Plotësohet Sinodi i Shenjtë
- Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka edhe 3 episkopë të rinj -
Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të datës 11 nëntor 2006, u vendos që të ngrihen në gradën episkopale 3 arkimandritë të Kishës sonë:
- Arkimandrit Dhimitër Sinaiti, 66 vjeç, u caktua Mitropolit i Gjirokastrës (ku ka shërbyer në 15 vitet e fundit si zëvendësmitropolit. Ai ka qenë pjesëtar i vëllazërisë së njohur murgërore të Sinait, në Egjipt, ku mund të përmendet edhe si një nga studiuesit dhe kataloguesit e dorëshkrimeve të famshme që u zbuluan aty, mes të cilëve edhe dorëshkrimi më i vjetër që njihet i Dhiatës së Re). Në datën 16 nëntor u krye në Kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati dhe Hirësi Joani shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandritit Dhimitër. Liturgjia dhe Ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Gjirokastrës Hirësi Dhimitrit, u bënë në dt. 26.11.2006, në kishën e Kryeengjëjve në Gjirokastër. Ajo u krye në shqip dhe greqisht, sipas specifikës së kësaj mitropolie, gjë që dëshmon harmoninë dhe respektin e ndërsjellë mes besimtarëve.
- Arkimandrit Nikolla Hyka, 35 vjeç, i cili mori titullin Episkop i Apollonisë. Në datën 19 nëntor u krye në Kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati, Hirësi Joani dhe Hirësi Dhimitri shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandritit Nikollës.
- Arkimandrit Andon Merdani, 37 vjeç, i cili mori titullin Episkop i Krujës. Në datën 21nëntor u krye në Kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati, Hirësi Joani, Hirësi Dhimitri dhe Hirësi Nikolla, shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandritit Andon Merdani.
Hirësi Nikolla dhe Hirësi Andoni janë shqiptarë nga brezi i klerikëve të rinj të formuar në Akademinë Theologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, Durrës dhe në vazhdim kanë kryer me rezultate të shkëlqyera edhe studime të specializuara theologjike jashtë vendit.
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë tashmë përbëhet nga:
†Kryepiskopi Anastas, Kryetar;
Mitropoliti i Beratit Ignati,
Mitropoliti i Korçës Joani,
Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri,
Episkopi i Apollonisë Nikolla,
Episkopi i Krujës Andoni;
Kryesekretar i Përgjithshëm, Protopresviter Jani Trebicka.
Krijoni Kontakt