A po dizajnohet pavarësia e Kosovës...?

Dhe çfarë zgjidhje tjetër duhet të pritet nga Këshilli i Sigurimit përveçse ajo e pavarësimit të plotë dhe pa kushte (?), çdo zgjidhje tjetër realisht është barrë e rëndë për popullatën vendore që e pret lirinë, përfundimisht. Patjetër duhet të ketë pajtueshmëri normash etike dhe morale, jo vetëm politike, ngase është në pyetje prestigjioziteti i politikës së drejtë amerikane në botë i drejtuar nga presidenti amerikan George W. Bush.

Agim Vuniqi, Farmington Hills

Edhe pse administrata e BUSH-i është e shqetësuar me zhvillimet në Irak, që është e shoqëruar me dilema të reja: zvogëlimi apo tërheqja e trupave amerikane nga Iraku apo shtimi dhe zgjerimi i mëtejmë i zonave të sigurisë, por edhe konsolidimi i radhëve të forcat të sigurisë të Irakut dhe dhënia e mëtejme e përkrahjes politike kryeministrit irakian Maliki, janë dilema të hapura që kanë zgjeruar interesim në opinionin e brendshëm në SHBA, si në grupin e shumtë të analistëve por edhe në vet kongresin amerikan. Bushi si gjithmonë i qëndron konsekuent politikës së deritanishme, atë të përkrahjes në terren të gjeneralëve amerikanë, duke kritikuar përkrahësit e tërheqjes së trupave nga Iraku, që do ta shndërronte Irakun në një vatër të krizave edhe më të mëdha në Lindjen e Mesme, duke rritur tensionet luftarake në mes të shiitëve dhe sunnive, ngase si njëra palë ashtu edhe tjetra kanë përkrahjen e jashtme, e para ka lidhje shpirtërore me klerikët e Iranit, ndërsa të dytët përveç lidhjeve shpirtërore me Arabinë Saudite, ata disponojnë me afro 2 miliardë dollarë të bartura nga periudha e Sadam Hyseinit, të mobilizuar nga ushtarakët e ish Gardës nacionale të Irakut, por edhe nga politika që udhëhiqet nga Baath-istët, politikë që deri vonë ka udhëhequr Irakun, para invazionit ushtarak të trupave amerikane. Realisht nuk ka ndonjë platformë të qartë politike, çfarë mund të ndodhë me tërheqjen e trupave apo me zvogëlimin e tyre, ngase kështu Irakun do e kaplonte kaosi i luftës civile, që edhe tash ka të njëjtat karakteristika. Megjithë këtë administrata e Bushit është duke udhëhequr aleatët perëndimorë edhe në një front tjetër diplomatik, atë të zbehjes së ndikimit rus në rrjedhat në Ballkan, respektivisht në Evropën juglindore. Problemet që më herët u manifestuan me polakët, e më vonë me Belorusinë dhe Ukrainën, shkyçjen e valvolave në gazsjellësin rus dhe ngritjen e çmimit të gazit, duke ngritur retorikën diplomatike deri në kërcënim, krijuan skepticizëm dhe drojë të arsyeshme për qëllimet politike të Rusisë te partnerët perëndimor, e cila ende nuk mund të lirohet nga nostalgjia e superfuqisë, këtë e kishte pohuar më herët edhe presidenti rus Putin duke deklaruar se shkatërrimi i BRSS ishte tragjedia më e madhe e shekullit XX. Problemi i Kosovës domosdo është pjesë e lojës "së rrëzimit të duarve", duke matur kështu muskujt, e perëndimit nga njëra anë dhe të Rusisë tash, e më vonë ndoshta edhe të Kinës, nga ana tjetër. Edhe pse delikate përgjigja në këtë temë Kosova do të përcaktoj të ardhmen e KS të OKB-së, ose do të ketë konsensus në Këshillin e Sigurimit, ose vetë Këshilli i Sigurimit do të humbë rëndësinë e tashme të zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare, duke zgjedhur rrugë tjera alternative, si ai i pranimit unilateral të pavarësisë