Djali i Mao Ce Dunit sjell xhama motorrash në Shqipëri, djali i Enverit merr goma në Kinë![]()
Dikur të dy vendet tona i përkisnin sistemeve komuniste dhe Mao Ce Duni me Enver Hoxhën konsideroheshin “shokë armësh”. Mao Ce Duni atëherë drejtonte Kinën dhe dërgonte në Shqipëri në formë ndihmash të gjitha sendet dhe orenditë industriale, duke filluar që nga biçikletat kineze e deri te Kombinati i madh i Metalurgjikut. Ndërsa tani kohët kanë ndryshuar dhe djali i tij, i quajtur Lin, ka filluar të bëjë tregëti me Shqipërinë duke dërguar këtu xhama motorrash me çmime të ndryshme. Nga ana tjetër, Ilir Hoxha, djali i ish-udhëheqësit të lartë të Shqipërisë, vazhdon me sukses tregëtinë e televizorëve dhe gomave të makinave, të cilat i blen në Kinë dhe i ndërmjetëson drejt Shqipërisë.Kësisoj, dy djemtë e ish-sekretarëve të parë të partive komuniste, tani kanë adresuar ndaj vendeve mike marrëdhëniet tregëtare-private.
Dhe megjithëse Mao Ce Duni e Enver Hoxha ishin dy armiqtë më të betuar të pronës private, me fëmëjët e tyre ka ndodhur e kundërta dhe ata kanë mundur të integrohen mjaft mirë në realitetin e ekonomisë së tregut. Vetë Mao Ce Duni është martuar katër herë, ndërkohë që me gruan e fundit të quajtur Çian Çini, dihet se nuk pati fëmijë. Ndërsa fëmijët që pati me gratë e tjera u arsimuan të gjithë në shkollat e larta të Pekinit, kryesisht në degët e filozofisë dhe inxhinierisë Elektronike. Këtu bënte përjashtim njeri prej djemve që ai e kishte me gruan e parë i cili studioi për lëndët ushtarake dhe rreth vitit 1950-51 u vra në luftën e Koresë. Fëmijët e tjerë lindën më vonë pas martesave të njëpasnjëshme e gati të pasuksesshme të ish-kreut të Pekinit. Të gjithë ndoqën hap pas hapi ciklin e degëve për të cilat studiuan dhe pas reformave ekonomike e demokratike në Kinë, përsëri qëndruan në sektorët e tyre. Ndërsa një nga djemtë e Mao Ce Dunit filloi të merrej me shkëmbime tregëtare private, duke dërguar në Shqipëri xhama motorrësh, reflektorë e pajisje të ndryshme elektroshtëpiake. Të gjitha dërgesat e djalit të Mao Ce Dunit bëhen nëpërmjet porosive paraprake, ose shkëmbimeve me tregëtarët kinezë që banojnë aktualisht në Shqipëri. Thuhet se ashtu si edhe të gjithë tregëtarët e tjerë që vijnë nga Kina, edhe djali i Maos karakterizohet nga korrektësia e ndershmëria në shkëmbimet e bisnesit të tij. Ndërsa djali i Enver Hoxhës, Iliri shkon shpesh në Kinë dhe më tepër shërben si ndërmjetës për bisnesmenët shqiptarë, por bën edhe porosi individuale si blerje televizorësh, goma për makinat, makineri elektroshtëpiake etj. Iliri tregon edhe vetë se është pritur me shumë ngrohtësi në Kinë, nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga drejtuesit e ministrive me të cilët ka pasur kontakte për çështje të dokumentacioneve tregëtare. Madje, ai tregon se në një rast kur ka hyrë në një fabrikë kineze të prodhimit të gomave, është pritur me duartrokitje, sapo punëtorët kanë marë vesh se ishte djali i Enver Hoxhës. Këto duartrokitje janë shoqëruar shpesh edhe me parullat e dikurshme për miqësinë e ngushtë midis dy vendeve, si psh, “Enver-Mao Ce Dun”, “Rroftë miqësia e përjetshme midis dy popujve tanë”, etj, etj. Kjo tregon se megjithëqë koha kalon, përsëri njerëzit e thjeshtë e ruajnë respektin e dikurshëm. Dikur Mao Ce Duni solli në Shqipëri mijra biçikleta e motorra pa lekë, ndërsa tani djali i tij sjell xhamat e motorrave, në bazë të ligjit të shkëmbimeve sipas formulave të ekonomisë së tregut. Ndërsa, djali i Enver Hoxhës e ka mbështetur aktivitetin e tij duke udhëtuar dy-tri herë në muaj drejt Pekinit.
Krijoni Kontakt