QIK
Me propozimin e Ahtisarit për statusin e Kosovës flitet për pavarësi të pastërt, thotë Drashkoviq
Beograd, 16 mars Me propozimin e Marti Ahtisari për statusin e Kosovës flitet për pavarësi të pastërt dhe formimin e një shteti me të gjitha atributet shtetërore, ka deklaruar për radion "Evropa e lirë" ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkoviq. I pyetur nëse Rusia i ka premtuar Serbisë veto në Këshillin e Sigurimit, Vuk Drashkoviq ka thënë se premtimi nuk është bërë nga nivelet më të larta ruse, siç do të ishte Presidenti ose Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Çfarëdo që të jetë statusi i Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit, thotë Ryker
Viti, 16 mars Shefi i UNMIK ut Joakim Ryker u ka thënë serbëve të Vërbovcit të Vitisë se çfarëdo që të jetë statusi i Kosovës, bashkësia ndërkombëtare është këtu dhe do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve. Shqetësimeve të qytetarëve serbë të paraqitur nga Zoran Kërsmanoviq dhe Sergjan Brankoviq rreth zbatimit të ligjeve, Ryker i është përgjigjur se ligjet në Kosovë do të jenë me standarde evropiane dhe të gjithë qytetarët do të gëzojnë të drejtat e tyre. "Përgatituni për institucione të reja të Kosovës, hyni në lojë që ta keni më lehtë dhe ta keni më mirë", i ka porositur serbët lokalë Kryeadministratori i Kosovës Joakim Ryker.
Çeku beson se Rusia do të abstenojë në Këshillin e Sigurimit
Prishtinë, 16 mars Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pas takimit të rregullt javor me shefin e UNMIK ut Joakim Ryker, beson që Rusia nuk do ta përdorë veton në Këshillin e Sigurimit për rezolutën e re për Kosovën, por do të abstenojë. "Unë mendoj që Rusia nuk mund ta kundërshtojë planin dhe besoj që ajo në fund të fundit do të abstenojë. Nëse Rusia kundërshton planin ajo nuk kundërshton vetëm Ahtisarin dhe Kosovën, por me një veprim të tillë ajo kundërshton tërë Grupin e Kontaktit dhe bashkësinë ndërkombëtare?", theksoi Çeku. Kryeministri po ashtu duke komentuar qëndrimin e Rusisë gjatë procesit të negociatave, tha se Rusia ka pasur rezerva gjatë tërë kohës dhe sipas tij, ajo ka pasur qëndrim ndryshe nga anëtaret e Grupit të Kontaktit, mirëpo megjithatë të gjitha veprimet dhe parimet janë marrë me konsensus nga GK ja. Ai konsideron se propozimi për Kosovën nuk është vetëm plan kosovar dhe projekt i mbështetur vetëm nga institucionet, por këtë projekt tanimë e mbështet Ahtisari, GK, SHBA, BE. "Besoj që në fund Rusia do ta kuptojë që nuk ia vlen t'i prishë raportet me bashkësinë ndërkombëtare për Kosovën", theksoi Çeku. Ai shprehu kënaqësinë që procesi është duke ecur sipas dinamikës së paraparë dhe tani më propozimi për statusin e Kosovës është në Nju Jork dhe propozimi është i tillë çfarë e ka pritur pala kosovare. "Presidenti Ahtisari ka qenë i shumë i qartë se çfarë po propozon për statusin e Kosovës", tha Kryeministri Çeku. Ndërkaq, sa i përket vlerësimit të radhës në Këshillin e Sigurimit për të arriturat në Kosovë, Çeku tha se edhe vlerësimi teknik, por edhe vlerësimi politik i Sekretarit të Përgjithshëm të KB së është pozitiv. "Kështu që prapë kemi dëshmi se në Kosovë ka një përparim të vazhdueshëm". Ndërkaq, kreu i UNMIK ut, Ryker, konfirmoi se të hënën do të jetë në Nju Jork në takimin e KS së të KB së bashkë me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiun. Ai bëri të ditur se Presidenti i Kosovës do të ketë disa takime të tjera në Nju Jork.
