Debat për të ardhmen evropiane të universiteteve shqiptare

Në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 1.03.2007, të enjten mbrëma, u mbajt një emision debativ “Debati universitar”, i pari nga cikli i emisioneve që do të realizohen në bashkëpunim me Televizionin Shtetëror të Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe, që udhëhiqet nga prezantuesja Zërijeta Jajaga dhe që transmetohet drejtpërdrejtë në ekranet televizive.

Mysafirë të parë të këtij emisioni debativ ishin rektorët e universiteteve shqiptare, prof. dr. Sadi Bexheti, rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Enver Hasani, rektor i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Alajdin Abazi, rektor i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe prof. dr. Shezai Rrokaj, rektor i Universitetit të Tiranës.

Temë boshte e këtij debati universitar kishte të bëjë me atë se “Sa qendrat universitare prodhojnë kuadro të mirëfillta, për të qenë konkurruese me universitetet e Bashkimit Evropian”.

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti tha se këtë universitet e karakterizojnë tri suksese të rëndësishme. I pari ishte para dy ditësh, kur USHT dha vendimet e para për 15 profesorë të këtij universiteti, ku konkurrimi ishte mjaft i madh dhe se ata kaluan në një procedurë rigoroze të pranimit. Bëhet një angazhim i madh për sigurimin e hapësirave të reja të universitetit, në ç’ drejtim është arritur marrëveshje me Qendrën Kulturore në Tetovë, Qendrën e Spitalore në Tetovë, Shtëpinë e Kulturës dhe Shtëpinë e Shëndetit së Pensionistëve në Gostivar. Ndërsa, e treta, është puna e mëvetësishme e Senatit të Universitetit.

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Shezai Rrokaj, ceku tri pika kryesore. Ai tha se universiteti ka synime që ta përgatisë qytetarin për t’iu përgjigj tregut të punës. “Të gjithë ne jemi nënshkrues të Procesit të Bolonjës dhe për këtë arsye punohet që të jemi më afër Bashkimi Evropian. Por, kjo varet nga vetë studentët dhe nga ajo se sa jemi të gatshëm për një integrim evropian”, tha Rrokaj.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Enver Hasani, tha se “UP-në e ka ndjekur fati i postkonfliktit, por tash kemi ardhur në një pozitë të lakmueshme. Pas luftës së vitit 1999, Kosova humbi pikën referente dhe tash kërkohet shumë punë për t’i realizuar reformat universitare. Në këtë drejtim, ne të gjithë së bashku gradualisht po profilizohemi si universitete”, theksoi Hasani.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, prof. dr. Alajdin Abazi, tha se “universiteti ynë filloi me punë mësimore nga viti 2001 dhe që nga fillimi kapi reformat e Deklaratës së Bolonjës, që ishte nënshkruar në vitin 1999. Do të veçoj atë pjesë që kërkohet nga universitetet evropiane dhe mbi të gjitha këto janë vlerat. Evropa sot kërkon shkathtësi profesionale dhe kompetenca, por varet edhe nga shkathtësitë akademike për të cilat ne i kemi në mungesë. UEJL e ka bërë disenjimin e kurikulumeve në bashkëpunim me partnerët dhe ne jemi të kënaqur, edhe pse na pret shumë punë që t’i afrohemi tregut evropian”, theksoi Abazi.

Ishte një pyetje interesante referuar USHT-së, që kishte të bëjë me trajtimin e Qeverisë ndaj këtij universiteti dhe ku shihen pikat e bashkëpunimit. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti, tha se “USHT është një institucion i ri dhe që ka kaluar nëpër shumë peripeci. Ne nuk mund të krahasohemi me Universitetet e Shkupit dhe atë të Manastirit. Kemi mbështetjen e ministrit dhe Qeverisë, ndaj dhe mundohemi që ta arrijmë punën dhe traditën 60-vjeçare të universiteteve të tjera shtetërore në vend, që mund të arrihet me një buxhet të shtetit prej 30 për qind dhe atë vetjak”, thotë rektori Bexheti, duke shtuar se USHT ka një bashkëpunim emocional me UP-në, ngase pjesa më e madhe e stafit akademik kanë qenë studentë të këtij universiteti. Një bashkëpunim të mirë ka edhe me Universitetin e Tiranës dhe me rektorin e këtij institucioni, i cili ka dhënë kontribut të madh, por tash së voni ka një bashkëpunim me Universitetin e Shkupit dhe UEJL-në. Një bashkëpunim është arritur edhe me universitetet ndërkombëtare, respektivisht me ato të Gjermanisë.

Në këtë debat universitar morën pjesë aktive edhe studentët e pranishëm të USHT-së dhe UEJL-së, të cilët parashtruan pyetje nga më të ndryshmet drejtuar katër rektorëve, disa prej të cilave kishin të bëjnë me sistemin e studimit sipas deklaratës së Bolonjës, për vizionin e ardhshëm të USHT-së, për hapjen e drejtimeve të reja etj.



Zyra pёr Informim e USHT