. Çdo të thotë kjo, a mos ka një kusht të tillë në Serbi? Po, do të bëjmë të gjitha ato, që do të bëjë Serbia për shqiptarët në trojet e tyre në Serbi. Kjo për faktin se duket sikur Kosovës po tentohet ti zhduket morali i saj historik e kombëtar. Nuk është e drejtë kjo dhe nuk duhet lejuar edhe nga negociatorët, të cilët nuk janë përgjegjës të vetëvetës, por të kombit dhe historisë së kaluar e të ardhmshme.
5. Një nen tjetër shpreh: “Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë bashkim me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti”. Duket sikur po vendosen disa dogma. Nuk mund të vihen kushte të tilla. Kush ka marrë përgjegjësinë të diktojë popullit të Kosovës? Ku është vetëvendosja si institucion ndërkombëtar i të drejtës së njeriut? Apo për shqiptarët ka mendime ndryshe.
6. Për kthimin e pronave dokumenti shprehet: “Të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur nga Kosova do të kenë të drejtën e kthimit dhe kërkimit të pronës së tyre dhe posedimeve personale, në pajtim me ligjet vendore dhe ndërkombëtare”. Mirepo ku janë librat e pronave? A e di Kosova se sa abuzime mund të bëhen me ta? Ky mendoj se mund të shfrytëzohet nga Serbia si një kurth. Duhet bërë kujdes, duhet pastruar mirë kjo çështje. Duket sikur të shpërngulur konsiderohen vetëm serbët. Po shqiptarët që janë rreth një milion në Evropë e Amerikë? Edhe ata do të kthehen.
8. Me vjen keq kur lexoj që me kërkesën e mëposhtme dokumenti e vë Kosovën në një nivel me Serbinë: “Kosova dhe Republika e Serbisë, në pajtim me normat dhe standardet vendore dhe ndërkombëtare, do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të përcaktuar dhe ofruar informata sa i përket identitetit, vendndodhjes dhe fateve të personave të zhdukur, në bashkëpunim të plotë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) dhe partnerët tjerë relevantë ndërkombëtarë”. Besoj se askush nuk është kundër bashkëpunimit, sidomos për çështje të tilla humane. Por si mund të bashkëpunohet me Serbinë e cila i di mirë të zhdukurit se i ka zhdukur vetë, jo një nga një por si në kohën e fashizmit me mjiëra njëherësh, duke i transportuar me trena. Ndërsa shqiptarët nuk e di si mendohet se mund të kenë zhdukur serbët. Megjithatë bashkëpunimi duhet të jetë në nivelin më të lartë. Ama mos mendoni se do të bëjë të njëjtën gjë Serbia. Prandaj edhe më vjen keq që ky problem trajtohet si shumë paqësor për agresorin.
9. Për mua është trajtuar në mënyrë të gabuar dhe duhet korigjuar çështja e fesë dhe në mënyrë të veçantë e kishës orthodokse të Kosovës. Le të citojmë sa thuhet në një nen: “Kosova do të sigurojë autonominë dhe mbrojtjen e të gjitha konfesioneve fetare dhe tërësisë së objekteve fetare brenda territorit të saj”. Pse nuk sqarohet, kjo do të jetë vetëm për interesin e Kosovës, jo për interesin e Serbisë. Ndoshta mund të kihet parasysh dhe të sqarohet që ato institucione do të ruhen për interesin kulturor të Kosovës dhe për shfrytëzim sipas përkatësisë fetare nga komuniteti i popullit të Kosovës.
Më poshtë: “Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS), përfshirë klerin dhe pjesëtarët, aktiviteteve dhe pronave të saj, do t’i ofrohet siguri shtesë dhe masa tjera mbrojtëse për gëzimin e plotë të drejtave, privilegjeve dhe imuniteteve të tyre, siç parashihet me Aneksin V të kësaj Marrëveshjeje”. Nuk me duket fare normale. Nuk ka kishë serbe në Kosovë. Por ka kishë orthodokse të Kosovës, siç ka edhe kishë katolike dhe xhami të myslimanëve. A mos do të duhet që në të ardhmen të arrihet në themelimin e kishës orthodokse të Kosovës? Pse kështu, kur mund të themelohet tani bashkë me shtetësinë e Kosovës? A mos duhet të thuhet edhe kishë katolike serbe dhe gjami serbe? Duhet të shpjegohen ata që janë marrë me këto formulime. Këto formulime realisht janë abuzive. Theksoj orthodoksia na përketë më shumë ne shqiptarëve se sa serbëve, të cilëve ne ua kemi dhënë. Çdo të thotë në Kosovë Kishë Orthodokse Serbe?