Rojters: Ahtisari në mënyrë të prerë do të rekomandojë pavarësinë për Kosovën
Prishtinë, 16 mars - Në aneksin e propozimit për zgjidhjen e statusit të Kosovë, Kryenegociatori Marti Ahtisari në mënyrë të eksplicite do të rekomandojë pavarësinë për Kosovën, ka bërë të ditur agjencia Rojters duke iu referuar burimeve të veta politike. Një burim politik nga Kosova i ka thënë kësaj agjencie të lajmeve se në këtë aneks rekomandohet pavarësi me mbikëqyrje ndërkombëtare. Rojters duke iu referuar një burimi tjetër politik, pohon se në këtë aneks të Ahtisarit, disa herë përmendet fjala pavarësi.
Uizner: Në rast të refuzimit rus, "Kosova do të ndizet, kurse viktima do të jenë serbët"
Bruksel, 16 mars I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, Frenk Uizner tha se Kryeadministratori Marti Ahtisari i ka shqyrtuar të gjitha mundësitë për të ardhmen e Kosovë. "Fatkeqësisht ngjarjet e viteve të nëntëdhjeta ishin aq shokuese sa është e pamundur të imagjinohet se shqiptarët e Kosovës do të kthehen nën autoritetin serb", ka thënë Uizner në Komitetin e Senatit belg. Sipas tij është e pamundur të gjendet gjuhë e përbashkët pasi ajo thjesht nuk ekziston. Uizner ka vlerësuar se me gjithë përmbajtjen e Rusisë, qëndrimet e Moskës dhe Uashingtonit në fund do të harmonizohen dhe se Rusia nuk do të kundërshtojë miratimin e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, me të cilën do të përcaktohet statusi i Kosovës. Uizner ka shtuar se NATO nuk ka ushtarë as vullnet politik që të përballet me reagimin eventual të shqiptarëve dhe ka paralajmëruar se në rast të refuzimit rus, "Kosova do të ndizet, kurse viktima do të jenë serbët", transmeton RFE.
Sekretarit të përgjithshëm të OKB së iu dorëzuan dokumentet e Ahtisari për statusin e Kosovës
Nju Jork, 16 mars Sekretarit të përgjithshëm të OKB së, Ban Ki Mun iu dorëzuan dokumentet e Marti Ahtisari për statusin e Kosovës. Këtë lajm e konfirmoi zëdhënësi Brenden Varma. "Unë mund të konfirmoj se zëvendësi i z. Ahtisari, Albert Rohan është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm, Ban Ki Mun dhe i dha raportin e z. Ahtisari për statusin e Kosovës dhe po ashtu edhe propozimin për zgjidhjen e statusit", ka thënë Varma. Ai ka shtuar se para muajit prill ose gjatë muajit prill mendohet se këto domkumente do të diskutohen në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo burime të tjera bëjnë të ditur se plani i Ahtisarit në Këshillin e Sigruimit do të diskutohet më 26 mars.
Ahtisari ka deklaruar se koncepti i tij për Kosovën është një pavarësi e mbikëqyrur
Londër, 16 mars Kryenegociatori për statusin e Kosovës Marti Ahtisari i ka deklaruar BBC së se koncepti i tij për Kosovën është një pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtare. Ai ka thënë se Kosova do të duhej të ishte një entitet më praktik dhe të përgjigjet për çështjet e saja, por ka shtuar se shumica duhet të paguajë çmimin për ambiciet që ka duke i trajtuar pakicat në mënyrë të qytetëruar. Kjo pavarësi sipas tij do të mbikëqyret nga bashkësia ndërkombëtare, ku Bashkimi Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm. "Dhe kjo është e rëndësishme, sepse të dy vendet shpresojnë të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian dhe unë shpresoj të kenë sukses në këtë drejtim", ka thënë Ahtisaari. Mirëpo sipas tij, çështja e pakicave dhe mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme, dhe shumica në Kosovë, ka thënë Ahtisaari duhet t'i dëshmojë bashkësisë ndërkombëtare se mund t'i trajtojë të gjitha pakicat, jo vetëm serbët e Kosovës, në mënyrë të qytetëruar. Ahtisari ka shfaqur shpresën e tij që në Këshillin e Sigurimit të kuptohet se humbja e kohës nuk ndihmon askënd, dhe se ajo veçse i komplikon edhe më shumë gjërat. Vonesa na merr kohën e nevojshme për zhvillimin siç duhet të Kosovës, ka thënë në një intervistë për BBC në i dërguari i posaçëm i OKB së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.
