Avokati Kamberi pohon se shumica e çifteve, që i drejtohen gjykatës, ndahen
Divorci është një nga temat më problematike të shoqërisë shqiptare. Jo rrallë herë është folur në media për incidente, që vijnë nga ndarjet e një çifti. Ndarja e pasurisë është kthyer në mollë sherri për të gjithë të divorcuarit, kur çifti i drejtohet gjykatës. Avokati Ylli Kamberi, që ushtron profesionin e tij në një nga zyrat e avokatisë në Tiranë dhe është i specializuar me çështjet familjare, pohon se, “Nga të gjithë çiftet që më janë drejtuar, në bazë të këshillimeve që kam dhënë, 99 për qind e tyre kanë përfunduar në ndarje dhe vetëm 1 për qind, kanë pranuar që të falin njëri-tjetrin. Këta 99 për qind, kanë kërkuar ndarje të pasurisë, e cila normalisht është zgjidhur në bazë të ligjit dhe jo të preferencave të tyre personale”. Duke u bazuar në eksperiencën e tij disavjeçare, ai rrëfen se përfituese të pasurisë në shumicën e rasteve janë gratë. Sidomos kur kanë mbi vete kujdestarinë e fëmijëve, ndërsa pasuria, që në shumicën e rasteve është shtëpia, e përfiton gruaja, por duke i kthyer ish-bashkëshortit gjysmën e shumës së parave, të kostos së shtëpisë.
Katerina Salillari tregon se është ndarë nga bashkëshorti dhe fitoi kujdestarinë e fëmijës 6-vjeçar, ndërkohë që përfitoi dhe shtëpinë ku jetonte. Ajo ka hasur në kundërshtinë e ish bashkëshortit të saj, që herë pas here kërkon ta nxjerrë me forcë nga shtëpia. Në rastet e divorceve, jo çdo gjë mbaron ashtu siç e vendos gjykata, në mes janë konfliktet, kur njëri nga personat e ndarë nuk është dakord me ndarjen ligjore dhe hyjnë përsëri në konflikt me njëri-tjetrin. Vetëm pak ditë më parë, në qytetin e Fierit, ka ndodhur rastet e ushtrimit të dhunës nga ish-bashkëshorti. Ai, i pakënaqur nga vendimi gjykatës, sapo ka mbaruar procesi është kthyer në gjykatë për të qëlluar me armë gjykatësen, e cila ka dhënë verdiktin, ku përfituese e pasurisë ka qenë gruaja. Raste të tilla, jo pak herë kanë ndodhur, ku njëri nga personat e divorcuar ka ushtruar dhunë, duke kërkuar vendosjen e drejtësisë në rrugë personale.
GAZETA E TIRANÊS
Krijoni Kontakt