Ose në vijim: “Kisha Orthodokse Serbe do të jetë e vetmja pronare e pronës së saj në Kosovë”. Pse kush është kjo kishë serbe që dashka prona në Kosovë? A mos duhet të ketë kisha orthodokse shqiptare prona në Serbi? Ndoshta po pasi mjaftë prej sipërfaqeve serbe janë ish troje shqiptare. Pra të fiksohet edhe kjo në ligj. Duket sikur kisha serbe dashka të bëhet pronare e Kosovës. Më duket pa vend të jepen definicione të tilla. Më vjen keq për ata negociatorë të Kosovës që nuk e kanë sqaruar zotin Ahtisari për këtë problem, dhe e kanë lënë të sjellë një propozim të tillë.
Prandaj në dokument shkohet deri atje sa të theksohet: “Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) do të themelojë një Këshill Implementues dhe Monitorues (KIM), i cili do të monitorojë dhe ndihmojë zbatimin e plotë të dispozitave dhe masave mbrojtëse të posaçme të cilat i ofrohen KOS dhe lokacioneve fetare e kulturore Serbe, siç parashihet me Aneksin V të kësaj Marrëveshjeje”. Interesant, po si ka mundësi që nuk themelohet një Këshill Implementues dhe Monitorues për të gjetur pronat shqiptare por ato serbe, kush e kishte pushtuar atë tokë Serbia apo Kosova e kishte pushtuar Serbinë? A shikohet se ç’gabime të mëdha po bëhen vetëm se zoti Ahtisari nuk është sqaruar? Jam i bindur se po të sqarohet ai do të kuptonte mirë se në Kosovë gjitheçka i përket Kosovës, që nga historia, kultura, pasuria, etj.
10. Besoj se gjithëkush e kupton sa qesharak është neni që ka përmbajtjen si vijon: “Të gjitha borxhet e Republikës së Serbisë të cilat i ngarkohen Kosovës, si rezultat i procesit të alokimit të borxheve, siç parashihet me Aneksin VI të kësaj Marrëveshjeje, do të konsiderohen detyrime financiare të Kosovës”. Ne duam që Serbia të na kthejë ato që na ka grabitur e që na ka borgj, ndërsa këtu flitet që Kosova do të marrë përsipër të paguaj borgjet e Serbisë. Seriozisht nuk e kuptoj logjikën e këtij neni dhe ajo që më shqetëson më shumë nuk e kuptoj logjikën e negociatorëve të Kosovës, si e kanë pranuar një fakt të tillë që është shumë abuziv. Dihet që për këtë çështje është diskutuar në bisedime. Kurrë nuk kisha menduar se mund të dilte dikush e të formulonte një nen të tillë për Kosovën qoftë ky edhe i nderuari zoti Ahtisari.
11. Më duket e pranueshme dhe shumë logjike kërkesa: “Kushtetuta e Kosovës do të konfirmojë që Kosova nuk ka fe zyrtare dhe që do të jetë e paanshme në çështjet e orientimeve fetare”. është shumë e drejtë për arsye se atje ka tre fe dhe asnjëra nuk mund të jetë zyrtare sepse dominon mbi të tjerat, por nuk kuptohet, çdo të thotë “Kosova nuk ka fe zyrtare”, ndërsa duhet të jetë përgjegjëse për themelimin e një feje zyrtare serbe në Kosovë? A mund të konsiderohet normalitet ky fakt? Mendoj se ata që e kanë pranuar një fakt të tillë duhet të bëjnë korigjimet përkatëse.
12. Më tej lexojmë në dokument: “Do të parashikojë të drejtën e të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të Jugosllavisë të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar të vitit 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë për ta fituar nënshtetësinë e Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe çfarëdo nënshtetësie tjetër që ata mund të kenë”. Shume dakort, por duhet bëre pyetja: Po ata shqiptarë që kanë marrë rrugët e botës si të përndjekur politikë nga Serbia gjatë 100 vjetëve të kolonizimit që kanë pronat e tyre në Kosovë dhe në Serbi si do të trajtohen? Pse merren vetëm serbët në mbrojtje? Kush do ti mbrojë shqiptarët? Më duket se është një arsyetim i njëanshëm. Mendoj se është një problem që duhet të jetë në vëmendjen e negociatorëve për zgjidhje, pasi do të na ndodhë si me pronat e Çamëve në Greqi, që nuk po gjenë zgjidhje akoma, prej 100 vjetësh.