Oli Ren: Kosova problemi i fundit rajonal që duhet zgjidhur me vendosmëri
Sarajevë, 16 mars - Komisioneri për zgjerimin Oli Ren ka deklaruar për një gazetës të Sarajevës se Kosova është problemi i fundit i rajonit, të cilin duhet zgjidhur me vendosmëri, sepse, siç tha, askush nuk ka dobi nga shtyrja e zgjidhjes së statusit. "Kosova është problemi i fundit i rajonit. Duhet ta zgjidhim me një vendosmëri konsistente, për të siguruar që të ruhet stabiliteti rajonal gjatë këtij procesi. Askush nuk ka dobi nga shtyrja e mëtejshme e zgjidhjes së statusit të Kosoëvs. Ajo tashmë tetë vjet pret zgjidhjen e fatit të vet dhe ka ardhur koha që politikisht dhe juridikisht ajo të sqarohet", ka deklaruar Ren për gazetën e "Dnevni avaz". Sipas komisionerit Ren, "BE-ja ndoshta nuk është e lumtur për këtë, por është e detyruar që të luajë një rol kyç në praninë civile në Kosovë, posaçërisht në sundimin e ligjit dhe në implementimin civil në përgjithësi", është shprehut Ren, duke shtuar se edhe "NAT0 do të ketë një rol kyç në segmentin ushtarak duke garantuar siguri për të gjithë".
Skefer hodhi poshtë mundësinë e shpërthimit të dhunës në Kosovë
Sarajevë, 16 mars - Sekretari i përgjithshëm i NAT0-s, Jap de Hop Skefer, hodhi poshtë me vendosmëri mundësinë e shpërthimit të dhunës në Kosovë dhe të përhapjes së saj në pjesët e tjera të rajonit. "Kur bëhet fjalë për Kosovën, askush nuk duhe të ketë as dyshimin më të vogël se NAT0, përkatësisht KFOR-i janë të gatshëm dhe të aftë të zbatojnë mandatin që u është dhënë - që të garantojnë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët si gjatë ashtu edhe pas procesit të përcaktimit të statusit", ka theksuar kreu i NATO-s në Sarajevë.
Ban Ki Mun i premton mbështetje të plotë dokumentit të Ahtisarit për statusin e Kosovës
Nju Jork, 16 mars - Kreu i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun i ka premtuar mbështetje të plotë dokumentit të Marti Ahtisarit për statusin e Kosovës, që iu dorëzua dje nga zv/kryenegociatori Albert Rohan, si "pavarësi e mbikqyrur ndërkombëtare", kanë konfirmuar diplomatët e KB. Këshilli i Sigurimit, siç pritet, do të takohet më 3 prill për të diskutuar për propozimin e Ahtisarit për statusin e Kosovës Njoftohet se Kombet e Bashkuara kanë vendosur që përmbajtja e dokumentit të mos bëhet publike rreth një javë, derisa të mos u dorëzohet të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Mirëpo, siç mësohet, Albert Rohan disa diplomatëve në KB u ka konfirmuar se ekipi i Ahtisarit ka përfunduar se, pas krizës shumëvjeçare, pavarësia e mbikqyrur është zgjidhja më e mirë. Gjithashtu thuhet se pavarësia e Kosovës do të mbikqyret nga disa misione e organizata ndërkombëtare. Ndërkaq për datën e pavarësisë përfundimtare duhet të vendosë një komision i posaçëm që do të formohet nga shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit, përfaqësuesit e BE-së dhe NATO-s.
Krijoni Kontakt