Tiranë, polici i ndërtimores terrorizon me armë qytetarët
Në gjendje të dehur, Selim Çelaj rrezikoi edhe jetën e uniformave blu
Një efektiv i Policisë Ndërtimore ka përfunduar në polici për disa momente, pasi ka terrorizuar qytetarët në gjendje të dehur, duke i kanosur me pistoletën e tij. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në qendër të kryeqytetit. Selim Çelaj është lënë sërish i lirë, ndërkohë që ende nuk ka nisur një procedim penal për këtë person. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se rreth orës 17:00 të dy ditëve më parë, një qytetar ka telefonuar në sallën operative dhe ka denoncuar se një person i armatosur po shëtiste në qendër të Tiranës. Menjëherë për në vendin e ngjarjes janë nisur uniformat blu të repartit "Shqiponja" dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 1. Qytetarët e tmerruar në qendër të Tiranës kanë treguar për uniformat blu, të cilët kishin ndërmarrë aksionin për neutralizimin e këtij personi, se ai kishte dalë nga një lokal në afërsi të xhamisë dhe ishte nisur drejt këndit të lojërave, përballë Bankës së Shqipërisë. Burimet bënë të ditur për "Shqip", se uniformat blu kanë rrethuar gjithë zonën, por ka qenë tejet e vështirë ndërhyrja, pasi i armatosuri po e mbante pistoletën në dorë dhe vendi i ngjarjes ishte i mbushur me njerëz. Kështu, pas disa përpjekjesh, një efektiv policie i është afruar të armatosurit, të cilit i ka kërkuar të dorëzohet. Por, në gjendje të dehur, ai ka deklaruar se pistoletën e kishte me leje nga shteti, për arsye se punonte në policinë ndërtimore. Në këtë kohë, disa efektivë të tjerë të policisë, kanë ndërhyrë duke e çarmatosur efektivin e ndërtimores dhe e kanë shoqëruar atë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, sipas direktivave që kishte dhënë drejtpërsëdrejti kreu i kësaj drejtorie, Muhamet Rrumbullaku. Por, kur efektivi i ndërtimores ka mbërritur në ambientet e policisë, mësohet se ka kanosur efektivët e rendit, duke deklaruar se ishte vëllai i Isuf Çelajt, drejtor i Përgjithshëm i Personelit në Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, të pyetur për këtë problem, zyrtarët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë treguar shumë të rezervuar. Madje, policia e kryeqytetit nuk ka nxjerrë asnjë të dhënë se çfarë është bërë me të shoqëruarin Çelaj. Sipas të dhënave të regjistruara nga shërbimet e policisë, Selim Çelaj, 45 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, e kishte pistoletën me leje. Madje, burimet nga policia thanë se me urdhër të kreut të policisë kryeqytetase, ai person u shoqërua për "prishje të rendit e qetësisë publike" dhe "kanosje për shkak të detyrës".
Krijoni Kontakt