së Kosovës. Rusia e ndodhur në senduiç nuk do të ketë zgjidhje të shumta prandaj domosdo do të pranoj politikën konstruktive të bashkëpunimit me BE-në dhe SHBA, ngase fundi-fundit, është në interesin e vet Rusisë dhe në interesin e përgjithshëm ndërkombëtarë. Prandaj plani i ri i Kombeve të Bashkuara për lirimin e Kosovës nga sovraniteti serb, dukë përcaktuar rrugën e pavarësisë, është përpjekje që ka mbështetje reale nga zhvillimet që kanë ndodhur deri më tash në Kosovë. Propozimi që i jep të drejtë Kosovës që të hyjë në marrëveshje/marrëdhënie ndërkombëtare dhe të aplikojë për anëtarësim në organizata dhe institucione ndërkombëtare, duke përfshirë këtu Kombet e bashkuara, Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore, nuk kënaqë krejtësisht interesat e popullit shumicë në Kosovë. Realisht disa nga atributet e shtetësisë të përmendura në pakon e Ahtisarit i ka pasur Kosova edhe gjatë periudhës së ish federalizmit Jugosllav, të përcaktuara në kushtetutën ish-jugosllave dhe në atë të Kosovës, prandaj shikuar nga aspekti konstitucional, të cilin e shkeli me tanke Millosheviqi duke shkaktuar lufta të përgjakshme në ish Jugosllavi, nuk ka ndonjë avancim të theksuar, përveçse problemi i Kosovës nuk do të jetë më problem që duhet ta brengosë Serbinë. Përfundimisht Serbia shkatërrojë Jugosllavinë, burimin e saj të shtetësisë, dhe instaloi terrorin shtetëror, duke vrarë e masakruar civilët dhe popullatën e pafajshme, ajo instrumentalizoi APJ-në për qëllim të shfarosjes së civilëve, duke pretenduar të ndërroj dhunshëm pasqyrën etnike ne ish Jugosllavi, e veçanërisht në Kosovë. Strategjia e "tokës së djegur" që aplikoi politika zyrtare e Beogradit, ia mori të gjitha të drejtat për të vendosur për statusin e ardhshëm e Kosovës, përndryshe ajo nënshkroi kapitullimin me marrëveshjen e Kumanovës duke bartur sovranitetin mbi Kosovën në OKB, ishte ky tentimi përfundimtar për të shtyrë zgjidhjen e problemit të Kosovës për më vonë, duke shpresuar në ndryshimin e raporteve diplomatike në botë, dhe në forcimin e ekonomisë ruse dhe në rritjen e ndikimit të Rusisë në OKB. Shumë nga elementet e shtetësisë që qarkullojnë në shtypin perëndimor, Kosova i kishte edhe me Kushtetutën e 74-së, kishte ministrinë e punëve të jashtme (Sekretariati për marëdhëdhënje me botën e jashtme), kishte institucionin më të rëndësishëm bankar Bankën Popullore dhe BANKOS-in, të cilët ishin nënshkrues dhe garantues të kredinave të realizuar në Kosovë, kishin edhe Mbrojtjen Territoriale si forcë e vogël ushtarake që kishte të drejtë të mobilizojë popullatën vendore, që konstitucionalisht ishte e lidhur drejtpërdrejtë me ish qeverinë federale-Mbrojtjen Territoriale të Jugosllavisë, pra nuk ishte institucionalisht e lidhur fare me Serbinë. Nuk duhet harruar faktin që Sllovenia realizojë shtetësinë duke iu rezistuar forcave të APJ nga ana e Mbrojtjes Territoriale të Sllovenisë të drejtuar nga ushtaraku i atëhershëm Janez Janshe, më vonë pas pavarësimit edhe Ministër i mbrojtjes. Të drejtën e vetëmbrojtjes nga ataku i Serbisë kundër Kosovës me të drejtë e përligji UÇK-ja, që ishte e vetmja forcë vetëmbrojtëse në Kosovë që mbronte popullatën e paarmatosur, dhe mbronte pasurinë tokësore dhe nëntokësore të Kosovës. Angazhimi i mëvonshëm i NATO-s kishte një qëllim përmbajtjesor dhe shumë