13. Kur flitet për veprimtarinë e parlamentit, ndër të tjera më shumë tërheqë vëmendjen formulimi: “Për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve të paraqitura si në vijim do të kërkojnë shumicën e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit gjithashtu edhe shumicën e anëtarëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të cilat nuk janë në shumicë”. Shikoni me vemendje sa interesant duket ky kusht, kur shihet se është ndërtuar në mënyrë të tillë, që po nuk deshën serbët kuvendi nuk mund të miratojë asnjë ligj. Normalisht mund të ketë edhe momente që minoriteteve tu jepet forcë ligjore, por kjo mund e duhet të ndodh vetëm në rastet kur ligji në fjalë lidhet direkt me jetën e veprimtarinë vetëm të minoritetit.
14. Citojmë nga ligji: “Kosova do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët mund të jenë objekt i kërcënimeve apo veprave të diskriminimit, armiqësisë apo dhunës si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar”. Shumë mirë kjo për kushte normale. Por nuk kuptohet, si do të ndodhë, kur në Kosovë do të vendoset, ai që deri dje ka vrarë shqiptarë, ai që njihet nga të gjithë për krimet e tij dhe tani vjen teë banojë pranë atij, që i ka vrarë gjithë familjen. A ka mundësi të ruhet gjakftohtësia, kur hidhet ideja se ai nuk do të mund të preket as nga ligji pasi do të ketë mbrojtje të veçantë sipas këtyre ligjeve që na referohen në këtë paketë statusi? Me thënë të drejtën duhet parë ky problem pasi nuk më duket se çdo gjë do të shkojë normalisht. Nëse do të tentohet që Kosova të bëhet strehë e kriminelëve serbë, nuk mund të jepet siguri.
15. Jam dakort të ketë kopetenca pushteti lokal. Por kompetencat duhet të jenë deri në atë masë, sa mos të cënojnë strategjinë e qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik, zhvillimin e planifikimin urban, përdorimin dhe zhvillimin e tokës, implementimin e rregulloreve të ndërtimit dhe standardeve të kontrollit të ndërtimit, mbrojtjen e mjedisit, etj. Ndërsa siç është shprehur projekti, decentralizimi, duket se hyn shumë në kompetencat e qeverisë dhe prishin ekuilibre strategjike. Mendoj që negociatorët ti kushtojnë vëmendje edhe këtij problemi.
16. Me gjithë konsideratën për të nderuarin Ahtisari, në vazhdim të këtij drafti duket se kur vjen puna për procesin arsimor të serbëve në gjuhën serbe në Kosovë, ligjërohen disa praktika që do të jenë problematike për të ardhmen. Konkretisht thuhet: “Shkollat të cilat vijojnë mësim në gjuhën serbe mund të zbatojnë planprograme apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Serbisë, pas njoftimit ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Negociatorët duhet të kenë parasysh se në praktikën serbe për shqiptarët ndonjëherë nuk është thënë ndonjë fjalë që të jetë miqësore. Në gjithë historinë njihet vetëm propaganda antishqiptare e denigrimit shqiptar, e mohimit të historisë shqiptare e mohimit të kombit shqiptar e mohimit të intelektit shqiptar, etj. Pra edhe kur Serbia të përpilojë tekste si ato që ka aktualisht me pjesë të konsiderueshme kundër shqiptare dhe të mbjelljes së urrejtjes ndëretnike, në Kosovë sipas këtij drafti do të jepen për shkollat në komunat serbe. është vërtetë një premisë për një të ardhme gjithë konflikte në Kosovë midis etnive, si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, duke e patur të ligjeruar.
17. Më poshtë lexojmë: “Komunat (është fjala për komunat me popullsi serbe) do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë, brenda kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet, përfshirë agjencitë qeveritare, të Republikës së Serbisë. Bashkëpunimi i tillë do të merr formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë në implementimin e kompetencave komunale”. Mendoj se duhet sqaruar sepse nuk ka mundësi që për filozofinë e ndërtimit të shtetit do të punojë shteti i Kosovës, ndërsa për ta implementuar do të punojë në Kosovë shteti i Serbisë? Ky është paradoks. Nëse ka diçka që vërtetë duhet bashkëpunuar le të bashkëpunohet, por duke sanksionuar gjithçka saktë dhe qartë. Ndoshta dikush do të mendojë se ka hapësirë duke u bazuar tek shpjegimet në draft si vijon: “Komunat do të njoftojnë Ministrinë për Administrimin e Pushtetit Lokal të Kosovës paraprakisht për çfarëdo qëllimi për t’u angazhuar në një bashkëpunim të tillë. Njoftimi do të përfshijë draft marrëveshjen ndërmjet të komunës dhe institucionit partner të propozuar të Serbisë”. Por kjo është një lloj sikur njoftojmë komshiun se do të lëmë shtëpinë vetëm e të kujdesen që mos të na dëmtohet gjë. A këto do të jenë marrdhënjet e shtetit të Kosovës me Banorët e Kosovës? Me ata që seriozisht janë banorë të Kosovës?
18. Sipas këtij projekt ligji janë krijuar gjashtë komuna të pastra me popullsi serbe. Mendoj që negociatorët duhet të jenë të kujdesshëm pasi vërtetë me duket se këto krijesa janë bërë artificialisht e ne shqiptarëve gjithnjë na kanë sjellë probleme pikërisht artificializmat. është a normale të kërkosh sot në Kosovë zona të pastra për serbët apo me serbët. Nuk mendoj se do të vazhdojë akoma kolonizimi serb në Kosovë. Tashmë është detyrë t’i thuhet mjaftë Serbisë e gjithkujt që i bëhet bisht. Negociatorët duhet ta sqarojnë mirë këtë problem pasi nuk më duket normal e do të sjellë probleme në të ardhmen.
19. Në nenin ku krijohet Këshilli Gjyqësor i Kosovës me 15 anëtarë të bënë përshtypje që komuniteti shqiptar do të ketë 5 gjyqtarë, por që duhet të përzgjidhen që të jenë të pranueshme për strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa 6 do ti kenë minoritetet dhe 2 ndërkombëtarët. Domethënë shqiptarët me 92% popullsi do të përfaqësohen vetëm 38%. është vërtetë shumë e çuditshme kjo praktikë.
Dhe më poshtë: “Të gjithë anëtarët e KGJK-së duhet të posedojnë kualifikime relevante profesionale dhe përvojë të nevojshme për punën e KGJK-së”. Po nëse pretendohet se nuk ka persona të specializuar në shkallën e duhur nga minoriteti serb, mos duhet të merren nga Serbia siç kemi marrë Janollatosin ne në Greqi?
20. Edhe një herë për Kishën Orthodokse, pasi për çudi zë një vend shumë të gjerë në këtë draft, konkretisht drafti shprehet: “Kisha ortodokse serbe (KOS) e Kosovës do të gëzojë mbrojtje dhe gëzim të të drejtave të veta, privilegje dhe imunitete, ashtu siç parashikohet me këtë Aneks”. Duhet të kihet parasysh se Kisha orthodokse është pasuri kulturore e Kosovës. Termi “Kisha Orthodokse Serbe” është abuzim, siç po tentohet të quhet greke kisha orthodokse shqiptare në Republikën e Shqipërisë. A mos në Evropë ka ndonjë sëmundje antishqiptare që duan ta quajnë popullin shqiptar inekzistent, apo ndoshta ndonjë pjesë populli pa origjinë? Me thënë të drejtën nuk duhet lejuar një dukuri e tillë pasi po e rëndon mjaftë moralin e popullit shqiptar në hapësirën shqiptare ballkanike. Kisha orthdokse, kisha katolike dhe xhamia janë pasuri e Kosovës dhe do të administrohen, shfrytezohen dhe ndërtohen vetëm nga populli i Kosovës. Apo sipas këtij koncepti do të vijë të marrë Vatikani kishën katolike e Iraku apo dikush tjetër xhamitë. Shaka të tilla me kulturën tonë nuk duhen lejuar. Nëse u bënë disa veprime kuptohet jo normale me disa kisha orthodokse të ndërtuara nga Millosheviçi edhe atje ku nuk duheshin, kjo nuk do të thotë se duhet t’i merret krejt kisha Kosovës e t’i jepet Serbisë.