domethënës, mbrojtjen e vlerave civilizuese dhe mbrojtjen e të drejtës institucionale të popullatës shumicë të Kosovës, e shprehur me politikë të matur dhe të qartë por edhe me luftë të vendosur në mbrojtje të vlerave nacionale të popullit shumicë. Serbia e cila kishte udhëhequr politikën e heshtur të spastrimit etnik gjatë viteve të 90-të, ajo e përshpejtoj mizorisht në vitin 1998-1999, duke djegur, plaçkitur dhe shkatërruar popullatën vendore por edhe ndërmarrjet publike të Kosovës, duke shfrytëzuar shkritoren dhe furrat e Feroniklit (ndërmarrje e privatizuar nga AKM) dhe të Trepçës për djegien e kufomave (që jepte shtypi vendor), dhe mbushjen e autofrigoriferëve në Serbi, duke hapur varreza masive. Shumë nga ngjarjet rrëqethëse kanë mbetur të pandriçuara, njëra ndër to edhe eksperimentimi me shqiptarë në vend të mijëve, në ndërtesën shumëkatëshe, të ushtrisë e lidhur me spitalin e VMA-së, ku bëheshin eksperimentet toksike dhe nukleare, rreth ndikimit të rrezeve ultravioletë në njerëz. Dyshimi i shprehur nuk është i pabazë duke evidentuar shumë fakte se firmat jugosllave ishin përgjegjëse për ndërtimin e korridoreve, tuneleve dhe objekteve nëntokësore të regjimit të Sadam Hyseinit ( të dënuar dhe ekzekutuar me varje nga gjykata më e lartë irakiane). Dhe çfarë zgjidhje tjetër duhet të pritet nga Këshilli i Sigurimit përveç ajo e pavarësimit të plotë dhe pa kushte, çdo zgjidhje tjetër realisht është barrë e rëndë për popullatën vendore që e pret lirinë, përfundimisht. Por, edhe pse politika dhe drejtësia janë në përballje, ngase politika udhëhiqet edhe nga interesat nacionale të shteteve të involvuara, si në Grupin e Kontaktit ashtu edhe në atë të KS, patjetër duhet të ketë pajtueshmëri normash etike dhe morale, ngase është në pyetje prestigjioditeti i politikës së drejtë amerikane në botë i drejtuar nga presidenti amerikan George W. Bush dhe kryeministri britanik Tony Bler, shtete që u goditën më së shumti nga terrorizmi ndërkombëtarë.
Propozimi flet për të drejtat në “shtetësi të dyfishtë”, dhe kërkon nga Prishtina që të vendos marrëdhënie të mira me Serbinë dhe shtetet tjera fqinje. Po ashtu, Kosova parashihet se do të marrë pjesën e vet nga asetet ekonomike dhe borxhet që dikur i kane takuar ish Jugosllavisë dhe Serbisë. Përfshinë detaje nga të drejtat e veçanta të komunitetit serb, ku përmenden kontrolli i konsiderueshëm në drejtimin e policisë lokale si dhe e drejta që të mbahen disa lidhje direkt me Beogradin - duke parashikuar që paratë nga Beogradi do të qarkullojnë përmes Prishtinës. Po ashtu, do te themelohen Zona te Mbrojtura rreth lokacioneve me vlera religjioze ortodokse-serbe. Mbetet e hapur nëse këto zona do të paraqesin entitete serbe nën kontrollim direkt të Beogradit. Prishtina zyrtare-Grupi i Unitetit duhet ta kuptojë që, në fakt, kjo i bie si entitet serb nën sundim të Beogradit, dhe përpjekjen e serbëve në veri që të ndajnë Kosovën në dy pjesë. Edhe pse definitivisht shumë gjëra mbesin të pasqaruara sigurisht që shqiptarët nuk do të pranojnë të shtrijnë qafën në cung, dhe të pranojnë çfarëdo zgjidhje që është e papranueshme me vullnetin e qytetarëve, ngase është në kundërshtim me teorinë mbi demokracinë, vlera në të cilat bazohet humanizmi dhe drejtësia e sotme perëndimore, se pa liri nuk ka jetë, kjo është plotësisht e kuptueshme.