Dhe në vazhdim thuhet: “Kosova do ta njeh Kishën ortodokse serbe të Kosovës, duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare, dhe si pjesë integrale e Kishës ortodokse serbe me seli në Beograd”. Si ka mundësi të arrihet deri atje sa të tentohet të shkatërrohet një kulturë popullore për hir të interesit të Beorgadit? A ka motër kjo praktikë që të pranohet për Kosovën? A ka ndonjë vend tjetër që kishën ta ketë me strukturë dhe seli jashtë vetes?
Lexoni nenet që shihen qartë se janë paradoksal: “Kosova do ta respektojë emrin edhe organizimin e brendshëm të Kishës ortodokse serbe, duke përfshirë këtu edhe hierarkinë dhe aktivitetet e saj”. Ose më poshtë: “Kosova garanton që prona e luajtshme dhe e paluajtshme si dhe pasura tjetër e Kishës ortodokse serbe, është e paprekshme dhe nuk do të jetë objekt i eksproprijimit”. Kisha është ndërtuar në tokën e Kosovës për popullin e Kosovës dhe do t’i shërbejë atij populli prandaj edhe është pronë e tij jo e dikujt tjetër siç pretendohet të nxiret në këtë draft. Sepse kështu po na del që vetëm nëpërmjet kishës po i lëmë Serbisë të drejtën e pronësisë mbi 10% të sipërfaqës së tokës së Kosovës. Kjo është si puna e gozhdës së Nastradinit. Jo, askush nuk duhet lejuar të jetë pronar i tokës së Kosovës jashtë kosovarëve.
Duke vazhduar me Kishën Orthodokse prapë lexojmë: “Kisha ortodokse serbe në Kosovë do të ketë diskrecion (liri të plotë veprimi) të plotë në menaxhimin e pasurisë së vet dhe qasjes në objektet e veta. Autoritetet e Kosovës do të kenë qasje në objektet të cilat janë pasuri e Kishës ortodokse serbe të Republikës së Serbisë, vetëm me pëlqimin e dhënë nga Kisha, në rastet e urdhrit gjyqësor të lëshuar në lidhje me aktivitetet ilegale, ose në rast të rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin”. Pse serbët e Kosovës konsiderohen në këtë propozim si një strukturë jashtë Kosovës? A mos po duket se po bëjmë një mashtrim e arrnim? Në çdo rast për serbët flitet si për dikë jashtë Kosovës, jo një lloj si për gjithë popullin e Kosovës. është detyrë e grupit negociator të Kosovës të mos binden për arrnime të tilla shumë problematike. Deklarim më të rëndë për Kosovën e pronën e saj se shprehja “...objektet të cilat janë pasuri e Kishës ortodokse serbe të Republikës së Serbisë” nuk ka. Pra nëse negociatorët nuk janë në gjendje të mbrojnë pronësinë e Kosovës le të thërrasin popullin në ndihmë. Populli nuk është vetëm për të brohoritur, por edhe për të ndryshuar gjendjen kur ajo degradon, si në këtë rast.
A është normale të thuhet: Kosova do t’i ofrojë Kishës ortodokse të Serbisë privilegje doganore dhe tatimore, krahas atyre privilegjeve të cilat i gëzojnë të gjitha fetë e Kosovës”, Pse feja orthodokse a nuk është fe e Kosovës?
Ose më poshtë: “Kishës ortodokse serbe, manastireve dhe kishave të saj, dhe objekteve tjera fetare dhe kulturore të rëndësisë të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do t’i ofrohet siguria e nevojshme”. Të jetë e qartë se nuk mund të ketë asnjë ruajtje e siguri nga askush nëse nuk quhen këto objekte si pjesë e kulturës kosovare. Kultura e një vendi të huaj sipas këtij koncepti nuk ka pse instalohet në Kosovë dhe në asnjë vend tjetër. Ky është një lloj abuzimi për hatër të Serbisë. Nëse lejohen ligjërime të tilla do të ketë probleme të vazhdueshme.
Pse duhet të jetë në ligj kjo kërkesë: “Kosova do të garantojë lirinë e lëvizjes për klerin dhe anëtarët e Kishës ortodokse serbe brenda Kosovës dhe sipas nevojës do të ofrojë aranzhime të nevojshme sigurie për këtë lëvizje”. Mendoj se nuk ka fare nevojë. Askush nuk do të merret me klerikët. Por me klerikët e Kosovës, jo me klerikët e Serbisë. Serbia le ti mbajë klerikët e saj në Serbi. Në Kosovë klerikët le të jenë nga serbët e Kosovës dhe nga shqiptarët e Kosovës ose të tjerët por vetëm të Kosovës. Instalime fallse nuk kemi pse bëjmë.
Janë pikërisht fallsitetet në këtë fushë që arrihet deri atje sa të shprehet: “Këshilli implementues dhe monitorues (KIM) do të themelohet, dhe do të thirret rregullisht për të monitoruar dhe lehtësuar zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, që ka të bëjë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë”. A nuk është ky vërtete një skandal? Ç’do të thotë mbrojtje e trashgimisë kulturore serbe në Kosovë? Nuk kuptoj si ka mundësi të ketë logjikë të tillë? A mos dyshohet për autoktoninë dhe lashtësinë e popullit shqiptar në trevat e Kosovës?
Dhe prapë: “Përveç kryesuesit, KIM do t’i ketë shtatë (7) anëtarë tjerë. Ndër ta edhe “Kisha ortodokse serbe”. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndodhë kjo. Kisha ortodokse serbe nuk mund të jetë prezente në mbrojtjen e vlerave kulturore të Kosovës. Kosova nuk ka asnjë lidhje me Kishën ortodokse serbe, kisha orthodokse është e Kosovës, duhet të sqarohet mire ky problem e të hiqet nga mendja se mund të mbahen vartësi të Kosovës nga Beogradi, qoftë kjo edhe Kisha Orthodokse Serbe. Kjo çështje ka për të sjellë probleme të pa fund.
21. Drafti ligjor i Zotit Ahtisari merr përsiper të ligjërojë që Kosova të marrë përsipër të paguaj edhe borgjet e Serbisë. Me duket interesant ky moment për faktin se Kosova paska borgje pse ka qenë e pushtuar, paska borgje pse është shfrytëzuar, paska borgje pse është vrarë e masakruar, paska borgje pse është tjetërsuar në një sipërfaqe të madhe të tokës së saj, paska borgje pse asgjë nuk është investuar mbi të, jo nga borgjet, por as nga pasuria e saj.
22. Përsa u përket kufijve të Kosovës thuhet: “Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Federative të Maqedonisë më 23 shkurt 2001”. Më duket se nuk është me vend të vëmë dorë mbi atë teritor që është larë me gjak nga UÇK-JA. Nuk është e arsyeshme të i lihet e drejtë Serbisë të marrë vendime për Kosovën pas vitit 1999.
23. Thuhet që do të krijohet Forca e Sigurisë së Kosovës. Mirë kjo. Po pse thuhet që: “TMK-ja do të shpërbëhet”. A është normale të kërkohet një e tillë shpërbërje? Për mendimin tim kjo është një lloj si të bësh tradhëti kombëtare. TMK dihet publikisht që është pasardhëse e UÇK-së. Nuk është e fshehtë kjo. Prandaj edhe nuk duhet pranuar. Nuk mund të shpërbëjmë vlerat tona. UÇK-ja është vlerë kombëtare. Kush e ka frikë le të largohet nga politika e nga terreni që i përket asaj. TMK-ja ka 7 vjet që stërvitet dhe i shërben Kosovës. Ajo këtë moment ka pritur që të kthehet në ushtri të Kosovës. Ndërsa ne sot tentojmë t’i themi që ti TMK nuk do të jesh më, ti nuk do të ekzistosh. Kjo Jo.
24. Së fundi lexojmë në draftin e zotit Ahtisari që vihet detyrë të përpilohen ligje për probleme nga më të ndryshmet. Shumë mirë edhe “ligj për themelimin e zonave të mbrojtura” siç kërkohet le të bëhet. Por a nuk duhet ligj edhe për: Për statusin e Familjes Jashari; Për statusin e Luftës Çlirimtare të Kosovës; Për statusin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; Për statusin e veterantit të Luftës Çlirimtare të Kosovës; Për statusin e invalidit të Luftës Çlirimtare të Kosovës; Për statusin e Dëshmorit të Atdheut; Për veprimtarët dhe luftëtarët për çështjen kombëtare nga viti 1912 e deri 1981, etj.
Krijoni Kontakt