Qytetarët shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Amerikë kanë kuptuar drejt detyrën historike, të faktografimit të situatës në Kosovë, duke dhënë fakte shumë të rëndësishme në dobi të pavarësimit të Kosovës, duke lobuar në dhomën e reprezentuesve dhe në senatin amerikan. Shumë intelektualë dhe personalitete me rëndësi, mbajnë kontakte të vazhdueshme me Stejt Departamentin duke shtyrë opsionin e pavarësisë së plotë. Shqiptaro-amerikanët ishin dhe janë në ballë të detyrës, si edhe më herët gjatë luftës në Kosovë dhe gjatë kampanjës ushtarake të NATO-s, ashtu edhe për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Maqedoni, dhe në Mal të Zi. Se sa fuqishëm rrahin zemrat e shqiptarëve tregoi edhe formimi i Batalionit Atlantiku, që luftoi në krahun e aleatëve kundër forcave kriminele të regjimit të kasapi të Ballkanit Millosheviq (i cili vdiq burgun e Den Hagës i akuzuar për krime lufte).
Puna e pandërprerë e Albanian American Civic League (Liga Civile Shqiptao-Amerikane) dhe NAAC (Këshilli Kombëtarë Shqiptaro-Amerikanë), si dhe organizatave tjera lobuese të qytetarëve amerikanë me origjinë shqiptare po japin sinjale të qarta të angazhimit të drejtë të shqiptaro-amerikanëve, komunitet shumë i çmueshëm që jep kontribut edhe në pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të ndërtimit të demokracisë dhe të politikës amerikane, me votë, si dhe në dobi të zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare, kurorëzim i së cilës do të ishte pavarësia e plotë e Kosovës. Në dobi të këtij fakti flet edhe rezoluta në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku udhëheqësit e dy Komisioneve më të rëndësishme në dy dhomat e Kongresit, kongresisti Tom Lantos dhe senatori Joseph Biden deri tash kanë marrë rolin prijës në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës. Paraqitjen e rezolutës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey, i cili ritheksoi mbështetjen e Washingtonit zyrtar për përpjekjet e Martti Ahtisaarit Dy udhëheqës të dy partive nga Komisioni për Marrëdhënie ndërkombëtare i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, kanë paraqitur një rezolutë të përbashkët me të cilën kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të deklarojnë zyrtarisht mbështetjen e tyre për pavarësinë e Kosovës. Rezoluta është paraqitur në Kongresin e 110 me radhë nga kongresisti demokrat Tom Lantos, kryetar i Komisionit dhe kongresistja Ileana Ros-Lehtinen udhëheqëse më e lartë në këtë komision nga radhët e republikanëve. Ky është një mesazh i rëndësishëm për qeverinë e Kosovës, për subjektet politike dhe qytetarët e Kosovës, se lufta diplomatike për pavarësinë e Kosovës, po përkrahet dhe po tregon një interesim të veçantë nga Kongresi Amerikan (Dhoma e Reprezentuesve dhe Senati) të punojë ngushtë me administratën e presidentit amerikan Georg W. Bush, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe stabile.